Albspirit

Media/News/Publishing

NATO: Rusia ndërhyn në Ballkan. Nuk qëndrojmë indiferentë

Ballkani Perëndimor ka për NATO-n një rëndësi strategjike. Përgjegjësi i rajonit në divizionin e aleancës të fokusuar te çështjet politike dhe strategjia e sigurisë, Laurie Walker e pohoi në një intervistë për “Deutsche Welle”-n se, rritja e influencës ruse nuk e ka lënë NATO-n indiferente.

“Jemi tejet të angazhuar që vendet e rajonit të jenë të afta t’i marrin vendimet e tyre pa presione, ndaj dhe na shqetëson shtimi i propagandës dhe dezinformimit që shohim nga pala ruse”, thote Walker. “Nuk është se do të hyjmë në garë propagandistike me Rusinë, por faktet flasin vet”, shton ai.

Zyrtari kujton megjithatë se, ndonjëherë ekzagjerohet me çështjen e ndikimit rus. Për të ilustruar këtë pretendim sjell rastin e Serbisë, statistikat tregtare të së cilës me Rusinë shkojnë në 8%, ndërsa ato me BE-në mbërrijnë nivelin 60%.

Më tej shpjegon sesi e sheh aleanca ushtarake, strategjinë e sigurisë për Ballkanin Perëndimor.

“Gjëja e parë që bën NATO është të shtojë sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe në veçanti, me angazhimin e praninë e KFOR-it në Kosovë. Por ne punojmë me të gjitha vendet në partneritet edhe për reforma, duke i ndihmuar ato të ndërtojnë kapacitetet e tyre dhe të forcojnë integrimin e bashkëpunimin me njëri-tjetrin”, tha Laurie Walker.

E rëndësishme për Walker është të ruhet qetësia. “Muri në Mitrovicë u prish, – kujton ai, – ndërsa sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg bisedoi me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç, gjatë forumit në Davos për incidentin me trenin, e më pas patëm edhe një takim tjetër në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, të cilin e mbështesim fort”.

“Mesazhi ynë, – vazhdon zyrtari, – është të hedhim vështrimin më larg dhe të mbetemi të qetë. Rritja e retorikës nacionaliste nuk është në interesin e askujt”.

Please follow and like us: