Albspirit

Media/News/Publishing

“Vettingu, kusht i negociatave”; Rama fton opozitën për dialog

Kryeministri Edi Rama e ka akuzuar opozitën se ka hyrë në çadrën e protestës për të bllokuar vettingun, proces që duhet të nisë javën e ardhshme në këtë parlament. Rama tha se vettingu është kushti i vetëm për të hapur negociatat me BE-në.

“Pse çadra lidhet me vettingun? Për një arsye të thjeshtë, procedurat e vettingut fillojnë javën e ardhshme në këtë parlament. Dhe ata e thonë shprehimisht, se vettingun do ta bëjnë ata, se ata nuk kanë qenë dakord me këtë vetting. Por nuk ka 2, 3 apo 5 vettingje dhe kjo duhet të jetë e qartë për ata, për ne dhe partnerët ndërkombëtarë”, deklaroi Rama.

Kryeministri njoftoi nisjen e negociatave teknike me Komisionin Evropian për kapitujt 23 dhe 24, ndërsa krahasimi që opozita bën me kohën e bllokimit të tre ligjeve kur ai drejtonte të majtën në protestë e konsideroi të pabazë.

“KE ka thënë copë, Këshilli i Europës po ashtu, “vettingu, asnjë gjë tjetër”. Dhe nuk kanë thënë mbarojeni, por filloni vettingun”, tha Rama.

Në vijim të fjalës së tij në seancë, Rama e ftoi opozitën në dialog për standardet e zgjedhjeve të qershorit. “Nuk di asnjë mënyrë tjetër se si mund të përmirësohen standardet e zgjedhjeve, kur ti nuk ulesh në tryezë për t’i përmirësuar”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se në Bruksel po qeshin me kushtin për votimin elektronik, por për herë të parë tha se numërimi elektronik është i mundur, por për momentin e kompenson hapja e kutive.

“Numërimi elektronik është i mundur të bëhet. Patjetër që është i mundur dhe ne s’kemi asnjë problem. Por numërimin elektronik e kompenson qind për qind hapja e kutive sido që të vijë puna”, shtoi Rama.

Please follow and like us: