Qeveri pa mazhorancë, apo qeveri teknike?
Kjo pra është situata, një qeveri që ka brenda saj qëndrime krejt të kundërta për reformën e vetme që po bën, dhe një koalicion ku njëri nga aleatët është aq i mosbesues dhe aq i lodhur nga pabesitë e tjetrit, sa detyrohet ta vërë si kusht transparencën. Kërkohet një marrëveshje e re në koalicion për të rimandatuar të njëjtën qeveri ku Ministri i Drejtësisë, ai që duhet ta vërë në zbatim reformën në Drejtësi, denoncon mënyrën se si kërkon ta vërë në zbatim Kryeministri. Në këto kushte qeveria vetëm e pengon, e vonon, në vend që ta bëjë të zbatueshëm Vettingun. Edhe nëse shmanget puna e qeverisë për reformën dhe i adresohet përgjegjësia vetëm Parlamentit, situata nuk ka zgjidhje. Jo për shkak të bojkotit të opozitës. Edhe nëse opozita do të ishte në komisione, do të ishte koalicioni qeveritar bllokuesi. Pa transparencë, pa u sqaruar çështja e Bordit të ONM, LSI nuk bën asnjë hap përpara. E gjithë kjo nuk lidhet me mosbesimin ndaj faktorit ndërkombëtar. Të gjitha palët i shohin ndërkombëtarët si arbirtrin e vetëm të pakorruptueshëm. Mosbesimi i LSI në këtë rast, por edhe i PD në të gjitha rastet, lidher me Edi Ramën. Ata kanë frikë se pas disa përfaqësuesve ndërkombëtarë, fshihet projekti i Rilindjes për të marrë në kontroll Drejtësinë dhe për ta përdorur atë për eliminimin e kundërshtarëve apo konkurentëve.
Në kushtet kur opozita bërtet bulevard që është gati të zhbllokojë Reformën në Drejtësi, nëse pranohet qeveria teknike, bllokuesit e vërtetë janë në dy krahët e bulevardit. Ndërkombëtarët që e kërkojnë nga opozita zhbllokimin, duhet të ndryshojnë shënjestrën180 gradë, tek ata që kërcënojnë se pas reformës do burgosin kë të duan me një drejtësi që do të reflektojë vullnetin e tyre, dhe tek aleatët e tyre që nuk pranojnë nënshtrimin ndaj këtij vullneti. Nëse opozita e kërkoi për realizimin e zgjedhjeve, Qeveria Teknike është më e vlefshme për Reformën ne Drejtësi, për kthimin e besimit të palëve se nuk do të avantazhohet askush ne sistemin e ri që po ndërtohet. Ndaj Qeveria Teknike, më shumë se nga opozita duhet të kërkohet nga ndërkombëtarët. Kjo zgjidhje krijon një qeveri me konsensus për reformën, një parlament funksional që voton pro vettingut në kushtet e mirëbesimit dhe u hap rrugë edhe zgjedhjeve të lira.