Gjashtë fëmijët mbretër që ndryshuan kursin e historisë
Evan Andrews
History.com
Ishin shumë të vegjël, por për arsye prejardhje, por edhe shkaqesh të tjera ishin në fron duke drejtuar kombet e tyre. Disa nga këta fëmijë u bënë të suksesshëm në drejtimin e vende të tyre, ndërsa të tjerë patën fate tragjike. Shembuj të mbretërve të rinj kemi pasur me shumicë në çdo kulturë dhe qytetërim. Por ndërsa shumica e tyre ishin thjesht në atë pozicion e të tjerë drejtonin, këta gjashtë mbretër të rinj drejtuan vetë perandori, bënë ligje të fuqishme dhe madhe edhe luftuan para se të mbushin 18 vjeç. Lexoni historitë e gjashtë fëmijëve mbretër, aksionet e të cilëve ndryshuan kursin e historisë.
1. Ptolemy XIII Theos Philopator
Sundimtari i 13 i dinastisë Ptolemaike të Egjiptit, Ptolemy XIII u “ndesh” me disa prej figurave më në zë të historisë gjatë jetës së tij të shkurtër. Faraoni i ri erdhi fillimisht në pushtet në vitin 51 p.e.s. në moshën 11 apo 12 vjeç. Shumë shpejt e gjeti veten të lënë në hije nga motra e tij e famshme, Kleopatra, me të cilën ishte martuar në përputhje me zakonet e lashtë egjiptianë. Xheloz për famën e saj, në vitin 48 p.e.s. Ptolemy ndezi një luftë civile, pasi komplotoi me anëtarë me influencë të oborrit dhe dëboi Kleopatrën nga Egjipti. Ptolemy bëri aleancë edhe me liderin romak, Pompei, i cili atëherë ishte në luftë me Jul Cezarin. Kur Pompei u mund dhe mbërriti në Egjipt në kërkim të strehimit, faraoni adoleshent urdhëroi vrasjen e tij në një përpjekje për t’i lënë përshtypje Cezarit dhe për t’u afruar me Romën. Plani rezultoi i pasukseshëm, dhe pasi mbërriti në Egjipt Cezari urdhëroi djaloshin sundimtar që të ripajtohej me të motrën. Ptolemy XIII më pas udhëhoqi një ushtri egjiptiane kundër romakëve, por Cezari i mposhti forcat e tij në një betejë që solli më pas edhe djegien e Librarisë së famshme të Aleksandrisë. Besohet që sundimtari adoleshent u mbyt në lumin Nil në përpjekje për t’u larguar nga fushëbeteja.
2. Fulin, perandori Shunzhi
Perandori i tretë i Dinastisë Qing të Kinës, 5-vjeçari Fulin (i njohur si Perandori Shunzhi) u ngjit në pushtet në vitin 1643, pas vdekjes së babait të tij. Për arsye se ishte aq i vogël, për vitet e ardhshëm Kina u sundua nën kujdesin e xhaxhait të tij, Dorgon. Pas vdekjes së Dorgonit në vitin 1650, 12-vjeçari Shunzhi mori frenat e perandorisë. Pasi i druhej luftës për pushtet nga armiqtë e tij politikë, ai shumë shpejt bëri një aleancë me eunukë me ndikim në oborrin e tij dhe bëri përpjekje të luftonte korrupsionin dhe konsolidonte perandorinë nën sundimin e Qing. Perandori Shunzhin mbahet mend sot si një udhëheqës shumë mendjehapur. Ai i kushtoi një pjesë të madhe kohe studimit të shkencës dhe astronomisë dhe ishte gjithashtu tolerant ndaj besimeve të ndryshëm fetarë. Rreth vitit 1652 ai mbajti një recepsion në Peking për Dalai Lamën e Pestë, por gjithashtu konsultohej vazdimisht me një misionar jezuit austriak i quajtur Johann Adam Schall von Bell. Ndërkohë që nuk u bë asnjëherë katolik, perandori e konsideronte Schall një prej këshilltarëve të tij më të ngushtë dhe madje e thërriste “gjyshi”. Shunzhi vdiq prej lisë në 1661 në moshën 22 vjeç. Djali i tij, Perandori Kangxi do të sundonte më pas për 60 vjet.
3. Elagabalus
Perandori romak Elagabalus mund të ketë marrë pushtetin në moshën 15 vjeç, por mbretërimi i tij 4-vjeçar nuk ishte aspak i pafajshëm. I lindur në Siri, Elagabalus mori kontrollin e Romës në 218 pasi nëna dhe gjyshja e tij nxitën një revoltë duke pretenduar se ai ishte djali i paligjshëm i perandorit të vrarë Caracalla. Sundimtari i ri në moshë nuk harxhoi shumë kohë dhe shkaktoi shumë përplasje. Që përpara se të mbërrinte në kryeqytet ai vendosi perëndinë siriane të Diellit Elagabal – kultin e të cilit e udhëhiqte si kryeprift – si perëndinë kryesor të Romës. Më pas, ai tronditi publikun me teprimet e tij seksuale, që përfshinin prostitucionin, si dhe një marrëdhënie romantike me karrocierin e tij. Elagabalus urrehej dhe nga klasa politike e Romës pasi lejonte nënën e tij të hynte në korridoret e Senatit, ku duhej të kishte vetëm burra. I parë tashmë nga shumëkush në perandori si i korruptuar, Elagabalus shkaktoi edhe një tjetër skandal kur u martua me një murgeshë virgjëreshë – një klasë priftëreshash që duhej të qëndronin të paprekura – dhe shpalli se bashkimi i tyre do të sillte fëmijë si perëndi. Sjellja e tij armiqësoi Gardën Pretoriane, dhe në vitin 222 perandori 18-vjeçar u vra dhe zëvendësua me kushëririn e tij, Alexander Severus. Elagabalus u konsiderua më vonë si më dekadenti nga të gjithë liderët e Romës, por disa historianë modernë kanë argumentuar se sjellja e tij ekscentrike është ekzagjeruar me gjasë nga armiqtë e tij politikë në një përpjekje për ta diskredituar.
4. Tutankhamen
I lidhur më së shumti me zbulimin në 1922 të varrit të tij, Tutankhamen ishte një faraon egjiptian që mendohet të ketë sunduar për 10 vite në shekullin 14 p.e.s.. “Mbreti Tut” trashëgoi fronin në moshën 9 ose 10 vjeç dhe fillimisht e udhëhoqi Egjiptin nën mbikëqyrjen e këshilltarëve, për shkak të moshës së vogël. Ndërkohë që mbretërimi i tij nuk ka qenë ndonjë kohë domethënëse në historinë e Egjiptit, Tutankhamen realizoi në fakt disa ndryshime të mëdha në shoqëri. Më i rëndësishmi ishte shfuqizimi i reformave jopopullore të kryera nga babai, “mbreti heretik” Akhenaten. Duke braktisur urdhrin e Akhenaten që perëndia i diellit Aten ishte hyu i vetëm, Tutankhamen rivendosi perëndinë Amun dhe riktheu Tebën si kryeqytetin e Egjiptit. Mbreti Tut vdiq në mënyrë misterioze rreth moshës 19 vjeç, por kontributi i tij më i rëndësishëm në histori do të vinte 3200 vjet më vonë, kur egjiptologu britanik Houard Carter zbuloi vendin e tij të prehjes në Luginën e Mbretërve. Një prej varreve egjiptiane më mirë të ruajtur, ai i Tutankhamen ndihmoi për t’i dhënë formë botëkuptimit tonë modern mbi zakonet mbretërorë të Egjiptit të lashtë.
5. Mary, Mbretëresha e skocezëve
Mary Stuart – e njohur më mirë si Mary, Mbretëreshë e Skocezëve – sundoi si mbretëreshë e dy kombeve të veçantë para se të bëhej 18 vjeç. Mary u bë mbretëreshë e Skocisë pasi babai i saj vdiq vetëm 6 ditë pas lindjes së saj në 1542. Ndërkohë që ishte shumë e re për të qeverisur, pozicioni i saj e bënte mbretëreshën e vogël një figurë me shumë ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare. Me dëshirë të madhe për të bashkuar Skocinë dhe Anglinë, në 1543 mbreti Henry VIII propozoi një martesë të ardhshme mes Maryt dhe birit të tij, Eduard. Tensionet politikë mes dy vendeve çuan Parlamentin skocez që të refuzonte martesën, dhe Mary u strehua në kështjella të ndryshme kur Henry VIII pushtoi Skocinë dhe u përpoq ta realizojë martesën me forcë. Në 1548, mbretëresha 5-vjeçare u dërgua në Francë. Në moshën 16 vjeç ajo u martua me Francis II, duke sunduar për pak kohë si mbretëreshë e Francës pasi ai hipi në fron. Pas vdekjes së Francis, në 1561 Mary u rikthye në Skoci për të rimarrë detyrat si mbretëreshë. U martua dy herë në moshë të rritur, por një kryengritje e 1567 e detyroi të heqë dorë nga froni i Skocisë dhe të largohet në Angli. Atje ajo u burgos për pothuajse 19 vjet përpara se të ekzekutohej për rolin e saj në një komplot për të përmbysur Mbretëreshën Elisabetë I.
6. Balduin IV i Jeruzalemit
Mbreti Balduin IV jo vetëm shpëtoi Jeruzalemin nga pushtimi në moshën 16 vjeç, por e bëri ndërkohë që vuante nga një sëmundje dobësuese. I lindur në 1161, Balduin IV erdhi në pushtet në moshën 15 vjeç pas vdekjes së babait, Amalrik I. Pavarësisht se vuante nga lebroza që kur ishte fëmijë, Balduin IV do ta mbronte vazhdimishtmbretërinë e tij të krishterë nga Saladini, takticieni i famshëm mysliman që sundoi si sulltan i Egjiptit dhe Sirisë. Kur Saladini lëvizi drejt qytetit të Ascalon në 1177, mbreti Balduin IV nxitoi drejt tij me vetëm një grusht kalorësish, si dhe disa qindra kalorës tempullarë. I rrethuar brenda mureve të qytetit nga ushtria më e madhe në numër e Saladinit, Balduin arriti të largohet me ushtrinë nga kështjella përpara se të tërhiqte myslimanët në betejën e Montgisardit. Pasi siguroi një marrëveshje të shkurtër paqeje me Saladinin, adoleshenti u kthye në Jeruzalem si hero. Ai do të luftonte më pas shumë beteja kundër forcave të Saladinit pasi marrëveshja përfundoi, shpesh herë duke udhëtuar në një barrelë kur lebroza e bënte shumë të dobët për të hipur mbi kalë. Gjendja e Balduin u përkeqësua në vitet që pasuan dhe ai vdiq në 1185, në moshën 23 vjeç. Dy vjet më vonë Saladini do të merrte një fitore vendimtare në Betejën e Hatinit dhe rrëzoi mbretërinë e Jeruzalemit.