Arti shqiptar bizantin
(Periudha moderne shek. XVII-XIX) Pjesa e II-të
Piktura ikonografike në shek e XIX përkon me kërkesat e reja realiste që kishin lindur brenda kësaj pikture në të gjithë Ballkanin. Piktorët shqiptarë që nuk do të harrohen lehtë për forcën shprehëse artistike do të jenë Onufri, Nikolla, i biri i tij, Onufër Qiprioti apo David Selenicasi që konsiderohet si ylli I fundit i kësaj krijimtarie. Çfarë e karakterizon artin e tyre dhe si kjo pikturë murale mbetet ende gjallë
Tradita e pikturimit të fasadës vazhdon dhe në monumentet e shekujve XVIXVII. Në kishat e shekullit të XVIII ajo shprehet kryesisht në pikturën e hajateve që përkufizohen nga ambienti i jashtëm me anë të një kolonade të hapët. Në fasadën e Apollonisë (1260-1328) është përfytyruar por treti familjar i perandor Mihal Paleologut të mbiquajtur Kostandin i ri si çlirimtar I Kostandinopolit nga latinët. Si zakonisht edhe këtu, perandori paraqitet në qetësi të rreptë, me fytyrë energjike e i gjithpushtetshëm. Me shkëlqim, luks e gjithë solemnitet janë përfytyruar gruaja e pasardhësi I perandorit: Androniku i dytë Paleolog. Si njerëz jo të zakonshëm rreth e qark kokës u shtohen breroret në shenjë të hyjnitetit të siguruar nga bota e qiellit, si mëkëmbës të Zotit në tokë. Orientimi në traditat e artit antik në fundin e shek. XIV, edhe më shumë se në ndonjë monument tjetër duket në freskat e trapezarisë së manastirit të Apollonisë së Fierit. Shumica e veprave janë të realizuara në nivel mjaft të lartë artistik. Nga më të bukurat është paraqitja e skenës “Lutje në Getsimani”. Kompozimi përshkohet nga një ritëm i harmonizuar i ngjyrave, vijave dhe formave. Figurat janë koordinuar njëra me tjetrën në mënyrë mjaft organike. Lëvizjet janë të përmbajtura, të qeta dhe ekspresive. Gjithkund mbizotëron vija e përthyer plastike. Këto tradita shërbyen si pikënisje dhe mbështetje frytdhënëse për krijimtarinë e shumë piktorëve të shquar të shek. XVI me në krye Onufrin. Veprimtarinë e tij artistike Onufri e zhvilloi kryesisht në kishat e shumta të Elbasanit e të Beratit. Me vepra të këtij mjeshtri është stolisur gjithashtu kisha e shën apostujve në Kostur të Greqisë. Në freskat e kësaj kishe, pranë datës 1547 gjejmë edhe këtë mbishkrim nga dora e piktorit: – …“Onufri i ardhur nga qyteti i shkëlqyer i Beratit”… Me sa duket karrierën e tij artistike Onufri e ka filluar si laik por brenda një kohe të shkurtër, më 1554-ën, një tjetër nënshkrim që ruhet përpos pikturave në kishën e Valëshit, e cilëson Onufrin si protopapë të Neokastrës, Elbasanit të sotëm, titull që u jepej personaliteteve të shquar të intelek tualëve fetarë.
Onufri, dramatik dhe i furishëm
Në pikturat e Onufrit skenat duken si të gjalla. Ato kanë gjithmonë karakter të theksuar zhanri. Shumë elementë të realizmit si mënyra e përcaktimit të figurës në siluetë, modelimi i formave, flasin për tendencat realiste të pikturës kishtare të kësaj periudhe. Krahas tendencave të përgjithshme realiste, në pikturën e Onufrit hasim edhe detaje të marra direkt nga jeta. Në skenën e lindjes së Krishtit kungulli i bariut dhe qendisjet me pafta të mbulesës ndeshen në fondin etnografik të vendit tonë. Nga jeta përreth Onufri merr edhe tipat e tij që i përpunon në një kualitet të lartë artistik. Duke operuar me 5-6 tonë bazë, ai arrin kombinime të përsosura me anë të kapërcimit të ngjyrave. Koloriti i tij dallohet nga pastërtia dhe tingulli kumbues. Onufri priret t’i zbusë kanonet tradicionale duke i mbrujtur ato me një përmbajtje të re më jetësore. Përmes tipeve dhe kanoneve bizantine, ai arrin t’I japë mendimit një farë transparence, dritë dhe qartësie, që të bën për vete me karakterin e tij fisnik. Piktura e Beratit, ndikimi i së cilës u përhap jo vetëm në Shqipërinë e mesme por edhe në atë të jugut, mban vulën e personalitetit krijues të Onufrit. Shembulli më i qartë për këtë janë freskat e nxënësit dhe birit të tij Nikollë, piktorit të dytë më në zë të shekullit. Nikolla, një spiritualist i stërhollë Veprat e Nikollës janë të shpërndara në shumë kisha të Shqipërisë qëndrore dhe të zonave jugore bregdetare. Freska të tij ruhen dhe në kishën e shën Gjergjit në Arbanas të Bullgarisë, të punuara në bashkëpunim me një piktor tjetër shqiptar, ende të pastudiuar mirë, të quajtur Joan. Figurat artistike të krijuara prej Nikollës në të dy teknikat e pikturimit, shquhen prej tipeve të Onufrit. Ato dallohen nga silueti I veçantë, koloriti i ndezur dhe vështrimi ëndërrimtar. Nikolla, ndryshe nga i ati, nuk është aq dramatik dhe I furishëm. Ritmi linear i skenave nuk ngërthen aq shumë dinamizëm, sa spiritualizëm të mprehtë të stërholluar. Onufër Qiprioti dominon me ekuilibrin Një tjetër piktor i talentuar i shekullit të XVI është dhe Onufër Qiprioti. Ka mundësi të jetë me prejardhje greke, por padyshim vendlindja e tij si artist është Berati. Onufër Qiprioti e përhapi jehonën e shkollës beratase nga Shqipëria e mesme në pjesën më jugore të saj dhe nga shekulli XVI në të XVII. Freskat e Vllaho-Goranxisë të pikturuara prej tij në fillim të shek. XVII; në vitin 1622 nuk shndrisin nga ngjyrat si prej emali të Nikollës, as nuk shpërthejnë me forcën e dramaticitetit të Onufrit. Piktura e Qipriotit është përgjithësisht më e qetë. Në të ka më shumë ekuilibër. As ana dekorative nuk rrëmben mbi të tjerat, as tensioni i brendshëm i figurave nuk dominon. Kalaja e Beratit edhe pas kaq shekujsh me kishat e pikturuara, të ngjall idenë e një atelieri të vërtetë mesjetar. Ndikimi i pikturës beratase, perms veprës së Onufrit dhe pasuesve të tij, ndihet deri në çerekun e parë të shek.XVII. Në dekadat e mëvonshme piktura murale pëson një rënie të ndjeshme cilësore. Mungojnë mjeshtrit e vërtetë që do të mund të çonin më tej mbërritjet e shek.XVI. Pikturat janë kryesisht punë të amatorëve zanatçinj. Dhe elementet popullore e etnografike që vërejmë në to kanë më tepër rëndësi historiko-etnografike. Shek.XVIII ishte periudha e gjallërimit ekonomik të qyteteve dhe lëvizjeve kulturore në to. Të forcuara ekonomikisht, shtresat tregtare borgjeze që ishin porositësit kryesorë të artit, nuk kishte si t’i kënaqte më tej përdellimi tipik bizantin, devotshmëria e dikurshme dhe nënshtrimi si prej skllavi ndaj dogmës. Ky kapërcim është mishëruar në krijmtarinë e një vargu piktorësh si, Kostandin Shpataraku, vëllezërit korçarë Kostandin e Athanas Zografi dhe mbi të gjithë, te David Selenicasi, i cili në shekullin e XVIII zë po atë vend që zinte Onufri në të XVI.
David Selenicasi, ylli i pikturës murale
Krijmtaria e Davidit nuk u shfaq rastësisht në Voskopojë. Si fshat Voskopoja ka ekzistuar qysh në shek. e X ose të XI. Si e qysh ky fshat i vogël u shndërrua në një qytet të lulëzuar, nuk dimë asgjë, por efektet tregojnë se në shekullin e XVIII Voskopoja ishte një qendër e lulëzuar ekonomike dhe kulturale që mbante lidhje tregtare me Laipcigun, Vienën, Budapestin dhe me qytete të tjera të rëndësishme europiane. Aty funksiononte e vetmja shtypshkronjë në të gjithë perandorinë turke. Ajo kishte akademinë e saj, të lartë, një bibliotekë shumë të pasur dhe mbi 20 kisha madhështore të tipit bazilikal të pikturuara. Por qytetin e madh me 12 mijë shtëpi e 60 mijë banorë e ndjekin fatkeqësitë njëra pas tjetrës. Më 1769 digjet nga turqët, kurse 20 vjet më vonë nga ushtritë e Ali Pashë Tepelenës dhe Ibrahim Pashës së Beratit, që luftonin kundër njëri-tjetrit në ato vise. Një shkatërrim të madh pësoi në Luftën e Parë botërore dhe më vonë gjatë Luftës së Dytë botërore. Sot nga gjithë ajo kulturë e hershme kanë mbetur vetëm shtatë kisha, njërën prej të cilave, atë të Shënkollit, e ka pikturuar David Selenicasi (1726). Pikturat e murit në kishën e Shën Kollit e habisin vizitorin me pasurinë e madhe të fantazisë. Mbi dy mijë figura shpalosen tejembanë mureve të kishës nëpër subjekte dhe tema ikonografike nga më të ndryshmet. Këtu gjejmë tema, nga historia e shenjtorëve, nga gojdhënat apokrife, tema të rralla dhe interesante, si p.sh. skena nga cikli i çudive, skena e Solomesë apo ajo freska e madhe mbi portën kryesore ku është pikturuar Krishti si djalë i fjetur me shën Mërinë pranë. Skema bizantine e pikturimit me kanonet e saj të rrepta, në pjesën më të madhe është shkatërruar. Skenat janë kombinuar dhe përshtatur arkitekturës së godinës me qëllim që të theksohet një problem arkitektural i nevojshëm. Kjo kërkonte nga piktori një teknikë të lirë pikturimi, punim të cilin e gjejmë kudo. Davidi shkoi shumë më tej se paraardhësit e tij bashkatdhetarë. Me anë të përpjestimit, ngjyrës, volumit dhe elementëve jetësorë e etnografike, ai mundohet t’i largohet iracionalizmit të figurave, t’i bëjë shenjtorët sa më të afërt me njeriun e gjallë. Kompozimi në përgjithësi është lakonik dhe i konceptuar si një kuadër realist nga jeta. Interes të veçantë tregon piktori për ambientin, detajet, për planet dhe perspektivën. Krijimtaria e Davidit shënon shkëlqimin më të lartë të pikturës murale kishtare mesjetare. Ajo përkon me kërkesat e reja realiste që kishin lindur brenda kësaj pikture në të gjithë gadishullin e Ballkanit. David Selenicasi është në të njëjtën kohë dhe ylli i fundit i kësaj kësaj krijmtarie. Shekulli XIX, duke përjashtuar deri në një farë mase gjininë e ikonave që pati një jetë pak më të gjatë në përgjithësi në Shqipëri është shekulli i dekadencës së plotë të pikturës ikonografike.