Albspirit

Media/News/Publishing

Pse qeveria sot ka rënë!

Në maj të vitit të kaluar Partia Demokratike bëri propozimet e para për të përmirësuar sistemin e votimit, numërimit, financimin e partive e shumë të tjera që i jepnin zgjidhje jo vetëm shqetësimeve të partive politike, por dhe zgjidhje konkrete rekomandimeve të OSBE-ODHIR.
Unë nuk jam e nuk kam qënë kurrë e idesë që duhet të bëjmë revolucion, ashtu siç nuk jam e nuk kam qënë kurrë për masa të forta. Por mbasi për mbi një vit kërkon thjesht që të respektohet parimi bazë i demokracisë, duhet bërë diçka ndryshe.

 

Besoj se vullneti politik është në bazë të cdo vendimarrje, e jam e qartë unë dhe cdo shqiptar që kjo qeveri nuk ka vullnetin politik.

Nuk ka vullnetin politik për të formalizuar ekonominë, për të ulur korrupsionin, për të ndihmuar ekonominë, për të ulur pabarazinë, për hequr të inkriminuarit nga parlamenti, për të luftuar drogën e për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Nuk pres as më të voglin reflektim nga dikush që ka mundur të rrënojë një sistem parlamentar si ky i yni, me të gjitha të metat dhe aspak perfekt, por që në asnjë moment nuk ka rrezikuar lirinë tonë si sot.

 

Është për të ardhur keq që pikërisht kërkesat themelore për demokracinë lihen në harresë ndërsa qeveria mbahet në këmbë vetëm prej Denar Bibës!

Të gjithë në sallën parlamentare e kanë të qartë se janë procedurat antikushtetuese të Denar Bibës, që mbajnë në sallë një deputet me 10 emra dhe me një procedim penal mbi supe. Por sërishmi, ajo sallë nuk flet por rri shpreson.

Asnjë deputet nuk flet për këtë. Të njëjtët deputetë që dy vjet më parë përbuznin dhe përqeshnin kërkesat e opozitës për ligjin e dekriminalizimit, vazhdojnë të përbuzin sot një frymë popullore që me gjithë të metat e kësaj opozite mbështetet masivisht.
Është për të ardhur keq, kur sheh të rrënuar një mazhorancë që ushqeu me iluzione të rreme një komb të tërë dhe një qeveri të sikletosur nga humbja që përpiqet të gjejnë strehim në mandatet e kriminelëve.
Aq më shumë ndjej keqardhje sot, pasi kam dëgjuar siç mund të ketë dëgjuar shumica prej deputetëve në Kuvend, historinë tronditëse për vajzën e trafikuar në moshën 14 vjeçare.
Jam ndjerë e tronditur si një grua por mbi të gjitha si një shqiptare për shifrën alarmante të 600 grave që trafikohen si të mos jenë njerëz në brigjet e Britanisë. Për historinë e gjithsecilës prej tyre për të cilën në kuvend nuk mund të flitet dhe nuk është folur dhe e dini pse?
Sepse kryeministri i Shqipërisë tutorët dhe trafikantët i ka vendosur në karrige deputetësh, kryebashkiakësh apo dhe poste drejtuesish ndërsa në Evropë shet mend që qeveria e tij ka një numër të madh grash.

A mundet vallë që të luftojë kundër trafikimit të qenieve njerëzore një qeveri që mbahet në këmbë nga trafikantët?

Por, nuk mjaftohet me kaq! Për të shpëtuar kokën e vet nuk mjaftohet vetëm për t’i mbrojtur me një pushtet abuziv por edhe i ka kthyer në aksioner të qeverisë përmes pushtetit ekzekutiv që u ka dhënë.
Prandaj opozita nuk mund të jetë në kuvend sepse ne nuk mund të jemi pjesë e një institucioni që nuk beson në ligj dhe nuk zbaton kushtetutën, nuk mund të jemi pjesë e një farse vetëm për të legjitimuar një kryeministër të deligjitimuar, nuk mund të jemi oksigjeni i një qeverie të vdekur, as nuk mund të pranojmë të jemi anti-teza e një teze të paqenë.

Prandaj sot jemi duke mbrojtur me forcën e fjalës, qytetarëve dhe vendosmërisë për liri!

Please follow and like us: