Si të pajisesh shpejt me një lejeqëndrim në Itali. Mënyra e shqiptarëve
Le Iene mes të miturve shqiptarë që hiqen si të braktisur në Itali e pajisen me dokumente qëndrimi e futen në shkollë. Në konsullatën shqiptare në Milano u thuhet se problemi është i njohur e i është përcjellë ministrisë që “po bën verifikime” por edhe që “ka të tjera gjëra me se të merret”
Romë, 1 dhjetor 2016 – Mjaft të mos kesh mbushur 18 vjeç e të thuash se je në Itali i pashoqëruar nga familjarë të rritur. E thonë hapur të rinj shqiptarë që u japin mend personave që hiqen si të interesuar për të ndjekur rrugën e tyre, pa ditur se janë duke u filmuar nga një telekamerë e fshehtë e emisionit televiziv “Le Iene”, që mbrëmë transmetoi një investigim pikërisht rreth kësaj teme. Temë, aspak e re, që prej kohësh është kthyer në problem shqetësues në qytete e krahina të veçanta të vëna në shënjestër nga familje shqiptare për të rregulluar në njëfarë mënyre fëmijët. Problemi ngrihej para një viti nga Emilia Romagna, madje para dy muajve, gjithnjë nëEmilia Romagna, u paditën 66 shqiparë pikërisht për këtë arsye.
Nga emisioni i mbrëmshëm kuptohet qartë që të rinjtë shqiptarë që përfitojnë nga ligji italian, nuk janë të braktisur nga familjet e tyre. E thonë hapur që kanë qenë familjet që i kanë nisur. Tregojnë edhe kur është çasti më i volitshëm për t’u paraqitur në një zyrë publike (e dinë mirë edhe ku duhet trokitur) për t’u pajisur shpejt me dokument qëndrimi, disa muaj para se të mbushin 18 vjeç sepse i pajisin shpejt me lejeqëndrim, para se të mbushin moshën madhore; tregojnë se ku është më mirë të të mbajnë: jo në komunitet, më mirë në një familje “se italioni i man mirë fare”, por edhe në hotel nuk është keq, “gallatë, muhabet, qef”. Tregojnë edhe që prindërit janë të kënaqur.
Gazetarët e “Le Iene” shkojnë edhe në Lushnje, ku nuk janë të paktë ata që konfirmojnë se shumë të rinj kanë ikur e janë pajisur me dokumente në Itali.
Të kthyer në Itali, takojnë Stefano Cugini-n, drejtor i drejtorisë së mirëqenies sociale të komunës së Piacenzas ku fenomeni ka marrë përmasa të mëdha. Për provokim, nga fillimi i shtatorit ka çuar 18 shqiptarë të mitur “të braktisur” në konsullatën e përgjithshme të Shqipërisë në Milano, nga ku është përzënë me përgjigjen: “Konsullata shqiptare nuk është aspak kompetente për këto gjëra”. Cugini shpjegon se situata po bëhet e papërballueshme në Piacenza sepse arrijnë vazhdimisht e madje “janë të mirinformuar mbi procedurën që duhet të ndjekin, mbërrijnë me një copë letër në dorë ku është shkruar emri i përgjegjëses që kemi për të miturit”; se në zona të caktuara të Shqipërisë “kalohet lajmi gojë më gojë mes familjeve që kanë vënë në shënjestër disa qytete” që duhet të marrin në ngarkim bijtë e tyre. Nga të dhënat e komunës shihet që nga 1 janari 2016 deri në 24 nëntor 2016 të miturit shqiptarë të braktisur janë 57, përbëjnë 70,3% të të gjithë të braktisurve.
E kur gazetari e ngre çështjen nga këndvështrimi i familjeve “Edhe ne italianët u themi bijve tanë të shkojnë jashtë se u ofrohen më shumë mundësi…” përgjegjësi i Mirëqenies Sociale të Piacenzas përgjigjet: “Po, Po kështu veprojnë edhe familjet shqiptare, por ka një dallim të madh. Nuk është njësoj të dish të përfitosh në mënyrë të ligjshme nga shërbimet sociale për të pasur mbështetje në rrugën tënde të jetës, me mënyrën e përdorur nga shqiptarët: të paraqitesh para zyrës së shërbimeve sociale e tu thuash ‘Ja ku jam, më merrni në ngarkim’”.
Vërejtjes së gazetarit se të rinjtë shqiptarë po u zënë kështu vendin të rinjve që vërtet kanë nevojë për mbështetjen e Italisë sepse largohen nga vende në luftë, si sirianë, afganë…, Cugini përgjigjet se është tamam kështu, po diskriminohen të rinj sirianë “që nga ana humane, etike, morale kanë nevojë për mbrojtje sepse largohen nga luftërat”.
Racizëm ndaj shqiptarëve? “Aspak. Unë nuk them që shqiptarët duhet të kthehen sepse ne nuk i duam, them që nëse kanë prindërit është më e drejtë të shkojnë të rrinë me ta sesa të lihen në ngarkim të shërbimeve sociale të huaja”. E kujt është përgjegjësia? Nuk ka asnjë dyshim Cugini, përgjigjet qartë e prerazi: “Përgjegjësia është e gjitha politike. E një shteti sovran, në rastin specifik Shqipëria, që e njeh këtë situatë e nuk po bën asgjë për ta zgjidhur”.
E së fundi gazetari shkon edhe në konsullatën e përgjithshme të Shqipërisë në Milano duke vënë mirë në dukje që nuk është përgjegjëse për situatën por është institucioni ku Cugini shkoi në shtator me të rinjtë shqiptarë “të braktisur”. Konsullja e përgjithshme (që fillimisht duket sikur nuk do të prezantohet si e tillë) thotë se e njeh problemin, dhe se ia kanë përcjellë ministrisë. Çfarë po bëjnë nga ministria? “Po bëjnë verifikime” përgjigjja e parë. “Ka të tjera gjëra për të bërë, ministria” përgjigjja e dytë.
“Situata nuk varet nga konsullata. Ne përcjellim problemin në ministri. Duhet parë çfarë nënkuptoni ju me “të braktisur”. Ne nuk jemi zyrë asistence sociale. Është detyrë e zotërisë (e ka fjalën për Cugin-n)… nëse shkojnë në një qendër sociale, duhet t’i presë” janë përgjigjet që gazetari merr duke u ftuar të largohet. I nxehur, në derë të konsullatës thotë se nuk është detyrë e qendrave sociale italiane të marrë në ngarkim qytetarë jo të braktisur “teorikisht të përfaqësuar nga kjo konsullatë këtu (e konsullja ndërhyn menjëherë “Jo vetëm” ) apo sidoqoftë nga përfaqësia doplomatike shqiptare në Itali, por padyshim nuk është zoti Cugini që duhet të merret me ta sepse nuk janë të braktisur”.
Për më shumë ndiqni videon 10-minutëshe nga programi i mbëmshëm i “Le Iene”: