Midis fjalëve dhe veprave
Rando DEVOLE
Deklarata e Samitit të parë të diasporës shqiptare, që u zhvillua në datën 18-20 Nëntor 2016, fillon me një hyrje të përgjithshme me karakter politik dhe vijon më pas me pesë drejtime në të cilat qeveria dhe diaspora do të angazhohen së bashku: zhvillimi institucional, diaspora dhe kapitali njerëzor, diaspora dhe zhvillimi ekonomik, mbështetja për diasporën, mekanizmi ndërveprues. Disa muaj pas mbarimit të Samitit të Diasporës ka ardhur koha t’i shohim këto drejtime më hollësisht, duke parë edhe ecurinë e punës (Deklarata mund të konsultohet këtuhttp://samitidiaspores.al/deklarata-e-samitit-te-pare-te-diaspores/).
Në pikën e parë të zhvillimit institucional thuhet se “qeveria angazhohet të zhvillojë dhe fuqizojë, përmes masash konkrete, kapacitetet institucionale brenda vendit, për të përfshirë më shumë dhe konkretisht Diasporën në zhvillimet ekonomiko-shoqërorë në Atdhe”. Për ta realizuar këtë qëllim madhor thuhet se qeveria dhe diaspora angazhohen të krijojnë Këshillin e Diasporës Shqiptare. Por çfarë do të jetë ky Këshill i Diasporës shqiptare? Sipas deklaratës, “Këshilli do të jetë një strukturë qendrore bashkëpërfaqësuese”, çka nënkupton se do të përfaqësojë si qeverinë ashtu edhe diasporën. Mirëpo deklarata nuk shpjegon se si do ta zgjidhë çështjen e përfaqësimit në diasporë, për sa kohë qeveria nuk e ka këtë problem, ngaqë zgjidhet me votat e parlamentit i cili, nga ana e vet, zgjidhet nga votat e popullit. Po përfaqësuesit e diasporës, kush do t’i zgjedhë? Cili do të jetë mekanizmi dhe procedura që do të përcaktojë ata që do të marrin pjesë në Këshill nga ana e diasporës?
Detyra e Këshillit të Diasporës shqiptare është “të udhëheqë bashkëpunimin në të gjitha aspektet me Diasporën, veprimtarinë për vënien në jetë të angazhimeve të marra në këtë Samit, si dhe organizimin e aktiviteteve madhore në të ardhmen”. Misioni i Këshillit duket i jashtëzakonshëm përderisa do të merret me probleme transversale, që prekin detyrimisht shumë ministri. Nga ana tjetër, duket sikur Këshilli do të merret edhe me organizimin e samitit të dytë, meqë edhe ky hyn detyrimisht në kategorinë e aktiviteteve madhore.
Deklarata nënvizon se “modalitetet e krijimit dhe funksionimit të Këshillit, do të përcaktohen bashkarisht”. Këtu paraqitet një problem pothuajse tautologjik, sepse Këshilli do të jetë bashkëpërfaqësues, por vetëm pasi të jetë krijuar dhe pasi të jenë përcaktuar kriteret e funksionimit. Por kush do ta bëjë këtë? Çdo të thotë “bashkarisht”?
Në fund të pikës së parë të dokumentit, qeveria angazhohet të ndërmarrë nismat përkatëse ligjore dhe “të krijojë kushtet për të siguruar sa më parë të drejtën e votës së qytetarëve shqiptarë në Diasporë”. Këtu është e para dhe e fundit herë që flitet për votën e migrantëve, gjithsesi në mënyrë të përgjithshme, si nga pikëpamja kohore, ashtu edhe nga pikëpamja e angazhimeve.
Nuk është e vështirë për të konkluduar deri këtu se kemi të bëjmë vetëm me premtime. Nga njoftimet publike duket se asnjë nga objektivat e mësipërme nuk është arritur deri më sot. Një farë mjegulle ka përfshirë edhe objektivat lidhur me kapitalin njerëzor. Në pikën e dytë të Deklaratës, “Diaspora dhe kapitali njerëzor“, qeveria angazhohet se do të bëjë regjistrimin e shqiptarëve në Diasporë, që më pas do të çojë në përpilimin e të ashtuquajturit Atlas i Diasporës Shqiptare në botë. Qeveria angazhohet gjithashtu se “në bashkëpunim të ngushtë me Diasporën”, do të krijojë Bazën e të Dhënave të Aftësive të komuniteteve shqiptarë në botë. Megjithë qëllimin e lartë të kësaj nisme, me fjalë të tjera nxitjen e shkëmbimeve profesionale, akademike, arsimore, si edhe rrjetëzimin e Diasporës, ende nuk është parë diçka konkrete në këtë drejtim.
Në lëmin e përfshirjes së talenteve më të mirë nga Diaspora në administratën publike mund të ketë pasur ndonjë rezultat, por më shumë në trajtën e shembullit sporadik. Për fat të keq, në këtë kuadër mungojnë të dhëna të sakta dhe të përgjithshme.
Diaspora dhe zhvillimi ekonomik (drejtimi i tretë) është ndoshta tema më e përgjithshme e deklaratës. Atje lexohet se do të krijohen nga ana e qeverisë “të gjitha lehtësitë e mundshme, në rrugë ligjore, për përfshirjen e Diasporës në sistemin ekonomik”, se do të bëhen politika stimuluese për nxitjen e tërheqjen e investimeve nga Diaspora, se do të përmirësohet baza ligjore për bashkëpunimin ekonomik, se do të forcohet rrjetëzimi i biznesit në Diasporë. Le ta themi hapur: deri tani asnjë nismë konkrete nuk është marrë në këtë drejtim.
Në drejtimin e katërt, me titull “Mbështetja për diasporën“, përfshihen angazhimet e qeverisë për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, për krijimin e rrjetit kulturor, për forcimin e marrëdhënieve me diasporën, për përmirësimin e shërbimit publik në përfaqësitë diplomatike (modernizimi i praktikës konsullore), për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Diasporë dhe njohjen e kontributeve dhe sigurimeve shoqërore. Nga të gjitha këto angazhime, vetëm dy kanë pasur ndonjë lëvizje.
Dixhitalizimi i shërbimeve konsullore në favor të shqiptarëve në emigracion sapo ka filluar (platforma e Shërbimit Konsullor Online – SHKO). Ky shërbim i ri duhet vlerësuar e përshëndetur pozitivisht sepse, midis të tjerave, i lehtëson procedurat burokratike, e shkurton kohën e dhënies dhe e rrit cilësinë e shërbimeve, duke ua reduktuar barrën emigrantëve, që rendin pas dokumenteve të ndryshme. Natyrisht, shërbimi konsullor online sapo ka filluar, ndaj është e nevojshme që të njihet sa më shumë nga të gjithë migrantët, sikurse është e domosdoshme të monitorohet për funksionimin e mbarëvajtjen e tij, sidomos në fazën e parë të kolaudimit.
Lidhur me njohjen e sigurimeve shoqërore e punonjësve shqiptarë jashtë shtetit, duhet thënë se janë firmosur disa marrëveshje (kryesisht në vendet ku nuk ka shumë migrantë shqiptarë). Siç dihet nga shumë vetë, sidomos nga hallexhinjtë që e kanë këtë problem, pra që kanë punuar si në Shqipëri ashtu edhe jashtë shtetit, çështja e njohjes së kontributeve të punës mbetet nervi i zbuluar i shqiptarëve. Në këtë fushë është bërë diçka, sepse janë firmosur një sërë marrëveshjesh me shtete të ndryshme për njohjen e sigurimeve shoqërore të shqiptarëve. Mirëpo, ende nuk ka evidenca të qarta se si po funksionojnë praktikisht këto marrëveshje, një pjesë e të cilave janë ende në rrugën e ratifikimit. Së fundi, duhet nënvizuar se me vendet ku ka më shumë migrantë shqiptarë, si p.sh. Italia, Greqia, etj. pra atje ku do të kishte efekt më të prekshëm, ka vetëm deklarata vullnetmira, shtrëngime duarsh e foto në rrjetet sociale.Të gjitha angazhimet e tjera të përmendura në këtë pikë të deklaratës mbeten në kuadrin e deklaratave të përgjithshme.
Diaspora, nga ana e vet, ka vetëm dy angazhime në dokument: hapjen e shkollave në gjuhën shqipe dhe shpalosjen e vlerave tona kulturore nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme. Angazhimin e dytë, sipas deklaratës, diaspora duhet ta bëjë “në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike, për të mbështetur dhe plotësuar përpjekjet e Qeverisë, në të mirë të mbrojtjes dhe ruajtjes së kulturës e trashëgimisë kulturore shqiptare”; çka edhe e merr të mirëqenë aktivitetin e përfaqësive diplomatike dhe përpjekjet qeveritare për ruajtjen e kulturës, ndërsa mungon fare referimi ndaj kultivimit të kulturës shqiptare.
Duhet pranuar se janë dy angazhime që diaspora i bën prej kohësh, pavarësisht deklaratës, natyrisht kur ka mundësi e aftësi. Ndaj edhe fakti se si është miratuar kjo deklaratë, pra me votën e kujt, tekefundit ka rëndësi relative. Ato që nuk janë aspak të qarta janë nismat që ka ndërmarrë qeveria për ruajtjen e kulturës shqiptare jashtë shtetit, ose më mirë investimet që janë bërë në këtë drejtim. Ku, kur dhe si janë bërë?
Sipas deklaratës që po analizojmë “Qeveria do të vijojë të punojë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Diasporë dhe të nxisë, përmes instrumenteve të bashkëveprimit ndërshtetëror, ushtrimin sa më të plotë të këtyre të drejtave, përfshirë njohjen e kontributeve dhe sigurimeve shoqërore”. Le ta lëmë pjesën e përgjithshme të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në dhé të huaj, sepse të gjitha qeveritë kanë bërë pak ose aspak në këtë drejtim. Mjafton të kujtojmë, sa për shembull, kategorinë e të burgosurve ose të miturve, për të treguar sa shumë duhet të bëjnë institucionet shqiptare për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të vet në vështirësi.
Drejtimi i pestë dhe i fundit, që shfaqet në deklaratën e samitit, ka të bëjë memekanizmin ndërveprues. Thuhet se “faqja internet e Samitit(www.samitidiaspores.al) do të shndërrohet në një platformë ndërveprimi operacional dhe interaktiv me qëllim tematizimin e tij”. Mirëpo, kushdo që ka një mi ose tastierë në dorë dhe mund të klikojë mbi faqen e përmendur, do të shohë se atje nuk ka përditësime. Diçka më shumë bëhet në faqen përkatëse të Facebook-ut, por jemi ende në fazë fillestare, me lajme e njoftime aspak homogjene e konstante, kryesisht me karakter mediatik, shumë larg synimit, siç thotë vetë deklarata, “për të mundësuar një bashkërendim horizontal dhe gjithëpërfshirës”. Sa për dijeni, ky proces, gjithnjë sipas deklaratës, “administrohet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Kryeministria dhe do të përfshijë gradualisht të gjitha institucionet”.
Le ta themi me eufemizëm se shumë pak është bërë dhe se ka ende punë për të bërë.