Romani i Gjergji MIHALLARIT: Mos rresht kurrë së ëndërruari
Fragment romani
“-Do të pushoj së dashuri TY, kur një piktor i verbër të pikturojë mbi telajo, zhurmën e rënies së një petali trëndafili të zverdhur nga vjeshta mbi dyshemenë e kristaltë të një kështjelle që nuk ka ekzistuar kurrë. . . Pse dhimbja e shpirtit nuk rresht për ty që nuk më sheh, e unë që të shoh tepër të pastër, si një vegim hyjnor i netëve të ëmbla të pranverës. . . Në këtë botë njoh dy të verbër, ti dhe unë, që i përngjasojmë diellit dhe hënës. . . një në lindje e tjetri në perëndim. . . ”.
Anonim
TITULLI: Mos rresht kurrë së ëndërruari
AUTOR: GJERGJI MIHALLARI
REDAKTOR: Roland LUSHI
KOPERTINA: Grafika ADA
të drejta të autorit
Shtepia botuese ADA
Botimi i parë, 2016
ISBN 978-9928-223-01-2
Përgatiti për botim: Roland Lushi
Formati : 14.5x20cm
Tirazhi 500 kopje
CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Mihallari, Gjergji
Mos rresht kurrë së ëndërruari : roman / Gjergji Mihallari; red. Roland Lushi. – Tiranë : Ada, 2016
156 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-223-01-2
1.Letërsia shqipe 2. Roman
I.
Nganjëherë vitet fluturojnë kaq shpejt, sa habia e momentit kur ti kupton këtë fenomen të virtytshëm e kompleks të natyrës, të tkurr çdo fije muskuli të fytyrës, si të shijoje thartësinë tej mase të një limoni të papjekur. Ti mundohesh të kujtosh të paktën një moment apo grimcë kohe ku të kesh ndjerë plotësisht frytet e ëmbla të jetës, duke i thirrur fort kujtesës. Fatkeqësisht apo fatmirësisht ajo të lë në baltë, nuk të zgjat litarin e shpëtimit. Më tepër mundohesh duke rendur në fillin e koklavitur të jetës, ku rrëzohet imazhi yt, ngrihet, rrëzohet përsëri… (Ah këto nyje të koklavitura,që vetëm shpata e Aleksandrit të Madh i zgjidh…!)…,ngrihesh dhe vështron gjunjët e brrylat e gjakosur, por nuk jepesh. Vazhdon kështu derisa perdja e mbarimit, si çdo fund tjetër ku nuk sheh gjatë rrugës së përshkuar as edhe një lule apo kristal ëndrrash e ndjenjash të bukura, por vetëm shoqëruesin e vetëm dhe të rëndomtë, ambientin gri. Në këtë moment edhe ti je bërë vetëm njëngjyrësh…gri…,je tretur e shndëruar në ambientin rrethues, duke jetësuar për vete ngjyrën gri. Gjithçka ndodh si në filmin e animuar “Shtatë ngjyrat e ylberit”, duke u kthyer në një lloj Sanço Panço të Grizminës e Grozbufit.
“-Shpëlarje prej mëkatit,apo vuajtje prej mëkatit?!”-pyeti veten atë natë vajza,kur në muret e dhomës së saj konturohej si gjithnjë ngjyra gri. Rrotullohej papushim mbi butësinë e shtratit për tu kredhur në gjumin e ëndrrave,por agonia e shprishja po i shtohej më tepër. Në atë rizgjim të emocionit jetësor fshikullohej e tëra nga ndjenja e ankthit. Përderisa çdo e mirë ka një të keqe duke e tërhequr nga pas në një mënyrë të pashmangshme, atëhere për të hedhur hapin (mentalitet i kohës) peshon njëherë skajin e ligësisë,pastaj të mirën. Në vuajtjet e saj përherë kishte kërkuar pak ngrohtësi dhe ambient reflektues fishekzjarresh, por pështjellimi kohor ia pati mohuar. Në terrin e kujtimeve të dhimbshme, mbi dinjitetin e saj të shkelur brutalisht, po ndriste një fije drite, po zgjatej një dorë e sinqertë. Ngulmimi i tij donte një përgjigje. Mos vallë duhej të zhytej më tepër në atë terr gabimesh që i shtërngonin lakun e frymëmarrjes?
Jeta e saj qe fiksuar mbi bardhësinë e një ditari. Nën ndriçimin e dobët të ambazhurit shfletoi faqet e para, duke rizgjuar në vetvete peshën e ëndrrave të shprishura, të përthyera e lënë në mes. Ndjeu sërish dallgëzimin e zemrës,kur hasi tek dashuria e parë.
28 Prill 199…
Sot mbusha 15 vjet. U rrita, ose të paktën kështu mendojmë kur arrijmë këtë moshë, psikologji e kohës për brezin tim. Në shtëpi erdhën gjithë të afërmit e mi për të më uruar… Në këto momente që po shkruaj këto rreshta në ditarin tim të dashur, është mbrëmje. Konturet e horizontit përreth janë veshur nga cipa e bardhë. Pas shumë ditësh, të mbarsura me mjegull e rreshje të shumta, sërish horizonti u çel. Kjo mbrëmje është vërtet e bukur. Një kthjelltësi e qashtër ka pushtuar horizontin. Qielli i kthjellët e plot yje derdh nga syri i tij hënor një dritë të paanë dhe vendi reflekton dritën e dobët e verdhacake të hënës varur në degët e pemëve të oborrit. Është një natë e bukur dhe një ftesë e çiltër të fton për një shëtitje në gjirin e natyrës…
Edhe koha sikur mori pjesë në gëzimin tim. Zhduku vrejtësirën nga fytyra dhe qeshi e gjitha. Mami e babi u larguan pasi përshëndetën shokët e shoqet e klasës sime, të cilët kanë ardhur për të festuar me mua këtë ditë. Shtëpia u bë e gjitha e jona, me të gjitha skutat e saj.Kaloriferët e graduar në pikën maksimale shpërhapnin në dhomë një ngrohtësi të ëmbël. Po përgatisja gotat me pije për shokët e mi në kuzhinë, kur pranë meje erdhi Sonja. Duart e saj të holla u harkuan rreth belit dhe koka e saj u mbështet mbi supin tim. Parfumi i derdhur pa kursim mbi flokët e saj,më ngacmuan flegrat e hundës dhe u drodha pakëz, ngaqë nuk kisha përdorur pakëz edhe unë.
-Rregullohu pak!-dëgjova zërin e saj pranë veshit,-është dita jote kjo,ndaj duhet të jesh pakëz më arrogante në këtë ditë…-dhe në vesh kumboi një tonalitet i lehtë e kumbues.
Nuk po lëvizja nga vendi.
-Hajde vajzë,merrem unë me këto,hajde lëviz…Sot është dita jote dhe duhet të bësh gjithshka që ke në kokë.Të falet në këtë ditë,ta them unë…
Zura të qeshja lehtë e të vështroja Sonjën me admirim për natyrën e saj kurajoze e të shkathët dhe për mënyrën e saj racionale në zgjidhjen e problemeve.
-Për kokën e mamit,-filloi të betohej Sonja. E kam seriozisht.Sot nuk je më adoleshente, u rrite…Hape portën e madhe të jetës për të shkelur një tokë të panjohur, herë të butë e herë të fortë, herë…
-Në rregull motra ime,-e ndërpreva ligjëratën e saj,pse kur fillonte ajo,fjalitë zgjateshin pambarimisht e tireshin gjatë,-e kuptova që tani jam e rritur…,-dhe u drejtova nga komodina ku mami mbante sendet e saj të tualetit. Midis asaj morie të madhe me tone ngjyruese, parfumesh, kremrash, të kuq buzësh, nuk dija kë të zgjidhja. Hezitimi për disa çaste, në raste të tilla, të nguros në vend dhe shndërrohesh për disa momente në statujë hermetike, kurse unë i ngjasoja kukullës së madhe prej pellushi që mbaja gjithnjë në shtratin tim të dhomës së gjumit kur flija.
-Kthehu nga unë!-foli Sonja me ton urdhërues, kur duart e saj çepkatën sendet e nevojshme. Me një pincetë të vogël hoqi disa qime nga vetullat, gjë e cila bëri të ndieja lotim të syve dhe skuqje të fytyrës.Kështu filloi procesi i zbukurimit. Nga dhoma ngjitur vinin tek ne tingujt e ëmbël që shpërhapte magnetofoni. Ritmikisht po lëvizja lehtë këmbët sipas ritmit të muzikës.Në sfondin e errët të krijuar nga mbyllja e qepallave, të cilave Sonja po u jepte tone të lehta ngjyruese,po shihja vallzimin që do të bëja sapo të mbaronte ceremonia e zakonshme e qërasjes.
-Mbaruam,-dëgjova tingëllimin e butë të zërit të Sonjës pranë veshit,-tani hapi sytë!
Në pasyrë mezi njoha veten,një fytyrë e tjetërsuar krejt. Një”auuu….”e stërgjatur pushtoi dhomën dhe vështrimet e të gjithëve më shoqëronin në çdo hap. Nuk po u rezistoja dot as shikimeve ziliqare të shoqeve të mia dhe as atij vështrimi çapkën që vetëm djemtë dinë ta përdorin dhe shkak për këtë tundim ishte ai tualet i shpejtë që aplikoi Sonja mbi fytyrën time.
“-Bravo Sonja,-thashë me vete,-e zgjodhe profesionin kur të mbarosh gjimnazin!”
Disi nga ajo situatë e krijuar dhe disi nga mendimet e shumta që po më gjëmonin në tru, u turbullova aq shumë, sa derdha edhe disa gota me pije. Vërtet në atë çast ndjeva një siklet të madh dhe falë shkathtësisë së Ardianit munda të mos i ndieja pasojat e momentit. Ai më ftoi në vallzim. Sa i shpejtë e çapkën u tregua duke më ftuar menjëherë në vallëzim, aq i ngathtë po tregohej në momentin kur filluam të vallëzonim. Të gjithë po flisnin e qeshnin me njëri-tjetrin,kurse ai asnjë fjalë.
Heshte sikur të ishte në klasë dhe ai gjithë vëmendjen e kishte të përqëndruar tek mësuesi tek shpjegonte mësimin e ri. Të them të drejtën u bezdisa pak. Atij i ra në sy kjo gjë e deshi të fliste por sërish kafshoi gjuhën e nuk foli. Ah,do të dëgjoja në ato çaste gjithfarë lloj budallëqesh, sikur edhe të më shpjegonte edhe kiminë organike,reaksionet e së cilës nuk më hynin aspak në kokë.
A nuk ishte kjo dita ime? Hë,pra a nuk ishte?! Dhe kjo ditë vetëm biseda për mua duhej të shpërhapte në këtë dhomë, gjithfarë bisedash, për bukurinë time, mënyrën e vallëzimit, si i mbaja dorën kavalierit, si flisja e të tjera,e të tjera….objekt i të cilave të isha vetëm unë.
-Heshtje që vret!-shqiptova më së fundi disi e mërzitur.
-Gëzuar,-mezi shqiptoi Adriani,-gëzuar ditlindjen!Mbushi dy gota me verë,njërën prej të cilave ma zgjati,pasi u rehatuam mbi divan.
-Adrian,reaksioni i shpërbërjes së hidrooksideve çfarë jep?-e pyeta pasi kisha përlarë në fytin tim gjysmën e gotës.
-Kripra!-u përgjigj ai me naivitet,pa e kuptuar shkakun e pyetjes së drejtuar nga unë. Dhe vërtet, ai ishte si kripa e tepërt në gjellë, e cila të bën të rrudhësh fytyrën e prish shijen e gjellës. Pas gotës së parë shijova edhe disa gota të tjera, gjë e cila çuditërisht më ndezi një zjarrmi të brendshme. Disa çifte vallëzonin, disa të tjerë qëndronin ulur duke biseduar.Sonjën nuk po ma zinte syri asgjëkundi.
-Vallëzojmë bashkë?-mu drejtuar Tomi,duke qëndruar në këmbë,para meje.
Këmbët çapiteshin me përtesë. Edhe doja të vallëzoja edhe nuk doja. Më tepër më tërhiqte Adriani, tani kur po dëgjoja ligjëratat e gjata të Tomit. Nuk e di pse doja të strukja qënien time pas atij turbullimi, pas asaj gjendjeje pasigurie e ndrojtjeje që ekzistonte tek Adriani.
Diku mu bë se më zuri syri Sonjën. Hyra në dhomën e gjumit të prindërve dhe shtanga nga pamja e kuadruar në sytë e mi.Istiktivisht mbylla sytë me duar si të isha vajzë e vogël,shumë e vogël.Sonja bënte një lojë të lezetshme me një shokun tonë të klasës,arrdhur këtë vit tek ne si ngelës i një viti të mëparshëm. Duart u harkoheshin ëmbëlsisht sa në qafë, po aq edhe rreth belit dhe gojët e tyre kryenin shkëmbim të ndërrsjelltë ajri. Ndonjëherë Sonja lëshonte një rënkim kënaqësie.Vështroja dhe ndjesia ngrinte krye në brendësinë time prej adoleshenteje. Më dukej lojë e bukur dhe veten e ndjeja të kuadruar brenda kinemasë,ku në kuadrin e bardhë admiroja puthjet e Liz Tejlorit.
Për një çast më erdhi turp për veten, pasi më dukej, ose më saktë më tërhoqi pas mendimi fiks, se gjithçka në jetën private të dikujt është private e nuk tjetërsohet, ndaj me lëvizje të kujdesshme tërhoqa derën, duke mos dashur të bëj zhurmën më të vogël. Do të gjendesha në një pozitë të keqe, sikur Sonja të kishte vënë re praninë time në ato çaste, por fati deshi që jo dhe lehtësimin e plotë e ndjeva pas puthitjes së plotë të derës. Ndoshta mund të isha skuqur në fytyrë,pasi ndjeja ngrohtësi që nga buzët e deri tek cepi i veshit.
U futa në dhomën time dhe për disa minuta u ula tek krevati. Në mendje u fiksuan ato çaste të Sonjës me atë shokun ngelës. Ndoshta edhe unë mund të ndjeja disa sentimente të tilla dhe tani në këtë kohë,kur adoleshenca po vrigëllonte në kulmin e saj, kur emocionet krijonin përmbytje të furishme në brendësinë tënde, kur trupi rigjeneron disa pjesë anësore e mbush me jetë të tjera pjesë të rëndësishme. Pa dashu,duart prekën gjoksin,diçka lëvizte tek ai,një mbushje me lëng pranvere,një rrumbullakim perfekt,me simetri të përcaktuar nga vetë natyra.Ndryshimet e moshës po i ndjeja kudo edhe në pjesët më intime. Isha në gjimnaz, në vit të parë dhe që në momentin e fillimit të kësaj shkolle, ndjeja rritjen time, kudo. Tek shoqet e mia kishte zënë vend mania e rritjes së shpejtë, të ndryshonin gjithçka, deri tek më e rëndomta,lukim dhe makiazhi hera-herës i tejkaluar.
Disa vajzave u ishin afruar djemte e parë dhe vorbulla e marrëzisë i thërriste me ngulç. Provimi i kënaqësive kishte mbjellë farën e saj. E në këtë ambient jetonte edhe Sonja, shoqja dhe mikja ime më e mirë. Sonja, një vajzë imcake nga trupi, me atë fytyrën e saj ovale, ku krijonte përthyerje mjekra e prerë nga një kanal, me hundën e saj të vockël e të lezetshme, ku si zambak në një cep të saj ishte rritur një nishan, më tregonte shpesh për ngjarje që i ndodhnin me djemtë, bile ajo kishte krijuar një farë eksperience në këtë fushë.E them eksperiencë, pasi unë për veten time, isha një nul në këtë drejtim. Por ja që nuk mi paska treguar të gjitha, ky djalë paskësh qënë sekreti i saj i fshehur…