Alfred Lela: Një çadër për grevistët e Zharrëzës
“Ngujimi’ i grevistëve të Zharrëzës hyn në ditën e dytë, ndërkohë që opozita hap nesër ditën e nëntë të protestës. Banorët e ‘fshatit të naftës’ janë pozicionuar poshtë shkallëve të Ministrisë së Energjetikës, edhe pas garancive verbale për kompensim të zv/kryeministrit Niko Peleshi. Pas largimit të tij dje, ia ka behur policia duke mos i lejuar grevistët që të ngrenë një çadër para Ministrisë.
Duke i lënë dy herë të pastrehë, dhe duke dëshmuar një formë të paburrërisë shtetërore dhe pandjeshmërisë njerëzore. Por, bash te ky moment, te moslargimi nga Tirana pas marrjes së ‘garancive’, lind edhe lidhja mes dy grupeve protestuese: opozitës dhe zharrëzjotëve. Të dy palët janë duke kërkuar një të drejtë, dhe janë duke ngulmuar drejt saj nëpërmjet formash demokratike për, shkak të mungesës së besueshmërisë te qeveria.
A nuk po thonë pikërisht këtë banorët e Zharrëzës? Pra, nuk kemi besim te përfaqësuesi i qeverisë, zv/Kryeministri, Niko Peleshi. A nuk po ngulmon te i njëjti argument edhe opozita? Nuk kemi besim se qeveria do të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme? Duke qenë se i bashkon mungesa e besimit ndaj qeverisë, nuk ka rëndësi a i bën bashkë edhe e njëjta strehë. Edhe pa e ditur apo kuptuar, kjo mungesë besimi i çon zharrëzjotët te çadra e opozitës përballë Kryeministrisë. Opozita, që i ka edhe numrat edhe mjetet, mund t’i ndihmojë ‘aleatët në mosbesim’ që ata të mos e kalojnë natën jashtë në shi e të ftohtë. Pa patur nevojën e një pakti të folur e të shkruar, të shkojë e të ngrejë një çadër për ta dhe të largohet. Atë që e pengon qeveria, mund ta bëjë opozita. Basha duhet t’u dalë zot fjalëve të veta: dikush po u bie me grusht atyre shqiptarëve!