Albspirit

Media/News/Publishing

Një e njohur e rastit – Miq që i takojmë dhe i humbasim udhëtimeve

Albana M Lifschin

Albana M Lifschin

Zakonisht nuk i mbajmë mend  bashkudhëtarët e rastit në avione. Megjithatë, në 35 udhëtime gjatë dy dekadave në Evropë e në atdhe, në kujtesën time më ka mbetur një grua nga India. Avioni ynë ndodhej ende në runway në aeroportin e Munihut. Ajo lëshoi çantën e saj në karrigen pranë meje, por nuk u ul. Lëvizte nëpërmes radhëve me një sy hulumtus. Me të parë stjuardesën filloi bisedën me të. Qe nje e folur e shpejtë  e me një ton të pakënaqur. Insistonte të ndërronte vend sepse  kishte nevojë për  dy karrige bashkë.

– Kam bërë udhëtim të gjatë që nga India, zonjushe, dhe kam edhe 10 orë udhëtim deri  në NYC. Për kë i keni rezervuar ato dy vendet në fund? Pse të mos shkoj unë aty?  Apo keni preferenca për njerëzit?   Nëse pasagjerët nuk kanë ardhur  deri tani,do të thotë që nuk vijnë  më!

U ul në vend e indinjuar. Me insistimin e saj në fillim m’u duk si  grindavece, por pastaj  e guximshme.  Më tregoi se ishte gazetare  nga India. Po shkonte në NYC për një konferencë kolegësh.

-Unë kam udhëtuar shumë, në shumë vende, në të gjitha kontinentet, spjegoi .

Pastaj më  pyeti nga isha unë.

-Nuk besoj që të keni ardhur në vendin tim.

mohini ne karrigeMë duket se në fillim të viteve ’90, të gjithë përgjigjeshim njëlloj,  me një farë ngurimi. Nuk na besohej se të huajt e njihnin atdheun tonë. Kaq dekada të mbyllur ndaj botës.

Ajo u kthye e tëra nga unë  dhe priti.

-Unë jam nga Albania. Tani vonë kemi filluar të udhëtojmë nëpër botë. Dhe… jemi  larg me Indinë.

-Edhe afër, – tha ajo,  dhe në një moment më hutoi.

-Sepse  ne kemi një grua të madhe të përbashkët që ka kombësinë tuaj, por shtetësinë tonë, Mother Tereza,- tha ajo.

U hap një temë interesante për të dyja. I thashë  se gjithnjë më kishte habitur fakti që NENE  Tereza, kujdesej për leprozët dhe sëmundja nuk e kishte afektuar atë.

-E liga ka frikë nga shejtorët, -tha ajo me një ton afirmues. Atë kohë Nënë Tereza nuk ishte bërë ende shejt, madje as nuk  ishte folur për shenjtërinë e saj, por mënyra se si e tha Mohini, mua mu duk se ajo ishte pikërisht ashtu. Një shejt. Udhëtimi i gjatë na miqësoi. Kur zbritëm në  aeroportin Kenedi  shkëmbyem adresat dhe kur po ndaheshim tek më zgjati dorën, u kujtua për diçka. Hoqi unazën e saj nga gishti dhe ma zgjati mua. Ishte një unazë me gurë të gjelbër rubini . Kjo  qe fare e papritur. Ajo u përpoq të ma vendoste unazën në gishtin përkatës,por gishtërinjtë e Mohinit  ishin më të hollë se të mitë dhe rrethi i unazës  përfundoi  në gishtin tim të vogël.

 

* * *

revista delhi diaryIshte fillimi i viteve ’90. Muaj e vite kaluan dhe unë  isha zhytur në rutinën e punës së përditshme për mbijetesë në Nju Jorkun e madh, ku ishte e vështirë të gjeje kohë edhe për një kafe me miqtë për shkak të distancave të mëdha  dhe mungesës së kohës.  Për Krishtlindje,  hodha një kartolinë urimi në kutinë e postës që kishim buzë rrugës. Mohini më ktheu përgjigje menjëherë. Më shkruante për udhëtimet që kishte bërë, për takimet me miq e kolegë në Evropë, për planet e ardhshme të udhëtimeve , ku përfshihej edhe NYC, ku banonte një mikesha e saj.  Letrën e mbyllte  me ftesën  : “Albana, come to Delhi , and stay with me. I will look after you”.  Madje më thosh se mund të vija bashkë me tim bir, vetëm duhet të evitoja dy muajt e verës kur ajo priste miq nga Evropa.  Shkonte edhe më tej, duke më dhënë adresën e  Indramit, në Mahhattan, në 4-th avenue. Ajo do të më informonte për vendet e bukura që ka India. Për një moment Mohini mu duk sikur qe shqiptare. Ne ishim kaq mikpritës dhe entuziastë për miqtë. E ruajtja këtë kartolinë dhe adresën e saj. E vendosa brenda folderit tim tek  xhepi me germën M”.

Sot, pas dy dekadash e sjell puna që unë  e lexoj sërish. Kur mbarova provova një ndjenjë boshllëku. Si e kisha harruar kaq vite?

-Pol, i thashë tim shoqi,- duke mbajtur në dorë kartolinën-letër  të Mohinit, po sikur  të bëjmë një udhëtim në Indi? Dhe i tregova si isha  njohur me të dhe i zgjata letrën .

-Nuk jam e sigurtë nëse do ta njoh pas kaq kohësh, fola si me vete duke u ndjerë fajtore për këtë heshtje të gjatë. A nuk humbasim kur heshtim?

E kërkova në internet gazetën e saj “Delhi Diary”për të marrë informacion për të dhe mësova se bashkëudhëtarja ime  Mohini Bazaz paska qenë kryeredaktore  e gazetës që nga  viti 1948. Gërmova edhe më, dhe mësova që emri i gazetares Mohin Bazaz është sinonim per emrin e revistës “Delhi Diary”. Kur thua “Mohini  Bazaz” nënkupton “Delhi Diary” dhe e kundërta.Revista është krijesa e saj  që prej vitit 1969. Fillimisht si redaktore dhe më pas edhe si pronare e saj,  ajo i dha  revistës një portret të ri, të larmishëm , shumëngjyrësh duke e shëndruar në enciklopedi për vendasit dhe sidomos për të huajt të cilët vizitonin Indinë duke u  frymëzuar nga Ditari i Delhit.  Kolegët e respektojnë Mohinin si një botuese energjike e pasionante e mrekullisë së përjavshme të Delhit,(revista dilte çdo të premte) si një personalitet i fuqishëm në fushën e saj e njohur brenda dhe jashtë Indisë. Në 1969 Bazaz bleu revistën “Delhi Diary” dhe për 40 vjet rrjesht ajo e ushqeu atë me ide të reja. Pasuria e larmia e temave, ishte reflektim i udhëtimeve të saj brenda e jashtë Indisë duke njohur botën me vendin e saj. Ajo vizitoi Britaninë e Madhe, Francën, Italinë, Egjyptin, Meksikën, Japoninë, Indonezinë, Singaporin, Australinë, Zelandën e Re, Rusinë, Kinën, Taivanin, Vietnamin, Israelin, Turqinë etj. Pena dhe vepra  saj u bë e njohur  në shumë e shumë vende. Për kontributin e saj  të jashtëzakoshëm  në fushën e gazetarisë turistike në 1988 u nderua nga Himalaya Marketing Association  me “Lifetime Achievement Award”(2011) për revistën më popullore për qytetarët e Delhit, që nga viti 1969”.

mohini e bukur

Duke llogaritur vitet mendova që Mohini tani duhet të ishte në pension. Kishte moshën e nënës sime.

U gëzova kur gjeta  një adresë të gazetës  së saj në fb dhe dërgova një mesazh . Ditët kalonin dhe kur po më mbushej mendja se  duhej të qe ndonjë adresë që nuk përdorej , më erdhi një përgjigje e shkurtër.” Hi Albana, Regret to tell you that Mohini  has left the earth for a heavenly abode and we don’t have her with us any more”.

Mohini s’ishte më. Kolegët, lexuesit që e admironin dhe  revista qe ajo krijoi, e humbën zonjen e madhe Mohini Bazas, në 28 korrik 2016.

Isha 6 muaj e vonuar.

* * *

Udhëtimet e rastit mund të  na njohin me njerëz të jashtëzakonshëm. Janë mundësira të papritura për të hapur horizonte të reja në jetë. Është pakujdesia jonë, rutina e përditshme që i le ato përtej kujtesës dhe kur kujtohemi ne, është tepër vonë. Jeta është e shkurtër, por ne e jetojmë si të jetë pafundsisht e gjatë .

Shkurt, 2017

Please follow and like us: