Albspirit

Media/News/Publishing

MAFIA JONË- MË E LUMTURA NË BOTË

Skënder Buçpapaj

 

Mafia jonë, në Tiranë, Prishtinë dhe në krejt hapësirën tonë në Ballkan, si dhe celulat e saj të përhapura gjithandej, është mafia më e lumtur në botë, ndërkohë që është mafia e qytetarëve më të varfër, e shoqërisë më të mjerë, e kombit më halleshumë. Pse kështu.

Ne që e kemi quajtur me emrin e saj të vërtetë, 20 e sa vite më parë e në vijim, ndërkohë që ajo po profilizohej si e tillë, e dimë sa zemërim kemi ngjallur te ajo, sa armiqësore ka qenë përgjigja e saj, sa i pamëshirshëm ka qenë kundërveprimi i saj. Ligji i saj është – njëherë i shpallur armik i mafies, gjithherë armik i mafies.

Sepse, në atë moshë të saj, nuk ka akuzë më të rëndë, më dërmuese, më rrënuese për mafien se sa ta thërrasësh atë me emër. I pranon të gjithë eufemizmat, sado të pagjetur, sado të papërshtatshëm, sado joartistikë të jenë ato. Por emrin e vërtetë jo, kurrsesi.

Sepse eufemizmat janë klima më e shëndetshme, më pjellore, më e rehatshme për mafian. Sepse eufemistët janë rritësit dhe selitësit më të mirë të dukurive të tilla si mafia.

Sot të gjithë e quajnë mafie. Të gjithë ata që nuk na duronin ne kur, në kushte krejt të tjera, krejt të pafavorshme, e bënim të njëjtën gjë që ata po bëjnë tash. Të gjithë pa përjashtim.

Mafia jonë, aq sa tronditej kur ne e quanim me këtë emër, aq sa tërbohej, hakërrohej dhe shkumëzonte atëherë, po aq përkëdhelet sot, po aq kapardiset dhe ndihet krenohet sot, po aq llastohet e lazdrohet, kur të gjithë ata që mohonin papushim, sot e quajnë me plot gojën ‘mafie’.

Mafia jonë është e sigurtë se asaj nuk do t’i vijë asnjë e keqe nga një shoqëri si e jona, që ka dalë nga sundimi gjysmëshekullor enverist brenda kufijve shtetërorë dhe nga pushtimi shekullor i Serbisë jashtë kufijve shtetërorë. Shoqëria jonë është e tulatur. Është e traumatizuar gati pa shpresë. Ajo edhe kur reagon, si më 1997, reagon në mënyrë të verbër, reagon kundër vetvetes, e rrënon vetveten dhe përsëri ushqen tentakulat e mafies me tragjedinë që ia shkakton vetvetes.

Një ditë, megjithatë, edhe mafia jonë do të ketë fundin e saj. Por nuk do ta ketë nga ne. Fundin e saj ajo do ta ketë nga disa dukuri që e shoqërojnë atë, që e përbëjnë atë.Mafia jonë është një mafie që vuan përherë e më shumë nga vetëkënaqësia e tepëruar. Në këtë gjendje të sëmurë e çojnë sukseset e pafundme, pa asnjë dështim, fitoret e pafundme, pa asnjë humbje.

Kjo sëmundje e brendshme e çon mafien tonë në një shkëputje gjithnjë e më të madhe nga realiteti. Mafia jonë është përherë e më shumë mes reve, këmbëpërpjetë e kokëposhtë, përherë e më larg realitetit shqiptar.

Mafia jonë është një mafie narciste. Është një mafie e festave të pafundme gala, e sfilatave të pafundme në paradat festive. Me sytë e saj të shtrigosur ajo e han vetveten, duke e kundruar nëpërmjet ekraneve të pafundme të mediave të panumërta, të cilat mbahen ‘live’ ditë e natë, në një reality show të pakufishëm dhe të paprecedent.

Mafia jonë është një mafie ishullore. Ajo është e shpërndarë nëpër pallatet luksoze madhështore në kryeqytete, në zonat bregdetare, në zonat malore, në komplekset private të banimit, të ngjashme me ato që superyjeve të Hollivudit.

Bllokut të dikurshëm i duket vetja i mjerë, kur i shikon blloqet e reja që mbijnë si kërpudhat pas shiut.

Pa dashur, pa kuptuar mafia jonë e fut veten në bunkerë. Sado të ëmbël, sado të ndritshëm, sado parajsorë këta bunkerë të kujtojnë bunkerët e Hoxhës të cilët tashmë po ekspozohen për publikun, ku paraardhësit e mafies e parashikonin të ardhmen e tyre, të mbrojtur nga urrejta konkrete e popullit të vet dhe nga armiqtë abstraktë, imagjinarë.

Si mafie me prejardhje ateiste, mafia jonë nuk ka frikë as nga Zoti.

Nga librat që kemi lexuar, nga filmat që kemi parë, jemi mësuar ta shohim mafian në ankth dhe në makth të përhershëm përballë bëmave të saj, të cilat një ditë do të kenë fundin e merituar. Ato arrijnë të kapin segmente të shoqërisë, të politikës, të shtetit, por nuk e kapin dot gjithë shoqërinë, nuk e kapin dot gjithë politikën, nuk e kapin dot gjithë shtetin. Prandaj ato janë në ankth të vazhdueshëm.

Mafiat e tjera, përkundër të gjithave e gjithçkaje, e kanë vetëdijën se janë të përkohshme, ndërsa populli është i përjetshëm. Mafia jonë është ndryshe. Ajo është e gatshme ta zëvendësojë popullin e vet me gjithkënd tjetër. Përvjet nga njëra anë e kufirit ikin me dhjetëra mijë shqiptarë, në mënyrë të ligjshme. Nga ana tjetër e kufirit ikin me qindra mijë shqiptarë, me pasaporta të vendeve fqinje, në mënyrë të ligjshme, ose pa ato, në mënyrë të paligjshme.

Nga i tillë këndvështrim, mafia jonë është sa tipike në bëmat e saj, aq atipike në sjelljet e saj.

Please follow and like us: