Albspirit

Media/News/Publishing

Xhelil GJONI: 17 vjet me Dritëro Agollin nga Rusia në “Zërin e Popullit”

Për karrierën e Dritëro Agollit në redaksinë e “Zërit të Popullit”, një anë pak e njohur dhe e artikuluar për publikun e gjerë, na vijnë në ndihmë këto shënime në formë kujtimesh të shkëputura nga nga libri  i Xhelil Gjonit “Personalitete në jetën time” botuar  rreth 5 vite më parë.

Kujtimet zbulojnë pothuajse të gjithë stacionet e Agollit në profesionin e gazetarit, si  fillesat  e punës së tij në redaksi, shërbimet e gjata në terren për reportazhe,  marrëdhëniet me shefat e tij dhe rebelimet që shpesh shkaktonin situata humori,  etj… Kujtimet për Agollin  Xhelil Gjoni i ka titulluar “Koha e kolonelëve”.

Nga Xhelil Gjoni
Me Dritëroin (Agolli) jam takuar dhe njohur për herë të parë në vjeshtën e vitit 1956. Ai banonte në “Mëjtënskaja Naberezhnaja Dom 13/2, konvikti pranë “Stroitelni most”, ura e ndërtimit, në krah të “Petropavlloskaja Kreposts” (Kështjella Petropavllosk). Përballë ishte lumi i famshëm Neva dhe akoma më përballë, “Zimnij Dvorjec” Pallati i Dimrit. Me Dritëroin në Fakultetin e Gazetarisë studionin edhe dy shokë, Fadil Kokomani, me të cilin u miqësuam shumë dhe Marash Hajati. Ata ishin në vitin e pestë, kurse ne një grup prej 40 vetësh vinim në vitin e parë, në fakultete e institute të ndryshme.
Në vitin e dytë të filozofisë gjetëm Servet Pëllumbin, Vasilikën, Ksanthipin, Elvira Gjonin, motrën e Dhimitër Gjonit nga Durrësi, dhe Valin e vockël, e cila u martua me rumunin Mirçe. Në kurs kisha dhe Naum Guxhon, që u martua me Ksanthipin dhe Vasil Becin, që i thërrisnin “Raxh Kapuri”. Elvira u martua me rusin Sergei dhe Vasilika me Stavrin, që erdhi një vit më vonë, por në moshë më i rritur se ne. Në vitin e dytë, por për Psikologji studionte Selaudin Çarçani, vëllai i Siri Çarçanit. Njeri i zgjuar, i edukuar dhe shumë korrekt. Ne ishim 40 të rinj që vinim nga Shqipëria dhe do të banonim në këtë godinë. Selua nuk e duronte dot zhurmën tonë dhe të folurin me zë të lartë. Dukej që ishte mërzitur nga kjo dhe e shprehte duke na thënë: Djema na turpëruat, dukemi njerëz të paedukatë”. Këto këshilla të drejta ne nuk na pëlqenin, sepse nuk mund të dilnim menjëherë jashtë natyrës sonë. Kuptohej do të duhej kohë për këtë. Serveti ishte më i qetë. I kujdesshëm dhe i duruar.  Kur nuk na e priste mendja, krejt papritur na doli një mbrojtës. Ky ishte Dritëroi. Një pasdite ku jashtë binte dëborë, një grup prej nesh ishte mbledhur në holl të konviktit. Ishte një ditë e caktuar, kur vinte berberi, një plak çifut, i cili nuk bezdisej nga zhurma jonë. Përkundrazi , siç thoshte vetë, “i behej puna më e lehtë”.

Dritëroit i vjedhin dorashkat

Në kulmin e shakarave që bënin aty, Selua krejt i vrenjtur, ngriti zërin e tha: “Ç’bëni o derëzinj, uleni pak zërin…”. Kur në derë brofi Dritëroi. Ai thirri me zë të lartë: t’ëmën e s’ëmës hajdutët e m….”
Në u çuditëm si nga e bërtitura dhe nga zëri i lartë i Dritëroit, sidomos nga të sharat e tij. Aty mes nesh kishim njërin gjirokastrit, që vinte për studime që nga KQ e Partisë. Atë na e kishin caktuar si kujdestar të përzgjedhur. Ai ishte i vëmendshëm ndaj sjelljeve tona “të pahijshme” me të bashkohej edhe një shoku i tij, i cili na bezdiste në sallën e leximit me gëlbazat që i kishte pa kursim. Që të dy ia punuan një shokut tim Vasilit, të cilin për fat të keq, e kthyen në Tiranë. S’thonë kot se “me të ligjtë të pjell”. Ne as që na shkonte mendja që përballë formulimeve bajate të bënim diçka për ta shpëtuar.
Nejse, gjirokastriti iu drejtua Dritëroit:
-Si i shan ti në këtë mënyrë udhëheqësit sovjetikë?!
-Ik more se je i ri! -i përgjigjet Ditëroi.
Për dreq aty ndodhej edhe Selua. Ky vërtetë që ishte kundër të folurës me zë të lartë, por ama nuk ishte dakort me të “ngarkuarin” për ne, fakt që e kishin vënë re të gjithë. Aty Dritëroi si për inat “të ngarkuarit” për ne shtoi:
-Pse si mendoni se këtu njerëzit janë engjëj?! Edhe këtu ka kriminelë, banditë, hajdutë, ja si këta që më kanë vjedhur dorashkat.
Dorashkat Dritëroi i kishte blerë në Varna të Bullgarisë. Një pjesë e studentëve tanë kur ndalonin në Varna, blinin dorashka lëkure, sepse ishin të ngrohta. Kishte raste që ato i këmbenin me ndonjë orë “Pobjeda”.
-Lërini djemtë të lirë, -vazhdoi Dritëroi.
Mua kjo më bëri përshtypje dhe sesi m’u kujtua Çerçiz Topulli kur tha: “Lërini djemtë e mi të shkojnë!”.
Për çudi pas pak ditësh i “ngarkuari” erdhi në konvikt i rrahur nga disa huliganë. Ai u ankua se kishin rrahur në rrugë. Dritëroi iu kthye: “-Ç’thua more, ku rrahin sovjetikët!”

Si u njoha me Dritëro Agollin

Kjo ishte si parathënie. Më poshtë ia vlen ta tregojë sesi u njoha me Dritëro Agollin. Rasti e solli që, pas pesë vjetësh, të takohemi në redaksinë e gazetës “Zëri popullit”. Dritëroi ishte bërë gazetarë i njohur në redaksinë  kulturës, me shef Javer Malon, në atë kohë. Aty punonte aty bashkë me Jusuf Alibalin. Që të dy qenë njerëz dashamirë. Më deshën dhe i desha. I respektoja shumë.
Javeri njeri me kulturë të gjerë, shumë i sjellshëm dhe luajal shembullor. Për herë të fundit e takova në Paris, në kohën kur po kthehesha nga vizita në Kinë. Më priti shumë mirë. U mundua që në kohën e shkurtër që kisha në dispozicion, të më njihte sa më shumë me Parisin, të cilin e njihte së tepërmi bashkë me kulturën e civilizimin e tij.
Më dërgoi në Luver, në Roterdam, etj. I kërkova vetë të më dërgonte në Versajën e famshme, që kisha lexuar e mësuar në lëndën e Historisë . Atje krahasova Versajën me Petergofin e Lenigradit. Janë si dy pika uji që ngjasojnë. Ndryshimi qëndronte në atë që ndërsa Vesaja ishte disi e thatë dhe e braktisur, Petergrofi i Ekaterinës ishte i derdhur në ar e argjend, me shatërvanë dhe gjelbërim të përhershëm.
Fundit të jetës nuk i dihet. Javer Malo ky burrë i mençur dhe me kulturë, në fund humbi dëgjimin dhe të folurën. I vetmi njeri që kuvendonte me të më lirshëm ishte kosovarja Vera, e shoqja, një grua burrneshë, e mençur dhe kujdesshme si ajo.
Javeri më la si kujtim dy libra me vlera për diplomacinë, kulturën dhe artin.

Vitet ’60 në “Zërin e Popullit”

Mund ta kem gabim, por mendoj se puna dhe jeta e gazetarëve dhe e shoferëve ngjasojnë shumë. Që të dyja palët bëjnë jetë kolektive, shumë solidare, pa qibër. Edhe dinamikën e jetës e kanë njëlloj ashtu siç kanë edhe jetëgjatësinë e përafërt. Në vite ‘60 në “Zërin e Popullit” bënin një jetë të këndshme. Disa kishin shtëpi, disa jo, jetonin në hotele. Nga këta të fundit për një vit isha dhe unë. Jetoja familjarisht sa në një hotel në tjetrin. I ndërroja hotelet jo se kisha qejf, por se rregulli ishte që nuk mund të jetoje familjarisht në një hotel më shumë se dhjetë ditë. Kjo ka bërë që t’i marr hotelet me radhë, duke filluar nga hotel “Peshku” e “Vjosa”, në “Internacional”, “Pensioni”, etj. Në “Internacional” banoja në një papafingo, e cila të nxirrte në tarracë. Këtu ndenja më gjatë, sepse më ndihmoi i ndjeri, babai i Gaqo Bushakës, i cili aso kohe ishte dezhurn nate në holl. Në disa nga hotelet sidomos në atë “Tirana” e “Peshku”, në rrugën  e Dibrës e të barrikadave, armiqtë kryesorë ishin çimkat. Prej tyre përjetoje një tmerr të vërtetë aq më tepër kur unë frikën më të madhe e kam nga tri gjallesa çimkat, mushkonjat dhe gjarpërinjtë. Në redaksinë e “Zërit të Popullit” pas Çlirimit mbahen mend katër kryeredaktorë; Fadili, Sadiku, Dashnori (Mamaqi) e Todi (Lubonja). Gazetarët rrufjanë me në krye Dritëroin, Vangjush Gambetën, një nga gazetarët më të zotë dhe Arqilenë, atyre u kishin vënë epitete. Dy kryeredaktorët e parë që nuk i arrita, nuk i njihja. Ndërsa për Dashnorin dhe Todin hyra në valle edhe unë si më i riu. Të kuptohemi epitete ishin gjithnjë me sens dashamirës dhe humori. I përmendim: Sadik “Diktatori”, si kërkues, një karakteristikë jashtë natyrës së gazetarit. Fadil “Kryeredaktori” si zotërues i profesionit të gazetarisë. Dashnor “Liberali”, i leshuzr në kërkesën e llogarisë. Todi “Reformatori”, si kërkues për futjen e të rejave në gazetë. Lexuesi të më falë ndoshta nuk ka asnjë interes për të, por unë e kam merak të tregojë disa episode, kur sidomos Dritëroi është brenda. Them është brenda se disa prej këtyre episodeve i kam dëgjuar prej tij dhe se ai është dakord me atë që jeta në gazetë ku unë punova për 17 vjet nga redaktor i sektorit ideologjik, zëvendëskryeredaktor dhe kryeredaktor, është jeta më e bukur, jo vetëm se ishim në moshën 25-30 vjeçare, por siç thashë më sipër është jetë intensive dhe pothuajse e pavarur. Ne na dukej vetja baronë dhe bohemë në të njëjtën kohë.
Arrinim të çonim një të katërtën e rrogës në shtëpi, sepse pjesën tjetër e linim te Pandi, që shërbente në “Klubin e gazetarëve”, një rrangallë me një sallë të gjatë. Pandi i mbante me listë shpenzimet tona. Dhe kur vinte fundi i 15-ditëshit paraqiteshim tek ai, shlyenim shpenzimet dhe pastaj vinim te gratë për t’u dorëzuar atë që na kish mbetur nga rroga.
Meqë ra fjala për ish-kryeredaktorët, secili prej tyre e kishte një huq. Sipas Dritëroit, Sadiku ishte burrë serioz dhe rigoroz, i mbronte gazetarët dhe kujdesej për strehimin e vartësve. Po gazetarët si rrufjanë që ishin, edhe pse Sadikut nuk i shpëtonin gjërat, përsëri nuk u durohej pa bërë ndonjë romuze. Ja dhe një rast:
Kishte ardhur në Shqipëri Murat Bostanxhiu, sekretari i partisë komuniste të Turqisë. Ai kishte mbajtur një fjalim, ndoshta në ndonjë kongres dhe ai do të botohej në “Zërin e Popullit”. Për të qenë korrekt redaksia, sidomos për të konfirmuar përkthimin, Sadiku e dërgon shkrimin në Durrës. Për këtë ngarkon dy punonjës. I pari ishte Thimi Suli, shef i administratës, një Nastradin me humor, një lab i zgjuar Tepelene, mik i ngushtë familjar. I dyti qe Pandi Cici, kryemiku im, fotoreporteri i Zërit, që e kaloi gjithë jetën mbi motor dhe me aparat në dorë në erë dhe në shi. Në diell e borë, shumë ekzakt për fotografinë zyrtare, njëri i mirë dhe i zgjuar, shok i ngushtë i diplomatit simpatik Rako Naço.
Nisen këta për në Durrës. Po seç u bie në mendje të hanin një peshk e të pinin ca verë. Vonohen dhe duhet të jenin llogari para Sadikut për vonesën. Atëherë Pandi, si më praktiku i thotë Thimit:
-Shiko para se të shkojmë te Sadiku shkojmë në laborator, lagemi dhe i themi që u vonuam ngaqë na pengoi një shi i dendur që ra nga Durrësi gjer në Vorë. Kështu e bëmë. Pandi vë zorën ujit dhe e bën qull Thimin.
-Hajde ti tani, -i thotë Thimi Pandit- të qullos unë!
Por Pandi si rrufjan i arsyeton:
-Që të marrë seriozitet kjo punë, futu vetëm ti te Sadiku, ti je dhe shef.
E hëngri Thimi dhe u fut te kryeredaktori. Sadiku me ta parë që kullonte ujë i qau hallin.
-Ç’je bërë kështu more Thimi.
-Na zuri shiu, shoku Sadik.
-Po ai Pandi ku është?
-Në laborator shoku Sadik, i vinte zor të vinte i lagur.
Thimi e kuptoi hilenë e Pandit, prandaj me t’u kthyer në laborator iu vërsul për ta lagur. Kujtoi se ishte në banjë i hodhi ujë nga lart dhe lagu një shoqen tonë që ishte atje. Me vështirësi, por u kuptua dhe kjo shaka. Këto Dritëroi, jo vetëm i pëlqente, por edhe i tregonte me pasion.

Dashnor “Liberatori”

Ndryshe ishte Dashnori. Jo më kot e thërrisnin Dashnor Liberatori. Dashnori edhe shkruante, por me një stil të veçantë, disi hermetik, por shkurt. Arqileja dhe Dritëroi i kshin vënë edhe një nofkë tjetër Dashnorit, e quajtën “U-2”, por kjo mbeti sikur ia kishte vënë Dritëroi. Ishte koha e aeroplanit spiun amerikan “U-2”, që merrej me zbulime nga lartësi të mëdha. Atë  e zbuluan sovjetikët dhe u bë një zhurmë e madhe politike  e diplomatike. Do thoni ju po ç’ka të bëjë “U-2” me Dashnorin. Ka si s’ka të bëjë se Dashnori kishte blerë një palë këpucë verore që nuk bënin zhurmë. Ai e kishte zakon që për të parë se ç’bënin gazetarët hynte shpesh befas në zyra. Shpesh i kapte gafil. Këtë e kishim merak të gjithë në mënyrë të veçantë Dritëroi dhe Arqilea. Madje atyre  vinte inat se nuk e diktonin dot. Atëherë iu vu nofka “U-2”.
Një ditë Dashnori merr vesh se Dritëroi ishte çakërqejf. Ishte paradite e thërret në zyrë. Hyn Dritëroi, por qëndroi larg, ndenji afër derës.
-Afroju e urdhëron Dashnori.
-Po ju dëgjoj, përgjigjet që atje te dera Dritëroi.
Atëherë Dashnori u ngrit nga karrigia dhe filloi që t’i afrohej për t’i ndjerë erën e alkoolit. Dritëroi e kuptoi dhe filloi të tërhiqej mbrapsht. Mbërriti një moment  se nuk kishte ku të shkonte më, sepse shpina iu përplas te dera.
-Tani, po më kape!- i thotë Dritëroi, merrmë erë, fuuu.
Të dy qeshën me të madhe.

“Todi Reformatori”

Tjetër tip ishte Todi, ai vinte nga posti i sekretarit të parë të KQ rinisë. Vinte si thoshim aso kohe me hov rinor. Dhe e filloi punën me reforma, ndërroi fytyrën e gazetës, tipin e shkronjave faqosjen, por vetëm tre numra dolën të tillë, me sa duket kjo reformë nuk u pëlqye nga lart dhe u ndërhy që gazeta të kthehej në gjendjen e mëparshme. Drejtimi i dytë i reformës së Todit ishte struktura e redaksisë. Nga seksionet e ngushta u bënë dy sektorë: ai ideologjik-kulturor dhe ai ekonomik. Shkrimet e korrespodentëve nëpër rrethe do të kalonin sipas sektorëve. Ky organizim shkurtoi vendet e disa shefave, mbeti kryeredaktor Todi Lubonja dhe Sekretari i kolegjiumit Sofokli Lazri. Ish shefat mbetën redaktorë.
Të tillë ishin Javer Malo, Stefi Kotmilo, Faik Labinoti, Thona Naqe, Jusuf Alibali. Kjo lëvizje  qarkullim konsiderohej si koha e rënies së gjeneralëve. Kolonelët ishin redaktorët: Dritëro Agolli, Vangjush Gameta, Vangjush Zallëmi, Arqile Aleksi, Niko Nikolla. Më radhisnin edhe mua si kandidat për kolonel se isha më i ri dhe me përvojë më të pakët. U quajtën kolonelë sepse me demek ashtu si në Greqi ua morën pushtetin gjeneralëve. Ishte koha kur këta kishin marrë me dhunë pushtetin dhe kishin vendosur diktaturën. Ndër vite me Dritëroin na u thellua miqësia. Filluam të venim e të vinim me shërbime në Dhërmi. Në këtë miqësi ka disa momente që nuk më hiqen nga mendja….

II
Si lindi Poema “Komunistët”
Ishte muaji tetor në prag  të kongresit 6- të Partisë. Dritëroi kishte sugjeruar që të shkruhej një poemë për komunistët dhe ta botonte në “Zëri i Popullit”. Ai e kishte gjetur titullin, por unë si zëvendëskryeredaktor po shqetësohesha, se s’po bunte gjë. Atëherë mendova se duhej larguar nga Tirana, në ndonjë rreth. Si më të përshtatshëm gjykova Gramshin.
Dhe u nismë bashkë me Dritëroin. Me ne ishin dhe Vangjush Zallëmi me Pandi Cicin. Në Gramsh takuam sekretarin e parë Mihal Dodbibën, një njeri simpatik, shumë dinamik, i cili më vonë “e hëngri”, s’di pse. I thamë se unë e Vangushi kemi ardhur të shkruajmë për Gramshin. Kurse Dritëroin do ta lëmë peng aty për të shkruar një poemë.
Menduam se zgjidhëm këtë problem. Dritëroin e çuam në Teqenë e Shënepremtes, në kufi me Skraparin, në rrëzë të Tomorit, nga ana e Gramshit. Ne të tre bashkë me Pandin, do të shkonim në anë të kundërt, në një ekonomi të përparuar për atë kohë. E sajuam fjalën sikur ne do të vonoheshim, qëllimisht që Dritëroi të punonte. Dritëroi u nis bashkë me Janin, drejtorin e Ndërmarrjes së pyjeve në Shënepremte.
Vonë në të errur arritëm edhe ne te ata. Dritëroi bashkë me drejtorin Jani Maçolli, ishin shtruar dhe hanin darkë duke pirë…  Unë fillimisht u gëzova, se mendova që Dritëroi kishte punuar dhe tani po bunte qejf. U ulëm edhe ne të tjerët. Isha kurioz të dija se çfarë kishte hedhur Dritëroi në letër, prandaj i them: “Ti shoh pak ato fletët që ke shkruar”…(Dritëroi e kalon me humor-red). Në mes të këtij humori na vjen drejtori i shkolës me një tjetër. Ata mbanin në dorë pesë lepuj të vrarë. Dy lepuj na i gatuan atë natë, tre të tjerë na i dhanë të nesërmen me vete…
Tepër vonë u shtrimë për të fjetur. Me Dritëroin ishim afër. Ishte ora katër pas mesnate kur në gjumë e sipër dëgjoj një zhurmë si të një brejtësi. Dritëroi nuk po flinte, përtypte misra dhe luftonte me fjalë për të gjetur atë më të saktën. Atë mëngjes ai shkroi disa copa letre në vargje, të cilat ia “sekuestrova unë”…
Dritëroi m’i dorëzoi copat e letrave në vargje, që kishte mundur t’i hidhte në letër, duke deklaruar:
Tani o Xhelil, poema do të mbarojë. Me këtë që po të japë, do bëhet gjysma. Dhe vërtetë u bë. Kësisoj lindi poema “Komunistët”.
Dritëroi poet dhe shkrimtar, u bë edhe gazetari më në zë në gazetën “Zëri i popullit”. Dhe ashtu siç e ndihmoi krijimtaria letrare në profesionin si gazetar, ashtu dhe gazetaria i dha jetë krijimtarisë së tij.
Si gjithë gazetarët e tjerë, edhe Dritëroi nuk kishte veturë, veçse lapsit dhe një blloku të thjeshtë që na jepet redaksia. Për të shkuar me shërbime gazetarët hipnin në karroceritë e kamionëve me një autorizim të Ministrit të Transporteve të asaj kohe, të ndjerit Milo Qirko. Udhëtonim me mushka e kuaj, ecnin kilometra të tëra në këmbë.
Ata kërcënoheshin nga sekretarë, kryetar dhe ministra, ashtu siç kërcënoheshin edhe nga letrat e njerëzve servilë ndaj përgjegjësve. Kështu Timoleo Mërtiri për shkrimin e tij “Qafa e Pazarit” të Gjirokastrës e pësoi nga letrat. Kështu i ndodhi dhe Dritëro Agollit për artikullin “Çile Mukën e kam pranë dhe kulturën përkarshi”. E theksoj Dritëro Agolli ishte gazetari më në zë në “Zëri i Popullit” dhe në shkallë vendi: një gazetar realist, kritik, objektiv dhe optimist për të ardhmen… Me Dritëroin u ndamë kur ai i emërua sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.
Dhe jo vetëm më Dritëro Agollin, por u ndamë me të gjithë kolonelët. U nis kjo punë me Arqilenë, i cili u emërua kryeredaktor i gazetës ‘Bashkimi’. Vazhdoi me të ndjerin Vangjush Zallëmi, i cili u emërua drejtor i Kinostudios, me Niko Nikollën që shkoi kryeredaktor i revistës “Hosteni”. Me Pandi Cicin që vajti shef i Laboratori Fotografik të ATSH-së sepse fotografia zyrtare u përqendrua atje. Me Vaskën në Radio, shef, e kështu em radhë. Unë dhe Vangjush Gameta mbetëm zëvendëskryeredaktorë. Mbeti në gazetë sa doli në pension i zgjuari dhe më pas i sëmuri, i ndjeri Qako Dango.  Vendet e tyre filluan t’i zënë majorët, me të cilët isha marrë vetë. Kështu erdhën Xhevair Spahiu e Spiro Dede, Pavllo Gjidede e Irfan Bregu. Thimi Nika e Arshin Xhezo. Fatmir Kumbaro, Vladimir Prela, Mitro Çela, e Ibrahim Baçi. Astrit Nuri, etj.

Please follow and like us: