Albspirit

Media/News/Publishing

Basha pret sërish studentët: Do rihapim filialet e universiteteve

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bashkëbiseduar pasditen e së enjtes, në atë që opozita e identifikon si “Sheshi i Lirisë”, me studentë nga universitetet publike të gjithë Shqipërisë.

Basha iu përgjigj shqetësimeve të studentëve. Sipas tij, sistemi i kësaj qeverie i ka shtyrë të rinjtë drejt rrugës së emigrimit, duke larguar kështu asetin më të vlefshëm që ka vendi ynë sot: rininë shqiptare.

“Ilaçi për demokracinë janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ky është ilaçi për demokracinë që e kthen pushtetin dhe vendimmarrjen tek ju, rinia dhe çdo shqiptar që kërkon të jetojë me djersën e ballit. Ne jemi gati të marrim përsipër përgjegjësitë që na takojnë për rininë, për studentët”, deklaroi Basha.

Ai u përsëriti të rinjve premtimet e tij për arsimin. “Qindra-mijëra studentë janë goditur sot për shkak të tarifave të larta të studimit, janë goditur sot për shkak të mbylljes së filialeve. Unë dua t’u them se filialet e universiteteve publike që janë goditur nga kjo qeveri anti-arsim, nga kjo qeveri anti-kulturë, nga kjo qeveri anti-studentore do të rihapen dhe do të financohen plotësisht me fondet e taksapaguesve shqiptarë. Këto fonde nuk do të përfundojnë më në xhepat e klientëve të qeverisë, por do të financojnë arsimimin e fëmijëve shqiptarë në universitetet publike me tarifa të ulura, me tarifa të përballueshme dhe me filiale sa më pranë tyre”, tha Basha.

Planin e ndihmës ndaj rinisë studentore, kreu i demokratëve e çoi përtej sistemit të arsimit të lartë.

“Stazhet janë një koncept europian. Unë i kam përjetuar gjatë kohës që studioja në Europën Perëndimore, kam parë sesi i ndihmojnë studentët si një urë nga shkolla drejt tregut të punës. 70% e studentëve shqiptarë që kanë pasur mundësi të sigurojnë një stazh pune kanë siguruar një vend pune. Ndaj nuk është shpikje, nuk është propagandë, nuk është ofertë partiake. Është oferta për të gjithë studentët shqiptarë dhe nesër do të jetë realitet. 10 mijë studentë shqiptarë në bazë të meritës së tyre do të kenë nga shteti shqiptar mbështetje financiare për një vit”, tha Basha.

Please follow and like us: