Ish-presidenti, thirrje Trump: Duhet të ndalosh luftën në Ukrainë
Ish-presidenti ukrainas, Viktor Janukoviç, i mërguar në Rusi, i kërkoi presidentit amerikan, Donald Trump të reagonte për të ndalur luftën në lindje të Ukrainës, shkaktuar sipas tij si pasojë e akteve të papërgjegjshme të administratës Obama.
“I kam shkruar presidentit Trump për t’i thënë se kjo luftë duhet të ndalet”, njoftoi Janukoviç në një konferencë shtypi.
Publikuar sot, në letrën e tij, Janukoviç i kërkon drejtuesit amerikan të marrë masa urgjente për t’i dhënë fund armiqësive në lindje të Ukrainës ku një konflikt i armatosur mes pushtetit properëndimor dhe rebelëve prorusë ka shkaktuar më shumë se 10 000 të vdekur që prej marsit të vitit 2014.
“Ju kërkoj të reagoni për të mbrojtur të drejtat e njeriut në Ukrainë, për të vendosur aty demokracinë dhe mbizotërimin e ligjit”, shkruan Viktor Janukoviç, i cili u arratis në Rusi pas u shkarkua nga Parlamenti në shkurt të vitit 2014 pas një lëvizjeje popullore.