Trump: Interesat e qytetarit në plan të parë
Presidenti Donald Trump tha se administrata e tij do të vërë në plan të parë interesat e qytetarit amerikan dhe se në betejën e tij ai do të vazhdojë të ballafaqohet me median, të cilën ai e akuzon për sajime dhe lajme të rreme.
Ai i bëri komentet sot në Konferencën Konservatore për Veprim Politik që po zhvillohet në afërsi të Uashingtonit.
Presidenti Trump doli para audiencës entuziaste duke përsëritur temat kryesore të fushatës së tij. Ai përshëndeti pjesëmarrësit dhe u shpreh se ia dedikon fitoren e tij në zgjedhje betejës së tyre për vlerat konservatore. Presidenti amerikan iu rikthye një teme të preferuar, se media e sulmon me lajme të rreme dhe se ai do të vazhdojë të luftojë me shtypin e rreme, siç e quajti ai.
“Media nuk mendonte që unë do të fitoja. Analistët nuk mendonin se do të fitoja. Konsulentët nuk mendonin se do të fitoja. Por ata e nënvlerësuan forcën e popullit. Nuk duhet kurrë të nënvlerësosh popullin. Dua t’ju them se do të luftojmë kundër lajmeve të rreme. Disa ditë më parë i quajta lajmet e rreme si armikun e popullit”.
Presidenti amerikan tha se fitorja e tij është pjesë e një lëvizjeje historike të pashembullt. Kjo lëvizje për të ardhmen e Partisë Republikane dhe të ardhmen e Amerikës. Kjo lëvizje, tha ai, ka në thelb të saj moton që në çdo politikë dhe veprim do të vihen në plan të parë interesat e qytetarit amerikan.
Ai premtoi të vazhdojë politikat për shkëputje nga paktet shumëpalëshe tregtare që ai i fajëson për humbje të vendveve të punës për punëtorin amerikan. Po ashtu, Presidenti Trump sulmoi planin e Presidentit Obama për kujdes shëndetësor, duke thënë se ishte një sistem në dështim e sipër. Ai u ndërpre disa herë nga duartrokitje dhe brohoritje nga salla.
Konferenca Konservatore për Veprim Politik
Pas një fushate zgjedhore që nxori në pah dhe thelloi përçarjet në vend, ky aktivitet synon të forcojë unitetin e bazës konservatore në mbështetje të axhendës së Presidentit Trump:
Në fjalën e tij para pjesëmarrësve në konferencë, Nënpresidenti Mike Pence ritheksoi dje mbështetjen për komandantin e përgjithshëm:
“Keni zgjedhur për president një njeri që kurrë nuk dorëzohet, kurrë nuk tërhiqet; ai lufton, ai triumfon. Ju premtoj se ai kurrë nuk do ta ndalë luftën deri kur ta bëjmë Amerikën përsëri të madhërishme”.
Nënpresidenti ishte oratori kryesor në punimet e djeshme të Konferencës Konservatore për Veprim Politik. Ky aktivitet vjetor shpesh përdoret si platformë për të sulmuar rivalët demokratë, por këtë vit, kur republikanët kontrollojnë edhe Shtëpinë e Bardhë, edhe Kongresin, punimet ngjanin si një tubim festimesh për të bashkuar partinë dhe për të lavdëruar presidentin e ri.
“Kur shohin Donald Trumpin, njerëzit duhet të mendojnë realisht për ato që kishte arritur ai më parë dhe të gjitha ato që mund të bëjë. Ai nuk është politikan tipik. Motivet që e nxisin një politikan tipik: paraja, fuqia, prestigji, fama, këto janë gjëra që ai i ka pasur që më parë,” tha këshilltarja e presidentit, Kellyanne Conway.
Më parë dje Reince Preibus dhe Steve Bannon, ndihmës të afërt të presidentit, dolën bashkarisht para pjesëmarrësve, duke iu kundërvënë përshtypjes që është krijuar për përplasje mes tyre. Ata e shfrytëzuan momentin për të sulmuar median:
“Janë grupe mediatike që veprojnë në një sistem korporatash, me një mendësi globaliste; janë kundërshtarë të betuar ndaj axhendës nacionaliste ekonomike të Donald Trumpit,” tha zoti Bannon.
Konferenca, e cila ka mbledhur në Uashington mijëra pjesëmarrës, i ofron administratës Trump një mundësi për t’iu drejtuar direkt bazës, për të shkëmbyer ide dhe për të ritheksuar premtimet e fushatës:
“Një pjesë e premtimeve do të kërkojnë kohë: rihapja e vendeve të punës, shtimi i të ardhurave për popullatën, por do të realizohen. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të sigurohemi se do ta kemi Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë për tetë vjet. Ne e njohim atë dhe do të na bëjë të ndjehemi shumë krenarë me ato që realizon. Por duhet që të punojmë të gjithë së bashkë që të realizohen këto objektiva,” tha Shefi i Personelit të Shtëpisë së Bardhë, Reince Priebus.
Kellyanne Conway tha se zoti Trump i ka hyrë një rruge që konservatorët e lëkundur pas tij e shohin jo në një linjë me atë që ata besojnë.
“Ai iu drejtua direkt bazës dhe e përqafoi atë -tha ajo. Ai bëri që shumë njerëz të ndihen që janë pjesë e një lëvizjeje”, tha zonja Conway.
Ajo shtoi se zoti Trump e fitoi garën për të qenë kandidati republikan për president, duke e nisur “nga poshtë-lart dhe jo nga lart-poshtë” ndryshe nga shumë politikanë të cilët kanë vite përvojë dhe janë emra të njohur të jetës publike.
Zonja Conway tha se zoti Trump gjeti mbështejen e konservatorëve pasi ata u ndjenë të përfshirë që prej fillimit. “Ai ishte aty sepse donte të ishte, sepse beson tek potencialet e vendit, tek njerëzit e tij, beson tek shpirti i lirë dhe ju e shihni kur jeni me të”.
Ndikimi i presidentit Trump
Fjalimi presidentit Trump të premten ishte momenti kryesor i konferencës së këtij viti, që merr dhe me shumë forcë nisur nga fakti se republikanët kontrollojnë si Shtëpinë e Bardhë ashtu edhe Kongresit për herë të parë në 10 vjet.
Tubimi i këtij viti i mijëra konservatorëve po zhvillohet në një hotel në Maryland, shumë pranë Uashingtonit dhe nxiti debate ende pa filluar.
Udhëheqësi i saj Matt Schlapp i tha “Zërit të Amerikës” se ai vuri re një “qasje më populiste” këtë vit, me zotin Trump si forcë shtytëse.
“Pajtohem se ka pak më shumë shtrirje populiste të konservatorëve këto ditë. Nuk e di nëse kjo është një ndryshim në filozofi, por di që kjo është për shkak se ata janë të shkurajuar me atë që ka ndodhur në Washington gjatë gjithë këtyre viteve “, tha ai.
Tre linja konservatorësh
Udhëheqësi i konferencës Schlapp tha për “Zërin Amerikës” se egziston një koalicion “i gjallë” i përbërë nga tre linja të konservatorëve: ata që kujdesen për kulturën, ata që thjesht duan më pak ndikim të qeverisë dhe taksa më të ulëta dhe të tjerët që thonë se vendi ka nevojë për një mbrojtje të fortë.
Ndërsa republikanët konservatorë mblidhen në Maryland, demokratët në opozitë do të takohen në Atlanta për të zgjedhur një udhëheqës të ri të Komitetit Kombëtar Demokratik.