Albspirit

Media/News/Publishing

E thashë, s’e thashë, ambasadori bën rolin e “lolos”

Ambasadori i OSBE-së, Bernd Brochardt nuk kuptohet për çfarë arsye doli në krah të ministrit të Brendshëm për të arrnuar deklaratën e bërë në një studio televizive se në Shqipëri qarkullojnë mbi 2 miliardë euro para të pista, të cilat mund të përdoren për zgjedhje.

Një deklaratë që mesa duket ia ka prishur goxha humorin qeverisë dhe ministrit në fjalë që vazhdojnë të mohojnë atë që nuk mohohet, që vendi është mbytur me kanabis. Por pergamenën e qeverisë se historia e Shqipërisë ka filluar në 2013 e njohim, edhe çorbat e ministrave po ashtu, por ajo që të lë një shije pocaqi është kapistrimi i ambasadorit nga ministri i Brendshëm dhe urdhëri për të mohuar para mediave atë që tha një ditë më parë.

Ambasadori i nderuar tha një ditë më parë se “Po të marrim shifrat e publikuara nga ministria e Brendshme për plantacionet e shkatërruara, duket që mbjelljet kanë qenë më të mëdha se në 2013. Jo gjithçka është kapur sepse çdo javë dëgjohet se janë kapur ngarkesa. Kjo do të thotë se qarkullojnë më shumë se 2 miliardë euro para të pista. Pra ekziston rrisku se këto para mund të përdoren për të blerë deputetë. Të gjitha këto janë rreziqe të mëdha”. Ndërsa sot doli bashkë me ministrin për të na thënë se është keqkuptuar. Kjo shfaqje ishte e tepërt dhe ambasadori mund të na e kishte kursyer.

Ky vend e ka marrë shumë seriozisht humorin e ambasadorëve, të cilët në jo pak raste kanë ndjekur axhendat personale, duke shfrytëzuar titullin dhe admirimin që populli shqiptar vazhdon të ketë për të huajt. Në këtë kuptim rreziku më i madh për një të huaj dhe në rastin konkret  për ambasadorët që vijnë në Shqipëri për detyra diplomatike është kthimi në lolo, çka shkon edhe me karakterin e vizionarëve që kanë bërë dhe po bëjnë historinë në këtë vend. Padyshim të gjithë do mbeten në histori dhe historitë e tyre do tregohen brez pas brezi, ashtu siç ka ndodhur me ata që kanë ardhur e që kanë ikur nga ky vend..

Please follow and like us: