Albspirit

Media/News/Publishing

Helena Kadare: “Kohë e pamjaftueshme”, një aventurë e gjatë

 

Zonja Helena, ju keni shkruar një libër të gjatë, për pothuaj gjithë jetën tuaj. Duket sikur keni thënë sekretet tuaja. Si mund të ndiheni tani, pasi keni rrëfyer të gjithë jetën tuaj?

Ky libër, sikurse e thatë dhe ju, është fryt i një pune të gjatë 15-vjeçare, jo vetëm për jetën time, për jetën bashkëshortore të një çifti, që në këtë rast është jeta  ime, por në përgjithësi e të gjithë asaj epoke dyzetvjeçare, një  kronikë, si të thuash, e gjithë jetës kulturore shqiptare e më tej, një jetë brenda së cilës shtjella e fatit më ka hedhur ta përjetoj nga afër, me të gjitha ngjyrat e saj. Qyshse gjimnaziste kam pasur zakonin (në këtë rast fatlum), të mbaja ditare për gjithçka më ndodhte në jetën time. E kam vazhduar me vite këtë  zakon. Në  çantën time të dorës ka pasur përherë blloqe të vogla, me gjithfarë shënimesh, nga vrojtimi plot kureshtje për ngjarje  të mëdha apo të vogla që ndodhnin përreth meje, apo krejt jashtë  meje, mbresa të udhëtimeve, ide të shkëputura, opinione për botën në përgjithësi dhe për individë në veçanti. Të gjitha këto u bënë më pas një minierë e paçmuar për atë çka do të vinte më pas, konkretisht për këtë libër që doli tani vonë në dritë. Pa këto shënime, që për hir të së vërtetës ishin të pasistemuara, mendoj se nuk do të isha në gjendje të orientohesha dot. Më duhet të shtoj këtu  një element tjetër tepër të  rëndësishëm  –  arkivin  e familjes  –  dosjet dhe shënimet e Ismailit, gjatë punës së tij krijuese. Të gjitha këto që përmenda, të marra së bashku, duke shtuar edhe përkushtimin dhe pasionin  tim për to, besoj se bënë të mundur që ky libër të marrë atë shtat dhe atë formë me të cilën u shkon lexuesve sot. Ju më pyesni sesi ndihem tani. T’ju them të drej-tën e kam të vështirë t’ju jap një përgjigje të  kënaqshme, sepse koha e ndarjes me librin është tepër e shkurtër. Përfytyroni: gati 15 vjet që pothuajse zgjohesha çdo ditë me idenë e tij në kokë, e paduruar që të mbaroja punët e përditshme rutinore e të mbetesha vetëm me të. Mund t’ju them pa e tepruar aspak se, sa kohë që merresha me të ndihesha e plotësuar, plot gjallëri dhe e mbushur me ndjesi tejet  pozitive. Tani që kjo punë u krye, nuk di sesi do të organizohen ditët e mia pa të.

Si jeni veshur ju, znj. Helena? Keni pasur një model femëror, apo rrymë të cilës i jeni përshtatur në mënyrat tuaja femërore?

I kam dhënë rëndësi veshjes, aq sa ishte e mundur në atë kohë. Kam parasysh periudhën e komunizmit, kur diheshin fort mirë kushtet. Më pas, kur filluam të jetojmë në Paris, gjithçka ka qenë ndryshe dhe natyrisht shumë më e lehtë.

Ju keni 2 vajza. I keni edukuar ato me këtë frymë mbështetëse dhe tolerante ndaj bashkëshortëve? Po Z. Kadare, ç’qëndrim do të kishte në pozicionin e babait, në këtë rast, sipas jush?

Marrëdhëniet bashkëshortore janë çështje vetjake e çdo njeriu, sikurse edhe për vajzat e mia. Ngaqë nga natyra e kam të lehtë komunikimin, jam përpjekur të jem sa më pranë tyre dhe ta bëj të dukshme këtë prani kur e ndiej se ato e kërkojnë vetë këtë. Kur ky moment vjen natyrshëm, mund t’ju them se bën pjesë në çastet më të bukura të jetës sime. Për sa i përket Ismailit, përgjithësisht ai është një natyrë jo ndërhyrëse, sidomos për gjëra të tilla.

Siç rezulton, ju keni qenë një mbështetje e fortë për shkrimtarin Ismail Kadare, në veprën e qetësinë për të krijuar veprën e tij të madhe letrare dhe ndikimin në çështjen shqiptare…

Është e vërtetë, kam qenë pranë tij në të gjitha momentet e jetës, të gëzueshme, apo të hidhura, duke përfshirë këtu edhe çështjet kombëtare. Vetë fakti që unë isha e prirur nga letërsia, që e doja atë dhe që kisha shkruar ndërkaq edhe vetë, e bënte të natyrshme këtë ndërsjellje. Veçanërisht njëzet vitet e fundit, kur puna e tij krijuese u krye në Francë, domosdo do të merresha edhe me kompjuterizimin e kësaj vepre, ngaqë Ismaili, në mënyrë këmbën-gulëse ka vazhduar të shkruajë vetëm me dorë.

Personazhet reale nga jeta, tashmë janë personazhe të një vepre tuajës. Në ç’raport e shihni tanimë veten me “ta” dhe ata me ju?

Këto personazhe që ju gjeni në libër nuk janë fiktivë, pra të krijuar prej meje. Si në të gjitha kujtimet, si personazhet, ashtu edhe situatat e përshkruara në to janë detyrimisht reale. Deri para pak ditësh, ata nuk e dinin që bënin pjesë në këtë libër. Pas leximit të tij, unë gjithashtu do të isha kureshtare të dija reagimet e tyre. Ndërkaq, në telefonin tim të dorës kanë nisur e vijnë përshtypjet e para të këtij leximi, që është befasues për ta. Dhe jashtëzakonisht prekëse emocionalisht për mua. Kam bindjen se raportet e mia pas kësaj, me këtë “lloj lexuesi” do të mbeten ato që kanë qenë. S’ka asnjë arsye që të ndryshojnë.

Do të shkruani ende?

Të shkruarit nuk është një veprimtari, apo ndonjë punë e detyruar. Është diçka që bëhet me dëshirë, me pasion, disa herë me emocione më të forta sesa do të duhej. Të gjitha këto ndjesi kanë aftësinë të të mbajnë në një gjendje të veçantë, të elektrizuar, do të thosha, gjendje kjo që, me sa duket, është e nevo-jshme. Ndaj, tani për tani e kam të vështirë që pas një aventure kaq të gjatë, siç do ta quaja shkruarjen e këtij libri, të them se ç’do të bëj më pas. Por, në qoftë se do të arrijnë të mbështillen të njëjtët komponentë që përmenda më lart, pse jo, jam gati të filloj diçka të re.

Keni një mendim se ç’duhet bërë që shoqëria shqiptare të emancipohet lidhur me qasjen maskiliste, që jo pak herë e ndeshim kudo?

Unë kam besim se shoqëria shqiptare do të shkojë drejt emancipimit. Nuk është vetëm shoqëria shqiptare që e ka këtë problem. Nga sa lexoj dhe shoh, një pjesë e Evropës, jep e merr me të. Është një nga zhvillimet më të ngadalta të njerëzimit, ndaj s’duhet të jemi pesimistë. Ja për shembull: as që mund të mendohej vite më parë, që një grua shqiptare të fliste lirisht për gjëra që po flasim bashkë. As ju s’mund të më bënit mua pyetje të tilla e as unë s’mund t’ju përgjigjesha dot si tani.

Përse e mbyllni librin tuaj me mendimin e “zhbiruesit të kopshtit” për ju, si “demon”, “nën pushtetin e demonit”?

Ndoshta, ngaqë më mbetën në mend fjalët e këtij tipi kur i dëgjova, m’u dukën të çuditshme, të pazbërthyeshme…Dhe për këtë arsye i pashë të përshtatshme për mbylljen e një libri.

 

Intervistoi: Klodi Meshi, dhjetor 2011

 

 

 

 

Please follow and like us: