Llalla shkarkon dy prokurorë të rëndësishëm
Të shkarkuarit janë Artur Selman dhe Alma Muça. Vendimi i kryeprokurorit lidhet me hetimet për vrasjen e trefishtë në Vlorë në vitin 2015
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla pezulloi nga detyra Drejtoren e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça dhe prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Artur Selman si dhe ka urdhëruar nisjen e hetimit ndaj tyre.
Ky vendim ka ardhur për shkak të qëndrimit të dyshimtë të Drejtores dhe Prokurorit që është mbajtur në Gjykatën e Lartë, ku po shqyrtohet rekursi për një ngjarje të rëndë në Vlorë, ndodhur në vitin 2015, ku kanë mbetur të vdekur 3 persona pas një konflikti të armatosur.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe më tej, Prokuroria e Apelit Vlorë, kanë gjetur mbështetjen e gjykatave respektive, të cilat kanë vendosur dënime maksimale për 3 personat e akuzuar. Një prej të pandehurve është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa dy prej të pandehurve janë dënuar me 35 vjet burg nga Gjykata e Apelit Vlorë.
Të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre kanë dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë, në të cilën kishin paraqitur pretendimet e tyre lidhur me akuzat dhe dënimet.
Gjatë shqyrtimit të rekursit në Gjykatën e Lartë, prokurori i çështjes, Artur Selmani, jo vetëm që nuk ka mbështetur qëndrimet e mëparshme të Prokurorisë, por ai ka kërkuar pushimin e akuzave shumë të rënda, për të cilët të pandehurit ishin dënuar maksimalisht në dy shkallët e gjyqësorit në Vlorë.
Për këtë qëndrim të dyshimtë, prokurori Selmani pretendon se e ka diskutuar me Drejtorin e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça.
Prokurori i Përgjithshëm, i vënë në dijeni për situatën, pasi prokurori Selmani e kishte prezantuar qëndrim e tij në Gjykatën e Lartë, ka urdhëruar menjëherë pezullimin e tij dhe të drejtorit , Alma Muça, si edhe ka urdhëruar nisjen e hetimit për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve….” Dhe “Shpërdorim detyre”, me qëllim për të zbuluar shkaqet e këtij qëndrimi.
Gjithashtu, pjesë e penalizimit administrativ dhe hetimit penal janë edhe ndihmësit gjyqësorë, të cilët kanë përgatitur relacionin për prokurorin.