Jamarbër Malltezi: Kockat e fundit mbajnë bashkë PS-LSI
Në një intervistë për “BalkanWeb”, kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi sqaron në detaje argumentat që e shtynë opozitën të nisë protestën e pandalshme deri në plotësimin e kushtit të saj për krijimin e qeverisë teknike. Malltezi gjithashtu shprehet se koalicioni PSLSI do vijojë të qëndrojë bashkë deri në “kockën e fundit që do mbetet për t’u vjedhur”.
Z. Malltezi, çfarë kërkon të arrijë Partia Demokratike me protestën që prej disa ditësh po zhvillohet pranë kryeministrisë?
Partia Demokratik kërkoi qysh një vit më parë kryerjen e reformës zgjedhore që përfshinte 25 rekomandime nga zgjedhjet e vitit 2013 dhe 28 nga zgjedhjet e vitit 2015. Për fat të keq nuk pati asnjë reagim nga qeveria, mesa duket për hir të ruajtjes së statusquo së brendshme, pasi rrezikohej koalicioni. Në fund të vitit 2016, PD kërkoi votim elektronik për zgjedhjet por KQZ u shpreh qe nuk ka kohë! Meqë nuk garantojnë votim dhe numërim elektronik atëherë le të kemi qeveri teknike që të ketë garë dhe jo farsë. Thjesht duhet që shqiptaret të votojnë të lirë dhe jo t’ua numërojë Saja me Shullazin, Hakmarrjen dhe Lul Berishën.
Cilat janë argumentet e Partisë Demokratike për protestën që po zhvillon?
1. Janë miliarda euro nga trafiku i drogës (2 miliardë sipas OSBE, 5 miliardë sipas BBC, 6 miliardë sipas kryeprokurorit italian), që do përdoren për të blerë zgjedhjet dhe tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve.
2. Janë dhjetëra banda të krimit të organizuar që qeveria po liron nga burgjet për të mbajtur qytetet nën kontrollin e bandave duke përfshirë Lul Berishën, “Hakmarrjen për Drejtësi” me 17 krime, dhe në radhë në gjykatë janë Aldo Baret etj. Këto banda janë në kontakt të vazhdueshëm me Edi Ramën dhe Sajën dhe nuk premtojnë asgjë të mirë. Kush janë banditët në këtë vend? Hallexhinjtë që nuk kanë para për të paguar energjinë? burgosen dhe vdesin në burg, ndërsa bandat e krimit të organizuar lirohen.
3. Edi Rama refuzon intelektualet dhe njerëzit e ndershëm qoftë edhe socialistë dhe i ka zëvendësuar me banditët e tij dhe kështu mendon se do të mbledhë votat me dajak. Në Lezhë banditi Ndoka rrahu dhe qëlloi me armë mes Lezhës edhe ishdeputetin dhe kreun e Partisë Socialiste për atë qytet dhe nuk i hyn gjemb në këmbë? në Kavajë përdhunuesi dhe trafikanti Elvis Roshi me 5 emra vijon të jetë kryetar bashkie ndërsa Rama bënte ironi me ligjin e dekriminalizimit? në Laç ai që plagosi 4 persona me armë zjarri brenda komisariatit të policisë vijon të jetë deputet, dhe ndonëse ka kryer krime me 9 emra, prape Edi Rama e mban si deputet!!!
4. Ata të tredhur që nuk guxojnë t’i dalin kundra Edi Ramës dhe të heqin mandatin e Armando Prengës do i japin besim shqiptarëve se do të kenë integritet të ruajnë një proces zgjedhor të ligjshëm dhe të rregullt?
5. Mediat janë nën presion, disa të blerë me kioska, të tjera me leje ndërtimi dhe të tjera të kërcënuara me AMA dhe tatime.
6. Në vitin 1990 u rrezua rrëgjimi monist për te pasur liri mendimi dhe veprimi nga qytetaret. Por sot sherbyesit e Ramës që gjenden rastësisht nëpër trafiqe me vëlla Olsin po pushojnë njerëzit nga puna vetëm për bindje politike, siç ndodhi me zj. Rajna Kovaçi, vetëm pse vajza e saj këndoi tek tenda e opozitës. Deputeti socialist Majko detyrohet si në vitet ’70 të bëjë autokritikë pse djali i tij bën shenjën “V” të Churchill. Ku po shkojmë kur në vitin 2017 mendimi ndryshe konsiderohet herezi dhe shpallen armiq?!
7. Çdo institucion, përfshi ato të depolitizuarat me ligj si Garda e Republikës apo Forcat e Armatosura, po marrin të plotësojnë me detyrim formularët për rrethin e patronazhit. Kjo është vepër penale dhe nuk premton gjë të mirë për zgjedhjet.
8. Policia e Shtetit është bërë njësh me bandat apo nën urdhrat e bandave. Nuk vepron për të goditur bandat, trafikantët e drogës etj. por përdorët për të shantazhuar banditët dhe kultivuesit për të ndarë pazaret dhe për t’i paguar haraçin qeverisë. Dhjetëra ton droge kalojnë përditë nga Porti i Durrësit dhe drejtor policie aty qëndron prej 4 vitesh një tepelenas i Sajës me një mal skandalesh. Kriminalizimi ekstrem i policisë është vepër penale por në këtë vend qeveria është bërë njësh me krimin e organizuar.
9. Vjedhja masive e procesit zgjedhor sidomos ne Dibër vërtetoi gjithë dyshimet dhe hamendësimet e PD, qoftë për blerjen e votave, qoftë për përdorimin e administratës shtetërore në shërbim të Partisë, qoftë për kriminalizimin e strukturave policore dhe përfshirjen e bandave të armatosura në procese zgjedhor, dhe qoftë për kanosjen përmes frikësimit për arat e drogës.
Për të gjitha këto arsye dhe të tjera, për të shmangur presionin e paligjshëm të qeverisë, policisë, përfshirjen e bandave, tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve etj, më e pakta që mund të bëhet është një qeveri teknike që do të shkëpusë lidhjet e bandave me partinë në pushtet dhe nuk do të lejojë policinë që të dhunojë qytetarët dhe nën urdhrat e bandave.
Çfarë mund të thoni për mënyrën sesi ndërthuren këto argumente me nevojat e përditshmërisë së qytetarëve?
Qytetarët dëshirojnë një jetë dinjitoze dhe rritje pagash, por ka 4 vjet pa rritje pagash dhe pensionesh. Qytetarët dëshirojnë që fëmijët e tyre të punojnë në punë të ndershme dhe të mirëpaguara dhe jo të punojnë me kokë në torbe për arat e hashashit të bandave të qeverisë. Dhjetëra të vdekur ka pasur për punë të pazareve të drogës këto vitet e fundit, të gjithë janë bij nënash dhe nuk ka njeri që të ndihet i lumtur që fëmija të punojë në punë të paligjshme. Qytetaret shohin sesi kjo qeveri i gënjeu të gjithë dhe nuk mbajti asnjë nga mbi 40 premtimet elektorale që erdhi në pushtet, dhe kjo është për çmim “Guinness”. Qytetarët po paguajnë më shtrenjtë për naftën dhe gazin, po paguajnë më shtrenjtë për energjinë ndonëse iu premtuan të kundërtat. Kush qytetar pranon të qeveriset nga Prengat, Roshët, Doshët, Ndokat, apo Ballat? Këta janë si tumore për shëndetin e demokracisë të Shqipërisë. Banorët e Zharrëzës po vijnë të sfilitur të protestojnë gjithashtu tek tenda e opozitës. Shkurt, qytetaret ndihen të gënjyer, të zhgënjyer, të lodhur dhe të inatosur nga kjo qeverisje. Opozita po iu mundëson një forum ku të shprehin pakënaqësinë e tyre. Tenda po bëhet zëri i qytetarëve të nëpërkëmbur dhe të zhgënjyer.
Është krijuar një perceptim në opinionin publik se, pavarësisht protestës që po zhvillohet, në thelb të gjitha forcat politike “janë bashkë”. Çfarë mendimi keni për këtë?
Forcat politike të qeverisë janë bashkë. Ato të opozitës janë në bulevard duke protestuar. Nuk është as e lehtë dhe as kënaqësi të protestosh çdo ditë dhe 24 orë në ditë kundër padrejtësive, POR është gjëja e duhur. Marrim si shembull që para 2 vitesh opozita bëri kauzë të saj dekriminalizimin dhe insistoi deri në daljen e ligjit, largoi personat më të kaluar jo të pastër nga vetja. Ndërsa qeveria refuzoi, mesa duket se veç tek banditet, përdhunuesit dhe trafikantët gjen shpresën për zgjedhje. Edhe deputeti Blushi tallej para 2 vitesh me dekriminalizimin duke e quajtur “Kauza pa kauzë e opozitës” POR u desh të shkonte në Elbasan dhe të përballej me dhunën e banditeve brenda PS që të vlerësonte rëndësinë e kësaj çështje dhe faktin që banditët kishin marrë peng qeverinë.
Me sa është parë në media duket se në protestë nuk po ngrihen çështje që prekin përditshmërinë ekonomike të shqiptarëve, si për shembull një strategji si mirëqenia, punësimi, etj. Cili është qëndrimi i juaj në lidhje me këtë?
Nëpërkëmbja e qytetareve fillon tek tjetërsimi i vullnetit të tyre. Një qeveri që nuk ka mbajtur asnjë nga 40 premtimet e saj nuk pranon të bëjë bilanc me votuesit por shpreson tek të fortët e qyteteve dhe paratë e trafikantëve dhe të banditëve. Protesta po mbledh qytetarë të zhgënjyer dhe, e para vjen nevoja për te mbrojtur të drejtën e tyre për të zgjedhur dhe mostjetërsimin e vullnetit të tyre. Vjedhja e zgjedhjeve çon në keqësim të mëtejshëm të mirëqenies së njerëzve. Qëndresa e opozitës po vjen në sinkron me nevojat e qytetarëve qoftë banorëve të Zharrëzës qe mbeten pa zë me këtë qeverisje, qofte me naftëtarët, me studentët, me të papunët etj. Kjo qëndrese del përtej opozitës pasi është në sinkron me nevojat e çdo qytetari qe nuk pranon justifikimet e shpëlara të qeverisë.
A mendoni se koalicioni PS-LSI do vijojë të qëndrojë bashkë?
Koalicioni qeverisës do të rrijë bashkë derisa të ketë kockat e fundit për të vjedhur. Pse u shkarkua Manjani dhe u la ne detyre Koka kur te dy shanë qeverinë? Kjo pasi para 5 ditësh, me datë 20 shkurt 2017 ishte një tjetër tender 900,000 dollarësh që Koka duhej t’i jepte kompanisë së Beqes për digjitalizim. Edhe në vitin 2016, Lefter Koka i dha një tjetër tender 900,000 dollarësh kompanisë së Beqes, po prapë për digjitalizim!!! Me kaq para mund të kryhej procesi i votimit dhe numërimit elektronik nëse do të kishte vullnet, por jo. Çfarë përfitojnë shqiptarët nga kjo qeverisje? As punë, as rrugë, as paga, as pensione, as çmime më të ulura, as premtime të mbajtura, asgjë.