Edhe pas 20 vjetësh, mençuria e Deng Xiaoping vazhdon t’i sjellë përfitime Kinës
Fundjavën e kaluar Kina kujtoi 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të udhëheqësit Deng Xiaoping.
Siç raporton dhe korrespodenti i CRI-së Min Rui, Kina vazhdon të përfitojë nga mençuria dhe trashëgimia politika e udhëheqësit të shquar.
Si e para Zonë e Posaçme Ekonomike e Kinës, Shenzhen-i u transformua nga një fshat peshkatarësh në një portë të Kinës për botën, falë reformës dhe hapjes të ideuar nga Deng Xiaoping-u.
Ai është quajtur si “arkitekti i reformës dhe i hapjes së Kinës” pasi drejtoi fillimin e transformimit modern të vendit në fund të viteve 1970.
Victor Gao, studiues dhe komentator politik, si dhe përkthyes i Deng Xiaoping-ut, thotë se ndikimi i tij ishte i thellë.
“Deng Xiaoping e shpëtoi kombin kinez në fund të viteve 1970, në gjykimin tim ai i solli përfitime kombit kinez. Ai skicoi udhërrëfyesin e reformave dhe të hapjes ndaj botës, ndaj dhe sot mendoj se Kina vijon të qëndrojë nën hijen e mençurisë së tij. Pa Deng Xiaoping-un, në fund të viteve 1970, Kina nuk do të mund të dilte nga kutia ideologjike në të cilën ishte mbyllur.”
Deng njihet edhe si zemra e brezit të dytë të udhëheqësve të Partisë Komuniste të Kinës.
Gjatë qeverisjes së tij, masat e marrë e bënë atë të respektuar në të gjithë vendin. Studiuesi Victor Gao thotë se duke hartuar reforma pragmatike, Deng soli zgjidhje unike dhe novatore.
“Ai kishte mënyrën e tij të veçantë të qasjes ndaj sfidave, pra, dua të them se ai kishte një qasje unike dhe novatore për zgjidhjen e problemeve dhe shmangur bllokimin në një situatë të caktuar. Ne të gjithë e kujtojmë shprehjen e tij të famshme: Nuk ka rëndësi nëse macja është e zezë apo e bardhë, rëndësi ka që ajo ta kapë miun.”
Në qershor të vitit 1984, Deng Xiaoping formuloi konceptin “një vend, dy sisteme”, që më vonë lehtësoi arritjen e një marrëveshje për zgjidhjen paqësore të çështjes së Hong Kong-ut.
Sipas këtij koncepti, Kina u detyrua të mos ndryshojë statusin ekonomik të Hong Kong-ut pas marrjes së sovranitetit të tij më 1 korrik 1997.
Victor Gao thotë se tani, kjo politikë mbetet e rëndësishme për të zgjidhjen e çështjes së Tajvanit.
“Pavarësisht sfidave të shumta të mëdha në gjendjen politike të Hong Kong-ut, mendoj se populli në Hong Kong si dhe ai në pjesën kontinentale njeh plotësisht vështirësinë dhe vërtetësinë e filozofisë ‘një vend, dy sisteme. Praktikisht, ky koncept i madh novator mund të zbatohet edhe për zgjidhjen e çështjes së Tajvanit dhe bashkimin e atdheut.”
Dituria e tij largpamëse politike solli stabilitet dhe prosperitet për Hong Kong-un. Planet e tij të modernizimit e kanë bërë Kinën ekonominë e dytë më të madhe të botës.
Këto shihen si gurët kryesorë të themeleve të kombit kinez.