Albspirit

Media/News/Publishing

Zgjedhjet nuk i shërojnë problemet tona

Sonila Meco
Nga Sonila Meço

Përpjekje pa bereqet kjo ideja për të shmangur protestën deri në zgjedhje, se vota do të jetë përgjigja e denjë e demokracisë për alternativën që duan shqiptarët.
Cila votë? Ajo që kërciste për 100 euro në Dibër e Kolonjë vetëm pak muaj më parë? Me pjesmarrjen e jashtëzakonshme të personazheve me precedentë penalë?

Vota nuk ka prodhuar alternativë më të mirë në këtë vend, por ngjashmëri të frikshme korrupsioni, abuzimi e arrogance të pushtetit. Besimi në institucionet e demokracisë gërryhet nga zgjedhjet në zgjedhje.
Ende mendojmë se votojmë për njërin a tjetrin dhe me ç’duket bëjmë absolutisht këtë.

Kur politika nuk e bën dot dekriminalizimin, kur hashashi ushqen votuesin dhe pushtetarin, kur vettingu bëhet vetëm për sistemin e drejtësisë duke lënë jashtë politikën, median, vetë ekonominë, kur shoqëria civile e sindikatat nuk ekzistojnë dy alternativa ka: të mbetemi trembur, ndrojtur e pa shpresë duke pritur dallgën e shtatë ku do na hedhë, ose t’i rrimë përballë, duke rezistuar për një model të ri, që nuk menaxhohet nga lojtarët e zakonshëm, që hap garën, pastron procesin zgjedhor, çliron zgjedhjen tonë nga sindroma e së keqes më të vogël, nuk lë hashashin e përditshëm të bëjë haram bukën e përditshme.

Pyetja është e thjeshtë: me aq kriminelë në parlament, me një vetting të ndrojtur, me këtë mbarështim hashashi, me këtë besim minimal tek partitë a shkohet në zgjedhje?

E nëse duam që një protestë për besimin e tronditur më shumë se kurrë tek demokracia mos e drejtojë asnjë kryetar partie, atëherë le të jetë e të gjithë atyre që nuk janë gati të shkojnë sërish në zgjedhje me elektorat të blerë, me kandidatë të dyshimtë, me një sistem që penalizon në nisje alternativat, me aromën trrullosëse të hashashit mbi krye, me idenë se ka edhe më keq.

Cinizmi me të cilin i bëjmë sehir njëri-tjetrit në rrjete sociale është një fitore e hidhur e atyre që kanë monopolizuar rotacionet e pushtetit. E nëse nuk i besojmë kësaj proteste, a mund të na çojë kund dyshimi?

Apo le ta çojmë aq larg besimin sa të zbythim fytyrat politike prej saj, ta bëjmë tonën, për të shkuar në zgjedhje, të paktën një herë në këto 25 vjet me idenë se nuk po na tërheq askush prej hunde drejt rotacionit të gënjeshtërt!

Please follow and like us: