Albspirit

Media/News/Publishing

Europa, mes shpresës dhe plagës fatale

FAREED ZAKARIA

Nëse SHBA nxit shkatërrimin e institucioneve dhe idealeve në zemër të Perëndimit, atëherë Perëndimi fare mirë mund të shthuret. Por kjo nuk do të ishte një nga ato histori të rënies së qytetërimit përballë rreziqeve të jashtme. Do të ishte një plagë e shkaktuar vetë – një plagë që mund të jetë fatale

Tashmë, të gjithë e pranojnë se jemi dëshmitarë të ngjitjes së forcave radikale të majta dhe të djathta, kudo përreth globit. Populistë të të dy krahëve, që ndajnë një neveri për globalizimin, kanë marrë forcë, të sigurtë se e ardhmja po shkon në favorin e tyre. Por qendra po ngrihet sërish, edhe në zemër të botës së vjetër.

Shihni Emmanuel Macronin, ish-bankier 39-vjeçar i Rothschildëve, i cili është favorit për t’u bërë presidenti i ardhshëm i Francës. Sondazhet tregojnë se kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, është duke udhëhequr në raundin e parë, me rreth 25 për qind të votave. Por në raundin e dytë, ku vetëm dy kandidatët kryesorë vihen kundër njëri-tjetrit, Macron parashikohet të fitojë qartaz. Mbani parasysh se Macron është prerazi në favor të tregut të lirë, globalizimit, Bashkimit Evropian dhe aleancës transatlantike – dhe prapëseprapë, ai është duke u ngjitur, në një vend shpesh herë i karakterizuar nga sindikatat e forta të punës, skepticizmi ndaj kapitalizmit dhe mosbesimi kundrejt Shteteve të Bashkuara.

Pse? Sepse Macron është, mbi të gjitha, një i “jashtëm”, një reformator dhe një politikan karizmatik, dhe këto cilësi duket se janë shumë më të rëndësishme, se sa “lista” ideologjike. Studimet e shkencave sociale kanë treguar bindshëm, se njerëzit lidhen me kandidatët nisur nga ajo “që u thotë zemra”, dhe më pas e racionalizojnë atë lidhje, duke rënë dakord me propozimet e tyre politike. Kishte shumë pak dallim mes ideologjive të Bill dhe Hillary Clintonit. Por, votuesit në Amerikën e mesme ndjenë, në një nivel emocional, që Bill “i kuptonte ata”, por ata kurrë nuk menduan kështu për Hillarynë.

Evropianët dhe amerikanët ndjejnë një stanjacion në ekonominë dhe politikën e Perëndimit. Ata janë të frustruar me situatën dhe e shohin rendin e vendosur si të korruptuar, të paralizuar dhe jashtë kontakti. Fushata e Macron po funksionon, për shkak se është e mbushur me energji. Partia e tij e re është quajtur “Në lëvizje”! Libri i fushatës së tij mban titullin: “Revolucion”.

“Macron është, në një kuptim, vëllai simpatik i Marine Le Pen”, thotë studiuesi i Universitetit të Columbias, Mark Lilla. “Të dy kanë mbushur një boshllëk të krijuar nga rënia e partive kryesore. Në të gjithë Evropën, partitë kryesore politike përfaqësojnë ndarjet e vjetra mes kishës dhe laicizmit, kapitalit dhe punës. Macron dhe lëvizja e tij janë të reja. Ai përfaqëson të rinjtë, tolerancën, fleksibilitetin dhe, mbi të gjitha, shpresën”.

Ne po jetojmë në një kohë ndryshimesh të mëdha në politikë dhe po shohim një shpërthim të populizmit. Por kjo nuk do të thotë, që nuk ka forca dhe ndjenja të tjera “në lojë”. Bota është gjithnjë e më e ndërlidhur, e larmishme dhe tolerante, dhe qindra-miliona njerëz në Perëndim, veçanërisht të rinjtë, e shijojnë këtë realitet. Macron mishëron këto ideale, edhe kur u bën thirrje të tjerëve, që janë më nervozë në lidhje me botën që ndryshon.

Macron nuk është një fenomen i izoluar. Shihni Gjermaninë, ku është folur shumë për rënien e mbështetjes për Angela Merkelin, në sondazhe. Por Merkeli ka qenë në pushtet për më shumë se një dekadë, një periudhë kohe pas të cilës, pothuajse asnjë lider perëndimor nuk ka qenë në gjendje të ruajë mbështetjen entuziaste. Margaret Thatcher, Tony Blair dhe Helmut Kohl, të gjithë panë t’u bjerë mbështetja, pas kalimit të periudhës prej 10 viteve. Dhe konkurrenca e madhe e Merkelit vjen nga Martin Schulz, një ish librashitës i majtë, i cili është edhe më proeuropian, kozmopolit dhe globalist.

“Rendi politik është i rrëmujshëm në këto momente”, thotë Lilla. “Me kalimin e kohës do të sheshohet e do të dalin dy rryma – njerëz që janë rehat me globalizmin dhe ata që e kundërshtojnë”. Por ne që e shohim veten në qendër, që e shohim globalizimin si një forcë pozitive, do të duhet të kuptojmë përmbysjen kulturore, të shkaktuar nga emigracioni në shkallë të gjerë i dekadave të fundit.

Qendra mund të fitojë. Evropa nuk është duke shkuar pashmangshmërisht drejt një rruge të nacionalizmit të djathtë, që braktis Bashkimin Evropian, integrimin ekonomik, aleancën atlantike dhe vlerat perëndimore. Por shumë varet nga Shtetet e Bashkuara, vendi që ka krijuar konceptin strategjik dhe ideologjik të Perëndimit. Një udhëheqës i lartë evropian i cili mori pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih javën e kaluar, vuri në dukje se, pavarësisht disa fjalëve siguruese nga zyrtarë të lartë amerikanë, “shumë prej nesh janë të bindur se Shtëpia e Bardhë është duke u përpjekur që të sjellë fitoren e Le Penit në Francë dhe humbjen Merkelit në Gjermani”. Dhe ka pasur mendime të shprehura nga ana e krye-strategut të Shtëpisë së Bardhë, Stephen K. Bannon, në lidhje me dobësimin e Bashkimit Evropian dhe shkatërrimin e rendit të vendosur.

Nëse SHBA nxit shkatërrimin e institucioneve dhe idealeve në zemër të Perëndimit, atëherë Perëndimi fare mirë mund të shthuret. Por kjo nuk do të ishte një nga ato histori të rënies së qytetërimit përballë rreziqeve të jashtme. Do të ishte një plagë e shkaktuar vetë – një plagë që mund të jetë fatale./Washington Post/

Please follow and like us: