Albspirit

Media/News/Publishing

Gazeta zyrtare e PD: Ish- ministri Manjani vlen më shumë se deputetët e PD

“Rilindja Demokratike”, gazeta zyrtare e Partisë Demokratike ka folur në numrin e sotëm të saj për parcelizimin e protestës nga ata të cilët në titullin e editorialit janë quajtur “pagatorët e Ramës”. Pa përmendur emra, në shkrimin që mban emrin e drejtuesit të kësaj gazete thuhet se, ndonjë që po zvarritet me mundim dhe imponim tek sheshi i protestës, duke vënë kushte dhe ultimatume, se e mbështesin protestën “vetëm nëse nuk afrohet dikushi”, po mundohet ta personalizojë atë.

Këta individë, shkruan “Rilindja Demokratike” e shohin protestën si parcelë të ndarjes së pushtetit nesër dhe po bëjnë llogari.

“Këta individë vijnë aty si korrierë të pushtetit për të bërë diversion me kalkulimet politike që bën Rama. Mos i shikoni si opozitarë. Janë zvarranikë të paguar me honorare të majme nga pushteti”, thuhet në editorial.

Megjithëse nuk përmendet në asnjë rresht të editorialit, qartazi “Rilindja Demokratike” i referohet qëndrimit të mbajtur nga deputetja Majlinda Bregu, e cila shkoi në protestën që po mbahet para Kryeministrisë dhe shprehu mendimin e saj kundër bojkotimit të zgjedhjeve.

“Mos duhet që për hir të interesave personale të këtyre paçavureve që kërkojnë të shesin moral, ne u dashka të çensurojmë ish-ministrin e Drejtësisë, Manjani për opozitarizmin ndaj Ramës dhe që është më i madh në kontribut dhe përballje sa i të gjithë këtyre matrapazëve që shfaqen me kostumin e opozitarizmit, kur në fakt natën e kalojnë me qentë e pushtetit me të cilët ndajnë favoret, ndërsa në mëngjes zgjohen me pleshtat e tyre për t’i hedhur tek sheshi i protestës?”, thotë editoriali.

Ata, shkruan më tej “Rilindja Demokratike”, që vijnë në atë shesh të rezistencës të porositur dhe bëjnë deklarata për parcelizim të protestës, duhet të kuptohet se nuk janë të lirë.

“Ata janë të marrë peng nga interesat e pushtetit dhe për çdo deklaratë që lëshojnë kanë nga pas tendera e allishverishe të tjera. Ata janë veç pagatorë të mjerë të Ramës që majmen me vuajtjet e një populli opozitar”, vijon editoriali i “RD”.

Please follow and like us: