Mali i Zi paraqet prova të reja për implikimin e Rusisë në tentativën e grushtit të shtetit
Prokurori i posaçëm i Malit të Zi, Milivoje Katniç, i cili po zhvillon hetime mbi përpjekjet për të nxitur luftë në ditën e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, paraqiti prova të reja që sinjalizojnë implikimin e drejtpërdrejtë të Rusisë në këto ngjarje. Në një deklaratë për mediat malazeze, Katniç tha se “organizatori kryesor i përpjekjeve për grushtshtet në Mal të Zi është një zyrtar ushtarak rus, i cili deri në vitin 2014 veproi në Poloni, por për shkak të veprimtarive spiunazhi u dëbua dhe u shpall person i padëshiruar në atë vend.”
Prokurori Katniç akuzoi Moskën se “në ditën e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi tentoi të shkaktojë gjakderdhje me qëllim që të zgjerojë ndikimin në Ballkan”.
Në një intervistë për mjetet malazeze të informacionit Katniç paraqiti prova të reja lidhur me identitetin e vërtetë të organizatorit kryesor rus, i cili sipas prokurorit, punonte për agjencinë e sigurimit rus.
“Eduard Shirokov në të vërtetë është Eduard Shishmakov, i cili në vitin 2014 ishte zëvëndësatashe i Rusisisë në Poloni, por për shkak të aktiviteteve spiunazhi atje, u dëbua nga Polonia si person i padëshiruar”, tha ai.
Zoti Katniç, vuri në dukje se pasaporta e tij me emër të rremë ishte e lëshuar nga institucionet përkatëse ruse, e cila gjë siç u shpreh ai “tregon se disa struktura shtetërore të Moskës kanë qenë të implikuara drejtpërdrejtë në ngjarjet e Malit të Zi”.
Prokurori i posaçëm, Milivoje Katniç tha se “ deri më 15 prill do të ngritën aktakuzat për terrorizëm ndaj 23 personave nga Serbia dhe Rusia si dhe ndaj dy përfaqësueseve të opozitës në Mal të Zi”.
Qeveria e Malit të Zi, ndërkaq akuzoi të enjten Moskën zyrtare se “në prag të zgjedhjeve parlamentare u përpoq që të shkaktojë gjendje kaotike me qëllim të nxitjes së paqëndrueshmërisë në rajon”. Qeveria malazeze, po ashtu reagojë në deklaratën e zëdhënëses së Punëve të jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, e cila ditë më parë mohoi çdo ndërhyrje të Rusisë në ngjarjet e 16 tetorit në Mal të Zi.
Ndërkohë, Serbia bëri të ditur ditën e enjte se nuk do ti ekstradojë dy shtetas serbë, Nemanja Ristiç dhe Predrag Bogiçeviç, të cilët akuzohen se kanë qenë të përfshirë në përgatitjen e sulmut terrorist. Gjykata e Apelit në Beograd e ka hedhur poshtë kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë të Malit të zi për ekstradim duke theksuar se “mungojnë të dhënat për një veprim të tillë”.
Mali i Zi ka qenë i përfshirë në ngjarjet konspirative në ditën e zgjedhjeve parlamentare të 16 tetorit të vitit të kaluar, ku autoritetet policore arrestuan 20 shtetas të serbë të akuzuar për përgatitje të sulmeve të armatosura ndaj institucioneve shtetërore dhe ish kryeministrit Gjukanoviç.
Ndërkaq, partitë opozitare kanë theksuar se grushtshteti i dyshuar është fabrikuar dhe kanë akuzuar kryeministrin në largim , Milo Gjukanoviç se po shfrytëzon shërbimet e sigurimit për ta ruajtur dominimin e tij mbi Malin e Zi.
Në këtë kuadër, analistët vlerësojnë se Moskva po e sheh veten të rrethuar nga një NATO që po zgjerohet, si dhe kishte shpresuar se do ta siguronte për vete qasjen në portin e njohur të Adriatikut ,në Tivar të Malit të Zi.