Albspirit

Media/News/Publishing

Drini Zeqo: Të jesh politikan në Shqipëri…

Kam dëgjuar shpesh të flitet për njerëz të cilët vendosen në pozicione të caktuara ndonëse nuk kanë formimin e duhur. Këta njerëz vendosen kryesisht nga politika. Një qasje tekash personale, interesash financiare apo përfitimesh elektorale të cilat ndonëse ndër vite është premtuar se do të ndryshojnë, duke i dhënë vlerë formimit dhe aftësive të gjithësecilit bëhët më deprimuese nga viti në vit. Akoma më e ndjeshme në prag fushatash elektorale. Por ne (Shqiptarët) nuk jemi në prag fushate, ne nuk dalim ndonjëhere nga fushata elektorale.

Zakonisht nuk bëj pjesë tek ata që dalin kundër gjithëfarë gjerash vetëm për të ngjarë të veçantë por në disa raste kundër të gjithave të çon logjika. Mjafton të jesh pak i vëmendshëm për të kuptuar se meritokracia është ende tabu në këtë vend të vogël ku jetojmë. Jemi akoma shumë larg një vlerësimi të merituar për atë që bëjmë, atë që japim apo nuk japim.

Por si arritëm deri këtu dhe cila është rruga që mund të ndiqet për të zhbërë këtë katastrofë ku një ekonomist ekselent, mund të ketë për shef një agronom të nderuar, por që nuk ka fare lidhje me shifrat?!

Erdhëm si pasojë e politikës, asaj të gabuar, e cila shembujt frymëzyes për brezat e rinj i ka sa gishtat e një dore (të mbledhur grusht apo me dy gishtat lart). Njoh shume të rinj  të cilët politikën e anashkalojnë tashmë si një pasion të së ardhmes. Një politikan me siguri do më kundershtonte duke thënë se sallat e aktiviteteve te forumeve rinore politike janë gjithmonë plot dhe se tek ata pasioni nuk është shuar. Sasia nuk mund të jetë argument. Të gjithë e dinë mirë si mbushen sallat apo si regjia televizive ndihmon për këtë pjesë, por kjo është tjetër temë.

Sigurisht pasioni tek rinia ekziston sepse është diçka njerëzore. Por pyetja që shtrohet eshtë si mund të ecin të motivuar këta të rinj nëpër rrugicat e ngushta të forumeve, para se të arrijnë në korridoret e luksit të shefave të mëdhenj? Ata nuk mund të arrijnë në asnjë formë tjetër përveçse duke qenë të preferuarit e shefit dhe jo përmes përballjeve publike.

Ky është sistemi preferencial deri korruptiv që ngjizet në Shqipëri qysh nga shkolla, ku nxënësit ende përballen me padrejtësi për vendosjen e notës mes atij që paguan dhe atij që mëson. Nga mënyra si vlerësohen në punë, ku produkti është i fundit që analizohet dhe rëndësinë e marrin të tjera sjellje.

Pikërisht sot dhe tani, kur duhej që frymëzimi të ishte më i madh, pas shumë eksperimentesh që janë bërë me hyrje daljet në politikën Shqiptare, tani frymëzimi është inekzistent. Kush do na frymezojë? Parlamenti?

Është thuajse e pamundur të gjesh shembuj që sjellin ajrin e një ere të re. Sherre, ofendime, banalitet, politikë shteruese, argumenta që nisin nga logot politike dhe përfundojnë në degjenerim personal, është panorama e të enjteve “LIVE”.

Dhunë, lojë fjalësh, doli nga salla ky ministër, ai nuk dëgjoi fjalimin e këtij, ajo kish veshur pallton e gabuar, janë shumë demode tashmë.

Pra njerëzit që arrijnë të marrin poste drejtuese, e kanë ende të vështirë të kuptojnë çdo të thotë karrierë, sepse ata nuk e kanë bërë atë. Ata thjesht janë vendosur aty nga shefi politik i radhës. Por për këtë ata nuk duhet të ndihen në faj sepse nuk është faji i tyre.

Të jesh politikan në Shqipëri është diçka që të turpëron apo të nderon? Kjo është pyetja që pres të më japë një politikan mbi meritat, për mënyren si ka ngjitur shkallët e karrierës politike në partinë e tij.

Please follow and like us: