Albspirit

Media/News/Publishing

Presidenti Nishani, dekoratë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” për aktorë të mëdhenj të skenës shqiptare

Në një ceremoninë solemne të zhvilluar sot në Institucionin e Presidentit të Republikës, ku ishin të pranishëm artistë dhe aktorë, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, regjisorë e skenaristë, familjarë dhe personalitete të artit e kulturës, Presidenti Bujar Nishani vlerësoi aktorë të mëdhenj të skenës teatrore dhe kinematografisë shqiptare me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Kreu i Shtetit i akordoi Dekoratën e lartë shtetërore: Sulejman Pitarkës (pas vdekjes) “Në shenjë vlerësimi për njërin nga të parët e artit skenik shqiptar, bashkëkontribues në fillesat e Teatrit Kombëtar, duke vënë në shërbim të roleve dhe interpretimeve e të zhvillimit të teatrit e kinematografisë në Shqipëri talentin, kulturën, dijen, urtësinë, punën e tij të palodhur që e bënë një shprehës të përkryer mjeshtërie të lartë dhe përkushtimi të pashoq.”;

Sandër Prosit (pas vdekjes) “Në vlerësim të thellë shtetëror për njërin nga bashkëthemeluesit e parë të Teatrit Kombëtar, i cili kontribuoi denjësisht që në fillimet e jetës së këtij institucioni, duke vënë në themelet e artit skenik e duke sakrifikuar me vetëmohim për kinematografinë shqiptare talentin e rrallë, kulturën e gjerë autodidakte, punën dhe përkushtimin e tij të pashtershëm.”;

Kadri Roshit (pas vdekjes) “Në vlerësim të artistit të madh, i cili me interpretimet e tij të shumta në kinematografi, u shndërrua në një nga figurat kryesore dhe mbresëlënëse të artit skenik e të filmit shqiptar, dhe memories historike të kulturës shqiptare.”;

Violeta Manushit (pas vdekjes) “Me mirënjohje për forcën dhe larminë e interpretimeve të saj të përkryera në skenën teatrore dhe rolet e saj të paharrueshme kinematografike, në saje të të cilave ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme si njëra prej aktoreve më të dashura e më ndikuese në zemrat dhe mendjet e artdashësve shqiptarë”;

Ndrek Lucës (pas vdekjes) “Me mirënjohje për një artist të lindur e gjenial, i cili me interpretimet e tij të shumta aq të vlerësuara nga artdashësit tanë, ka lënë gjurmë të paharrueshme në artin skenik e kinematografik modern shqiptar.”;

Zonjës Margarita Xhepa “Si mjeshtre e përkryer dhe interpretuese e rrallë e artit skenik dhe atij kinematografik të vendit tonë të personazheve aq të spikatura jetësore, e cila për dekada me radhë ka portretizuar karaktere të panumërta dramatike e aq të dashura, duke mbetur përjetësisht e gdhendur në kujtesën e artdashësve shqiptarë.”;

Zotit Robert Ndrenika “Në vlerësim të artistit të rrallë e të talentuar, i cili me rolet dhe interpretimet e tij të paharrueshme në skenat teatrore dhe në kinematografi, është bërë tashmë, me thjeshtësinë e tij karakteristike të rrallë njerëzore, një nga figurat kryesore e të paçmueshme të artit kombëtar shqiptar.”;

si dhe zonjës Tinka Kurti “Me vlerësim të merituar shtetëror për interpretimet e saj të përkryera e mallëngjyese, duke u shndërruar prej disa dekadash me radhë në njërën prej aktoreve më të adhuruara e mbresëlënëse të filmit shqiptar që nga filmi i parë ‘Tana” e deri në qindra role të paharrueshme nëpër skenat tona teatrore.”

Please follow and like us: