Albspirit

Media/News/Publishing

Pse u largua kompozitori? Genc Tukiçi: Pa asnjë motiv, drejtori i RTSH-një injorant

 

Të dashtun miq

Do të doja të ndaj me ju indinjatën lidhur me vendimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Radio Televizionit Shqiptar për pushimin nga puna, pa asnjë motiv, të vëllait tim David Tukiçi.

Dua t’ju shkruaj me realizëm dhe sinqeritet për Davidin, jo si vëllai im, por për Davidin si një muzikant me shumë vlera, si figurë artistike e Kombit Shqiptar, duke ruajtur edukatën dhe modestinë që prindërit tanë na kanë mësuar.

Në rastin më të mirë, vendimi i drejtorisë së RTSH, me duket i pashpjegueshëm dhe në rastin më të keq, do ta konsideroja amatoresk, dashakeq, pse jo … edhe injorant…

Davidi punon në RTSH që nga viti 1983, duke kontribuar me punën e tij krijuese në të gjitha zhanret … ka kompozuar opera, simfoni dhe shume vepra vokale dhe instrumentale, të interpretuara në Shqipëri dhe nëpër botë …

12 vjeç, fitues si këngëtar i çmimit të parë i festivalit të RTSH dhe me pas si kompozitor me këngët: “Mirë se vjen dit’ e re”, “Sagapo të dua”, etj… mbas disa vitesh në Itali , ku me dekret të Presidentit të Italisë i akordohet Qytetaria e Nderit (me motivacion, për kontributin që Davidi ka dhënë me krijimtarinë e tij, për rrezatimin e kulturës dhe muzikës nëpër bote..)

Ai rikthehet në Shqipëri, në RTSH, ku ai ka vazhduar të punojë i palodhur … po, i palodhur, ktë gja të gjithë e dinë … që nga polici i radios deri tek muzikantet … modest dhe i ndershëm … motoja e tij, pasioni për punën, krijimtaria muzikore, respekti për të tjerët … i diplomuar në Paris në një nga shkollat më të mira në planet … ai nuk i njeh fjalët “i paarritshmi”, “gjiganti”… që rendom i akordohet shumë muzikantëve në Shqipëri…

Davidi, që njeh shkëlqyshëm zanatin e tij, me CV-në që ka, do të punësohej nga çdo institucion artistik kudo në botë, 4 vjet para se ai të mbushë moshën e pensionit, pushohet nga puna nga Drejtoria e RTSH, institucion ku ai është rritur, ka kontribuar dhe … pushuar!!!

Davidi, me zotnillekun e tij nuk do të më lejonte të shkruaj këto rreshta … por unë mendoj që rasti i Davidit duhet të shërbejë si shembull në pejsazhin e kulturës dhe muzikës shqiptare ku siç thojnë në Shkoder, “mos të ketë ma lojë rrenash”.

Të dashtun miq … kërkoj nga ju, jo vetëm mbështetjen morale por edhe reale, që Davidi të mund të punojë në zanatin e tij … do të shihni se ai, kudo që punon, nderon veten dhe të tjerët…

Juaji Genc Tukiçi

Please follow and like us: