Nervozitet në krahun lindor të NATO-s
Një vit më parë, ushtarët amerikanë dhe gjermanë në Evropën Lindore ende ishin vetëm një dëshirë e mirë. Por në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Varshavë në korrik 2016 u ra dakord për një prani më të madhe në rajon. Dhe që prej fillimit të vitit, tanke, automjete të rënda dhe disa mijëra ushtarë kanë marshuar drejt Polonisë dhe Republikave Baltike. Së shpejti, stërvitjen do ta fillojë në Bullgari dhe në Rumani edhe një brigadë e SHBA. “Është një paradoks”, thotë ministri i Jashtëm polak Witold Waszczykowski. Nuk mund të thuhet se gjendja në krahun lindor të NATO-s është përmirësuar, por në Poloni tani ndihen më të sigurtë.
Kjo fjali përmbledh ambivalencën e situatës aktuale. E parë në këtë mënyrë, atmosfera në Konferencën e Sigurisë të Mynihut ishte shumë më e mirë se vitin e kaluar. Delegacioni polak nuk u lodh së theksuari se më në fund Polonia nuk ndihet si anëtare e klasit të dytë të NATO-s, por si anëtare me të drejta të plota. Kjo matet në Lindje me praninë e trupave të NATO-s.
Kërkohet prani më e madhe në Lindje
Por kaq të kënaqur sa polakët nuk tregohen të gjithë. Presidentja e Lituanisë, Dalia Grybauskaite vërtet e lëvdoi praninë më të madhe të NATO-s në vendin e saj, por kërkoi njëkohësisht edhe mbështetje ushtarake të mëtejshme të SHBA e edhe më shumë trupa përgjatë krahut lindor të NATO-s. Vendimet e korrikut 2016 nuk janë “më të mjaftueshme”. Duhet mbajtur parasysh se trupat amerikane janë përqendruar para së gjithash në Evropën Perëndimore, në vend që të qenë në njërin prej shteteve më të rrezikuara në kufijtë lindorë, tha Grybauskaite. Shtetet Baltike e quajnë “të nevojshme” një pjesëmarrje direkte të SHBA, tha Presidentja.
Kërkesa ndaj Gjermanisë
Një temë i bashkon evropianolindorët veçanërisht: shpenzimet e mbrojtjes. Polonia dhe Estonia e plotësojnë prej kohësh kuotën prej dy përqind, Rumania do ta arrijë atë këtë vit, dhe Lituania, Letonia, Bullgaria dhe Kroacia vërtet janë më pas, megjithatë ato investojnë në mbrojtje më shumë nga produkti i tyre social bruto se për shembull Berlini. Nëse Gjermania dhe shtete të tjera nuk investojnë më shumë mjete për mbrojtjen e tyre, ato rrezikojnë sigurinë tonë, kjo është kritika që vjen nga Lindja e Evropës. Por edhe në krahun lindor të NATO-s e dinë se ky diskutim me Gjermaninë pikërisht në vitin elektoral nuk ka shumë kuptim. “Gjermania e njeh përgjegjësinë e saj”, jep siguri kancelarja Merkel në lidhje me objektivin e dy përqindshit. Por ajo thotë edhe se ky objektiv mund të arrihet vetëm në vitin 2024. Ministri i ri i Jashtëm, Sigmar Gabriel (SPD) madje e bën të qartë që miliarda të tjera mund të investohen në vend të tankeve, në ndihmën për zhvillim dhe në integrimin e refugjatëve.
Një udhëtim në Lindje
Gabrieli kishte planifikuar në thelb që të udhëtonte këtë të hënë për në Shtetet Baltike dhe për në Suedi, në udhëtimin e tij të parë si ministër i Jashtëm në drejtim të Lindjes. Në Lituani ai donte të vizitonte ushtarët e Bundeswehrit, të cilët komandojnë trupën e NATO-s që ka vajtur atje së fundmi. Por udhëtimin e shtynë – pas një lajmërimi që u bë pak para udhëtimit – për arsye shëndetësore, bëri të ditur Ministria e Jashtme gjermane. Itinerari i parashikuar shkaktoi paraprakisht habi. Sepse si traditë, ministrat e Jashtëm gjermanë udhëtojnë fillimisht tek fqinji lindor Poloni, për të theksuar rëndësinë e marrëdhënieve gjermano-polake.
Por ministri i Jashtëm polak nuk sheh ndonjë simbolikë politike në plan. “Ne biseduam që në takimin në Bruksel” qetësoi Waszczykowski në bisedë me DW. “Vendet Baltike kanë më tepër nevojë për vëmendje dhe mbështetje se ne”.