Albspirit

Media/News/Publishing

Rama, këmisha me lule dhe pallto e zezë e betejave me Berishën

Fotografi të rralla të kryeministrit/ “Kostumet” e  liderit të PS-së, kur rrëzohej diktatura, në sallat e refleksioneve me studentët e deri tek betejat me kundërshtarin Berisha

Kishte veshur këtë këmishë me lule, në mitingun e PD-së në fund të dhjetorit 1990. Ishte koha kur Edi Rama fliste për  “Çetën plakë”, e kur e kishte cilësuar Luftën Antifashiste-Nacional-Çlirimtare si luftë civile. Ditët në vazhdim Rama vendosi ta heqë këmishën me lule për t’u veshur me pardesy të bardhë. Ishte moda politike e kohës. Një pardesy të bardhë e kishin të gjithë dhjetoristët.

Fjalimi i tij nën petkun e bardhë, mbahet mend si një ndër më radikalët e mbajtur asokohe nga ndonjë folës në tribunat e para pluraliste në Shqipëri. Ai sulmoi fort diktatorin, diktaturën, pasardhësin e tij Ramiz Alia, LANÇ e gjithçka vinte nga komunizmi.

Qysh atëherë u cilësua anarshist dhe PD e la jashtë portave të saj. Berisha e përzuri Ramën në mbledhjet e para, diku nga fundi i Dhjetorit të vitit 1990. Prej asaj kohe, Rama dhe Berisha do të ishin kundërshtarët më të rreptë, në vazhdimësi.

Kur u largua nga PD-ja pa hyrë mirë brenda saj, Rama e hoqi edhe pardesynë e bardhë për t’u veshur me “hijen e rëndë” të intelektualit. Një ndër fotografitë e tij, në një intervistë në gazeten Koha Jonë, Rama ka veshur një pallto të zezë, e atje thotë se “Intelektualët janë si dele e zezë për politikën”.

Si i tillë do të shfaqej përballë Berishës për të mos e ndalur betejën ndaj tij deri sot.  Në vitin 1997, Berisha u rrëzua nga pushteti, ndërsa Rama atëherë vendosi t’i hyjë politikës. Petkat e Ramës ndryshuan shpesh për të gjetur njëfarë stabiliteti kur ai u zgjodh në krye të Partisë Socialiste. I duhej kostum serioz se ia do puna. PS-ja ishte parti namuzqarësh e nuk ia pranonte trendin e hershëm kryetarit të ri, pa çka se e ka pranuar çfarë tha ai 26 vjet më parë, “Është parti shtet, të dalë jashtë ligjit”.

Please follow and like us: