Albspirit

Media/News/Publishing

Aktorja e preferuar e Hitlerit, spiune e sovjetikëve

 

Një nga aktoret më të famshme të pasluftës në Gjermani, Marika Rökk, ka qenë spiune sovjetike, sipas dokumenteve të deklasifikuara rishtazi nga Shërbimi Federal i Inteligjencës në Gjermani.

Gazeta gjermane “Bild” ka publikuar fragmente të këtij dokumentacioni, shkruan Dita.

Sipas këtyre raporteve, Marika Rökk punonte në një rrjet agjentësh të njohur si Krona, rrjet i cili ishte përgjegjës për t’u transmetuar autoriteteve sovjetike informacion të rëndësisë së lartë, duke përfshirë edhe planet për Operacionin Barbarosa dhe Betejën e Kurskut.

Besohet se ajo u punësua si agjente e KGB-së nga menaxheri i saj artistik, Heinz Hoffmeister, por roli konkret i Rökk, dhe veçanërisht informacioni që mund t’i ketë kaluar Moskës është i paqartë.

Vlerësohet se edhe burri i saj, regjisori Georg Jacoby, ishte rekrutuar për shërbimet sovjetike. Organizata kryesohej nga spiuni i famshëm sovjetik Yan Chernyak, i cili kishte pseudonimin “njeriu pa hije”, për shkak të aftësive të tij për të lëvizur pa u vënë re.

Marika Rökk lindi në Kajro në vitin 1913, në një familje hungareze dhe kaloi fëmijërinë e saj në Budapest. Karriera e saj artistike filloi në vitin 1930.

Në vitin 1935, luajti në filmin e saj të parë, “Leichte Kavallerie”.

Që atëherë karriera e saj ishte gjithnjë në rritje dhe u bë një nga artistet më të famshme të Kinemasë dhe një nga aktoret e preferuara të Adolf Hitlerit.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Rökk iu ndalua të punonte në kinema për dy vjet për shkak të lidhjeve të saj të ngushta me regjimin nazist. Ajo vdiq në vitin 2004 në moshën 90 vjeçare në Baden bei Wien, Austri.

Please follow and like us: