Profesor Leon Rey: Udhëtimet e mia në Shqipërinë e viteve ’30
Publikohet një shkrim i panjohur nga revista franceze “L’Europe Centrale” i botuar në Paris në vitin 1934, ku autori, profesor Leon Rey, i cili për dhjetë vite me radhë drejtoi misionin arkeologjik francez në Shqipëri, ka përshkruar me mjeshtëri përshtypjet dhe mbresat e tij nga vendi i shqiponjave, si dhe bukuritë mahnitëse me resurset turistike të saj. Këshillat e tij për Shqipërinë në konferencat e shtypit, që ai dha para studentëve parisienë.
Monumentet e vjetra të kulturës, kalatë e lashta dhe ato mesjetare, qytetet e vjetra të zbuluara nga gërmimet arkeologjike, xhamitë, manastiret dhe kishat e dekoruara nga piktorë të njohur, bukuritë mahnitëse të bregdetit në të gjithë gjatësinë e tij, malet e larta me pyje të virgjëra dhe alpet e mbuluara me dëborë në të katërta stinët e vitit, lumenjtë e rrjedhshëm me ujë të kulluar dhe liqenet piktoreske të saj, kanë bërë që Shqipëria të jetë një vend i vizituar nga shumë turistë të huaj, që në vitet e para të shekullit të kaluar. Dhe gjithashtu të ngjalli një interes të madh edhe për mjaft studiues, shkencëtarë, historianë, eksploratorë etj., prej vendeve të ndryshme të Europës.
Një nga ata ka qenë edhe francezi Leon Rey, profesor në një prej universiteteve më të njohura të Parisit, i cili në vitet ’30, për dhjetë vjet me radhë, udhëhoqi në Shqipëri një mision arkeologjik francez. Të gjitha mbresat dhe përshtypjet e tij nga Shqipëria, të cilat i shkroi në disa artikuj gazetash franceze apo libra të veçantë, profesori i famshëm francez, që ishte i dashuruar pa masë pas vendit të shqiponjave,
ua përcillte edhe studentëve të tij parisienë, në konferenca të ndryshme që jepte herë pas here në universitete të ndryshme të kryeqytetit francez. Po cilat ishin mbresat e profesorit Leon Rey për Shqipërinë dhe shqiptarët, në çfarë qytetesh dhe krahinash të vendit tonë udhëtoi ai për eksplorime në fillimin e viteve ’30 dhe si ua paraqiti ai përshtypjet bashkatdhetarëve të tij francezë? Lidhur me këto, bën fjalë një artikull i tij, i botuar në revistën franceze “L’Europe Centrale”, si dhe disa shkrime të gazetarit shqiptar, Fiqri Llagami, i cili shoqëroi profesorin Leon Rey gjatë konferencave të shtypit që ai dha në Paris. Nga këto artikuj mjaft interesantë, ne kemi përzgjedhur disa prej tyre dhe po i botojmë me shkurtime në shkrimin e mëposhtëm.
Leon Rey dhe “Turing Club” i Francës me projekt për Shqipërinë
Është krijuar në Tiranë një klub automobilistik shqiptar, iniciativë e dobishme që i detyrohet z. Rexhep Yella, prefekt i atij qyteti. Ky funksionar i çquar më thosh në kohët e fundit që klubi i ri kish për qëllim zhvillimin e turizmit në Shqipëri, të tërheqi shëtitësit e huaj dhe të përmirësojë kondicionet e udhëtimeve dhe të ndejtjes së tyre. Para disa kohëve, autori i këtyre vijave i kishte paraqitur vetë Ministrisë së Punëvet të Brendëshme një projekt të Turing Clubit, që nën një formulë pak të ndryshme po krejt kombëtare, po përgjigjesh po këtij qëllimi. Për arsyera që nuk i di suxhestinioni im, nuk pati vazhdim atëhere. Unë jam i lumtur që shoh një interesim për këtë çështje dhe uroj që të sjell rezultate të mira. Çdo njeri e di që ardhja e turistave ka interes moral dhe ekonomik.
Me të vërtetë ky vend duhet njohur më mirë. Nuk ka propagandë më të mirë për të bërë një vend të duhet prej të huajve, veç dhënies të gjithë lehtësirave për të shëtitur. Kjo është pika kryesore e Qeverisë Shqiptare. Është më se e drejtë se Shqipëria ka vende piktoreske e artistike që duket çudi dhe që ospitaliteti i shqiptarëvet e meriton namin që ka. Në qoftë se marrim kartën gjeografike në dorë dhe heqim një vijë prej perëndimit në lindje, duke shkuar nga Durrësi në Tiranë dhe ta bashkojmë me Drinin, do të konstatojmë se të tëra vendet që ndodhen në mes të kësaj vije dhe kufirit Jugosllav, janë të përçara vetëm prej një rruge që duke filluar prej Veriut të Liqenit të Shkodrës, mbaron në Durrës dhe Tiranë.
Ky arter i madh është i vetmi që vë në komunikacion verinë e Shqipërisë me Kryeqytetin, dhe nuk largohet prej fushës litoriale që prej Shkodrës deri në Vlonë, ndanë malet prej detit. Asnjeri prej lumenjve si Kiri, Drini, Mati, që futen në mes të maleve nuk formojnë fusha të mjaftueshme për të bërë një rrugë, konstruksioni i së cilës do të kostonte punë arti shumë më shtrenjtë dhe pa dyshim në dispropocion me interesin e saj strategjik e ekonomik. (Nuk është prapa veçse një rrugë që të përçajë perëndimin, lindjen e verinë e Shqipërisë. Kjo rrugë, punimet e së cilës qysh prej disa vjetëvet duke shkuar prej veriut të Drinit nga Puka, duket të bashkojë Shkodrën me Kukësin. Shënim i prof. Leon Rey)
Mungesa e rrugëve, pengesë për turizmin
Mungesa e rrugëve e bën shumë të zorçëm turizmin nëpër alpet (si në Malësinë e Madhe, ashtu dhe në Shkrelin e Kelmendin etj.), që gjenden në veri të Drinit, si dhe vendet e Mirditës që ndodhen në jugë të këtij lumi.
Për shumë kohë akoma këto vende ku mbahen akoma zakone të vjetra dhe më të çuditshme jo vetëm të Shqipërisë, por të sinisisë Balkanike, nuk mund të vizitohen veç se prej udhëtarëvet trima, sose duke kënaqur vetëm me shëtitje të vogla nëpër vende që gjenden mbi rrugë. (Më të shumtët e atyre që kanë shkuar në këto vende kanë botuar ngjarjet e udhëtimevet dhe përbëjnë një literaturë turistike mjaft të madhe.
Përsa i përket banimeve e zakoneve të shqiptarëvet të veriut vepra më me rëndësi, fatkeqësisht shumë e shtrenjtë, 170 fr, është ajo e Baronit Nepcha: Albanien, Bauten, Trachten und Gerate Nordalbanien, Berlin ef Leipzig de Gruyter, 1925. Shënim i autorit Leon Rey).
Shqipëria e mesme dhe e jugës për fat të mirë janë të përçame prej një shumice rrugësh që lidhin qytetet e Durrësit, Tiranës, Elbasanit, Korçës, Beratit, Gjirokastrës dhe venë nga një anë Shqipërinë në komunikacion me Jugosllavinë (Ohri dhe Manastiri) dhe nga ana tjetër me Greqinë, (Follorin e Janinë).
Në këtë pjesë të Mbretërisë me mjaft lehtësi mund të organizohen udhëtime me automobil. Bukuritë natyrale që gjenden janë të shumta, veçanërisht në viset afër liqenit të Ohrit e të Prespës dhe në anë të detit e pashoqtë të Himarës.
Shqipëria të tërheq gjithmonë vërejtjen nga diversiteti i vendeve dhe nga pamja krejt të veçantë të çdo qyteti, ku nuk ka frikë mërzitjeje. Duhet të shtojmë këtu se Mbreti Zog, me gjithë dëshirën e tij për të vënë Shqipërinë në radhën e kombevet moderne, prapë nuk ka dashur të marrë ato masa radikale, që nën dominacionibn e Kemal Pashajt kanë ndryshuar pamjen e Turqisë, në mënyrë që oksidentalizma ka ndryshuar pak fizionominë e disa qyteteve si Tiranës e Durrësit, kurse në çdo vend tjetër, populli dhe veçanërisht nëpër katunde ka ruajtur masat e tij, tradicionet e tij dhe mënyrën e veshjes së të vjetërve. Nga kjo rezulton se faktori piktoresk që lot rolin më të mirë mbi tërheqjen e vizitorëve të huaj, ka mbajtur të tërë vleftën e tij; jo më pak interes prezanton në pikëpamjen turistike numri i math i monumenteve që i detyrohen civilizimeve të ndryshme, që qysh prej kohërave të vjetra kanë ardhur në Shqipëri.
Senatori Justin Godard solli arkeologët në Apoloni
Një ditë z. Justin Godard, emri i të cilit është shumë popullor në Shqipëri, shkon në Durrës, ku i dëftyen një objekt prej balte të cilin e kishin gjetur para pak kohe. “Kjo është një mrekulli”- thirri senatori i Lyonit-do t’ju dërgoj një mision arkeologjik”.
E mbajti fjalën dhe prej dhjetë vjetëve, pas shumë mundimeve sot po shohim të dalin prej dheut monumentet e admirueshme të Apolonisë së vjetër. Përveç një kolone të izoluar dhe disa mureve të mbuluara me barëza të egra, as një shenjë nuk do të gjendesh; sot një portikë e madhe 77 metra e gjatë, një godinë e bashkisë, fasada shumë e pasur e së cilës është pothuaj e zbuluar krejt, një odeon me një sanktuar shumë të bukur, i pozojnë admirim vizitorëve. Në Jug, pak larg kufinit grek, një mision italian jep dritë Butrintos.
E ç’të them pastaj për kishrat e Beratit e të Moschopolit, kishëra që janë akoma pak të njohura dhe që për fat të keq disa prej tyre po shkatërrohen. Nuk mjafton kaq. Në Shqipëri gjenden një numër i madh monumentesh të shekullit XVII e të fillimit të shekullit XVIII.
Dua të them për disa banime bejlerësh dhe për xhamitë e Tiranës të Elbasanit e të Peqinit. Arkitektura e brendshme dhe dekorimet e mureve i përkasin një arti neo-oriental, ose më mirë krejt shqiptar, ku bashkohen në mënyrën më të bukur elementët e ardhur prej Konstantinopolit e Italisë.
Në mes të këtyre monumenteve, që misioni arkeologjik francez po i studionte, ishte dhe xhamia e Karapicit, që për fat të keq u shkatërrua më 1930 për shkak të planit të ri të qytetit, i përgatitur prej një arkitekti italian.
Rey: Shqipëria, vend i paeksploruar
Pas një pune dhjetëvjeçare në krye të misionit arkeologjik francez në Shqipëri, profesori i famshëm frëng, i njohur edhe si një mik i madh dhe i sinqertë i vendit të shqiponjave, u kthye në atdheun e tij, në Francë, ku në një kohë shumë të shkurtër dha mjaft konferenca mbi Shqipërinë.
Në disa prej atyre konferencave që u ndoqën me një interes të jashtëzakonshëm nga mjaft studentë të universiteteve franceze, asistonte edhe gazetari shqiptar, Fiqri Llagami, i cili në një korrespodencë të tij nga Parisi dhënë për gazetën “Besa”, të Tiranës (dt. 12 shkurt 1934), midis të tjerash shprehej:
“Përshtypja e hymjes në konferencë asht e madhe. Të ftyemit e zgjedhun kuptuen nga goja e një profesori francez at që duhej. Mbas hymjes, aparati kinematografik qet në perde karatën gjeografike të Shqipnisë.
Oj Shqipni. Studentë dhe punëtorë shqiptarë nxjerrin një pshehrtimë dhe jam i sigurtë se atë emocion që ndjeva unë në zëmër, atë kanë ndjerë edhe shokët që ishin aty në atë sallë. Duhet që njeriu të rrij pak jashtë që t’i rrahi zëmra për atë vënd të vogël që quhet Shqipni.
Profesori francez gjen në Shqipnin atë shijen misterioze e cila e ban të tërheqëshme dhe të dashtun dhe beson se e “ardhmja turistike e Shqipnis vjen pjesërisht nga situata privilegjuese.
Them pjesërisht, pse vendi i shqiptarëve përmban në vet vete shumë bukurina piktoreske dhe artistike për me u bamë burim i parë i një udhëtimi. Asht kjo që më gëzon me u thanë e me ju tregue”.
Oratori tue shënue me shkopin e tij të gjatë, fillon nga Shkodra, së cilës i paraqet bukurinat dhe panoramat e shumta. Filmi kinematografik dhe goja e oratorit, paraqesin dhe përshkruejn nji nga nji liqenin, Bunën,
Kështjellën ku historia ka regjistrue shumë ngjarje të famshme të trimërisë së shqiptarëve kundra sulmeve të anmiqëve. Një fotografi e një vajze malëcore, veshun me petka kombtare tërheq admiratën e të gjithëve për bukurinë hyjnore të saj.
Ah! vajza shqiptare, të cilën disa duen me e lanë mbas dore dhe që Parlamenti u shtërngue tash së fundmi që të miratojë një mocion kundra atyne që për “modë”, përbuzin shqiptarkën. Po vajza shqiptare asht e rrallë të gjindet, qoftë për bukurinë, qoft për virtytet dhe karakterin e saj. Profesori Rey, mbasi përshkruen gjendjen e Krues (qytetit të Krujës), gjithnjë tuj i shoqnue me fotografina, paraqet edhe fotografinë e heroit legjendar, Skënderbeut, triumf i së cilit i ka kalue kufijt e atdheut.
“Nuk njof hero ma të nderuem”, vijon oratori. Fotografija e tij gjendet kudo dhe në çdo vënd; e mvarun si në murin e të pasunit, si dhe në atë të të vorfnit, gjindet gjithandej pranë fotografisë jo ma pak popullore dhe të dashtun të Mbretit të ri që sot drejton fatin e këtij Kombi”.
Durrësi dhe Tirana, me bukuri të rralla
Gjindemi tani para fotografisë së Durrësit, simpatik, për të cilën oratori ka fjalë të lëvdueshme. Paraqet antikitetet e Durrësit, kalanë, etj; në anën tjetër tregon panoramat e tij të bukura, ndërtimet e reja të cilat ditë për ditë po shtohen dhe po zbukurojnë këtë qytet të motshëm.
Një fotografi të Durrsit të vjetër, oratori e ka gjet në Bibliotekën Kombëtare të Parisit. Durrësi asht i studjuem nga arkeologu francez në të gjitha fazat e historisë së tij, plot me ngjarje t’interesantshme që bajnë me mendue kohnat e kalueme. Për të tashmen, oratori shpjegon ndërtimet e panumërta, të cilat i japin qytetit bukuri të madhe. Na mori malli të kujtojmë njëherë atë Tiranën aromatike, qëndra e aktivitetit të palodhur për transformimin dhe modernizmin e atdheut. Po, profesori i shquem francez sot, na paraqet jo atë Tiranën moderne, të cilën e admirojmë, por Tiranën e vjetër, at Tiranë kur 30 ditët e Ramazanit dilshin në Pazar t’armarmatosur me thika e topuza. Mbaj mënd kur para nja dy muejsh, nji nga personalitetet e Anglis, Sir Edward Boyle, vizitoj Tiranën mbas 9 vjetësh dhe, në deklaratën që bante shtypit thonte se nuk njifte tash tjetër gja veçse xhaminë afër Sahatit.
Këjo deklaratë banuesëve të Kryeqytetit ndoshta i u asht dukë e teprueme. Por Sir Boyle nuk ka thanë veçse të vërtetën. Tirana e 9 vjetëve me të sotshmen nuk munt të njihet fare. Rrugët e shtremba, dyqanet me taftabene, vija të ujit në mes të pazarit, varrezat e gjithë xhamijave, etj, janë tash për antikitetin.
Por s’asht nevoja të zgjatemi: Z. Leon Rey para se m hye në bisedë rreth Tiranës, tha: Ju betohem dhe ju siguroj se, nga kjo Tiranë që keni parsyve, tash nuk mundeni me e gjetë ma; përkundrazi sot ky qytet, që asht kryeqyteti i Mbretërisë, ka fytyrën e një qyteti krejt modern”.
Profesori francez ekspozonte edhe zhvillimin e vendit
Gjatë konferencave që prof. Leon Rey dha në qytete të ndryshme të Francës lidhur me punën e tij dhjetëvjeçare në krye të një misioni arkeologjik në Shqipëri, ai shfrytëzonte rastin, duke bërë herë pas here edhe ndonjë ekspoze të zhvillimit ekonomik dhe përparimeve që po pësonte vendi ynë në atë kohë.
Në një nga këto ekspoze, midis të tjerash ai shprehej: “Qysh prej dhjetë vjetësh sa punë janë krye në këtë vend ku gjithshka duhej ba. Kishte me qenë shumë interesante me i tregue fazat e ardhshme në të cilat nën udhëheqjen e Mbretit të ri që drejton fatin e Kombit, Shqipnia, kombi i vjetër, po shtet i ri, ka ardhë në gradën e një shteti fare modern. Do të ishte interesante me ju tregue përparimet në fushën ekonomike, industriale, tregtare, Gjithashtu kishte me qenë shumë kurajoze me pas se si ideali nacionalist i shqiptarëvet, ka përballue dhe do të përballojë akoma pengimet e daluna n’udhën e tij. Por sonte nuk asht ky programi i konferencës sonë”. Lidhur me fjalën e prof. Leon Rey, në shkrimin e tij në gazetën “Besa”, gazetari Fiqri Llagami, në mes të tjerash shprehet: “Dokument i ri dhe i shkëlqyer për ne shqiptarët. Një profesor i shqyem si z. Rey, nuk mund t’i rrihet pa mos e thanë opinionin e vet mbi evolusjonin përparimtar të Shqipnisë së sotshme, tamam në një konferencë, objekt i së cilës është vetëm shkencor. Shqipnija, nën udhëheqjen e Prijsit të Saj, do të vazhdoj udhën përparimtare pa marrë parasysh asnjë sakrificë dhe pa u frigue nga anmiqtë që për arsyena të dituna, u pëlqen ta paraqesin Shqipnin jo siç asht në të vërtetë. Zoti Leon Rey, me bujarinë e vet, asht nga ata që duen të thonë të vërtetën haptaz e mu në mes të sallës s’Universitetit. Dhe ky mendim i tij gjen besim e kredi se njihet se kush asht”.
Pasuria arkeologjike e Shqipërisë
Ka shumë gjëra për të thënë për pasurinë artistike të Shqipërisë. Çështja kryesore është që të shpëtohen këto gjëra prej prishjes dhe pastaj t’i viret vlefta kësaj pasurije. (Më pëlqen të them në këtë rast nisiativën e kryetarit të Bashkisë së Durrësit që ka krijuar një vënt në të cilën janë mbledhur të tëra gjërat e vjetra, si skulptura dhe inskripsione që janë gjetur qysh prej shumë vjetëve. Qeveria shqiptare, mundi nga ana tjatër, të ruajë muralen e adhurueshme të këtij qyteti. Shënim i prof. Leon Rey). Antikitetet e shumta të gjetura prej misionit arkeologjik francez, janë vënë një mbi një në një dhomë të vogël të Bashkisë së Fierit, kurse shumë bukur mund të mbushnin një muze të mirë. Gjërat e vjetra që janë gjetur prej kërkimevet të misionit italian, pjesërisht mund të gjenden në muzenë e pamjaftueshm të Tiranës, por për të admiruar kokën e perëndeshës së Butrintos, që është një prej gjërave më të mira të gjetura prej këtij misioni, duhet të vemi në muzenë e Therm-it në Romë. Shënoj se shumë gjëra me vlerë artistike merren prej kishave nga njerëz të pandërgjegje. Klubi i ri shqiptar bashkë me Ministrinë e Arsimit, ka një fushë veprimi të gjerë, pikë së pari çështjen e turizmit, që nuk është vetëm, si mund të besohet përmirësimi i hoteleve, i rrugëve, i transportit; duke thënë këto fjalë, unë besoj se bëj detyrën t’ime kundrejt një vendi që dua.