Rasti skandaloz kur Churkin provoi ta paraqiste Kosovën si vend të terrorit
Vitaly Churkin nuk jeton më. Ambasadori i zhurmshëm i Rusisë në OKB, ka vdekur në New York të hënën, vetëm një ditë para se të festonte ditëlindjen e tij të 65-të.
Ministria e Jashtme ruse e dha njoftimin për vdekjen, por nuk tregoi shkaqet e saj. Churkin shërbente si ambasador i Rusisë në OKB që prej vitit 2006 dhe njihej si mbrojtës i pasionuar i politikave të Vladimir Putinit, raporton KTV.
Ky i fundit tha se ishte i pikëlluar me vdekjen e diplomatit që e çmonte shumë. Edhe Ministria e Jashtme tha se bëhej fjalë për një diplomat të jashtëzakonshëm.
Televizioni shtetëror rus, Rossiya24 e lavdëroi për vënien në shok të kundërshtarëve të rij, duke i lënë pa tekst.
Këtë në fakt, në mënyrë skandaloze Churkin provoi ta bëjë me ministrin e jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, para disa vitesh.
Teksa Hoxhaj po u përgjigjej gazetarëve në ndërtesën e OKB-së, Churkin iu afrua dhe i tha se nuk mund ta bënte një gjë të tillë pasi që Kosova nuk ishte pjesë e OKB-së. Hoxhaj nuk e mori parasysh dhe përfundoi konferencën, gjë që nuk i pëlqeu aspak Churkinit.
Diplomati i karrierës nuk la mundësi pa shfrytëzuar për ta paraqitur Kosovën si vend të errët, por pjesë të Serbisë.
“Kosova është qendër e trajnimit të terroristëve të ISIS-it”, tha në një rast.
“Çfarë po bën Kosova në samitin anti-terror”, murmuriti në një rast tjetër.
Ai ishte personalisht në Kosovë në vitin 2007, si pjesë e misionit të ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit për të monitoruar situatën në terren para propozimit të Ahtisaarit për pavarësinë.
Para se të studionte për Marrëdhënie ndërkombëtare në rininë e hershme, ai luajti në dy filma për Vladimir Leninin.