Nada Biraçi

Pas 20 vitesh eksperiencë në fushën e marketingut dhe PR në Londër, në disa nga markat më të njohura botërore, për Artan Qerimi ato nuk janë vetëm një eksperiencë e shkëlqyer, por edhe një mundësi për të qenë pjesë e industrisë së modës. Ai është Ambasador i markës MCM, i pari shqiptar i cili punon në një markë kaq të njohur, duke pasur një kontakt të drejtpërdrejtë me klientë VIP, të cilët janë edhe të ftuarit e tij në showroom-in e MCM në rrugën Conduit 16 në Londër. Këto takime, nuk janë vetëm mënyra më e mirë për të reklamuar produktet e cilësisë së lartë të MCM, por edhe një mundësi për t’u sugjeruar personazve VIP, stilin e lartë të kësaj marke. Në një intervistë eskluzive për BORDO, ai rrëfen eksperiencën e tij nga Dolce and Gabbana, te Gucci, Harrods, Versace dhe Galliano, e së fundmi pej 7 vitesh pranë MCM.

 

Ju jeni aktualisht Ambasador përfaqësues i markës MCM në Londër. Si është kjo ekperiencë për ju?

Është një nga eksperiencat më të mira të jetës time. Të them që ëndrra mu bënë realitet ndoshta është shumë. Jam shumë i nderuar që më kanë dhënë këtë titull. Të jem fytyra e MCM në marketing për të gjithë Anglinë, është një privilegj për mua. Sepse MCM është një nga markat më prestigjoze në botë.

Thatë pak më lart që ëndrra ime mu bë realitet. Kjo do të thotë se arritët çfarë keni ëndërruar gjithmonë, apo synoni diçka tjetër ende?

Jam shumë i kënaqur. Sinqerisht nuk dua më shumë se kaq, për momentin. Megjithatë nuk i dihet të ardhmes, ndoshta bëhem Ambasadori përfaqësues i MCM në botë. (qesh).

Cilët janë klientët target grupi që blen më shumë MCM?

Klientët në shtëpinë e MCM, janë aziatikët, europianët dhe arabët lindja e mesme.

Në garderobën tuaj personale ka vetëm MCM?

Garderoba ime ka pak nga të gjitha. Fakti që punoj në MCM nuk do të thotë që nuk më pëlqejnë firmat e tjera. Por sigurisht që pjesa më e madhe e garderobës time personale është MCM.

MCM nuk ka ardhur ende në Shqipëri. E keni menduar ndonjëherë të sillni këtë markë në Shqipëri? A ka treg Shqipëria për këtë markë?

Për momentin mendoj se jo. Imagjino një çantë shpine”back pack” kushton minimumi 700 paund. Për standartin e jetesës në Shqipëri duket e pamundur. Megjithatë nuk i dihet, ndoshta mund të vije edhe MCM në Shqipëri  një ditë.

 

MCM është një ndër brand-et më të njohura në botë, dhe ju sigurisht keni patur rastin të takoni nga afër personazhe të njohur të showbizit botëror. Cili prej tyre ju ka bërë më shumë përshtypje. Keni patur ndonjë histori të këndshme?

Sigurisht që në show room-e vijnë shumë personazhe të njohur. Justin Bieber, Adele, Alexandra Burke, Adele, Tinie Tempah,  Neyo, Vanessa Kingori (Kryeredaktorja  e GQ angleze). Gjithashtu futbollistët e Chelsea vijnë shumë shpesh.  Një ditë po mbyllja showroomin dhe vjen një zonjë, të cilën nuk e njoha. Ajo kishte lënë një takim pa emër. Ishte pikërisht këngëtarja Adele. Ishte një njeri shumë i thjeshtë, modeste dhe nuk bënte aspak rolin e divës.

Po shqiptaret e famshme, Rita Ora, Dua Lipa kanë ardhur në showroom-un tuaj?

Sigurisht që ato e preferojnë markën MCM sepse i kam parë garderobat e tyre, por unë personalisht nuk i kam takuar ende.

Cili është konkurrenti juaj i drejtpërdrejtë në industrinë e modës?

Po, është Louis Vuitton por edhe disa marka të tjera të cilat kanë ndjekur trendin e çantës “Back Pack”, të cilën e lançoi për herë të parë MCM.

Kjo nuk është eksperienca juaj e parë, në një markë të njohur. Ju gjithashtu keni punuar për Dolce & Gabbana, Gucci, Galliano, Versace, Harrods. E kujtoni eksperiencën e parë në një markë të njohur? 

Eksperienca e parë ka qenë me Galliano. Si “personal stylist”,  që sugjeroja vipat se çfarë duhet të zgjdhnin dhe se çfarë u shkonte më shumë.

I ndiqni javët e modës?

Po i kam ndjekur shumë herë, por tani janë kthyer në një rutinë dhe u bë ca kohë që nuk shkoj më t’i ndjek.

Ju keni emigruar për herë të parë në Itali në vitin 1998. Cila  ka qenë puna e parë që keni bërë si emigrant?

Puna e parë ka qenë kamarier në një restorant në Romë. Aty punova për rreth 1 vit. Gjatë asaj kohe ndoqa një kurs për marketing, i cili sigurisht që më ka shërbyer gjatë gjthë karrierës time. Më pas u regjistrova në një agjensi pune. Dhe puna ime e parë fare në një markë të njohur, ka qenë si shitës në një prej dyqaneve të Dolce & Gabbana.

Çfarë mendimi keni për stilin e shqiptarëve në veshje.

Brezi i ri më pëlqen shumë, kanë stil dhe kanë sjellë një frymë perëndimore në stilin e veshjes. Gjithashtu brezi i ri i kushton një rëndësi të veçantë edhe fizikut, pjesa më e madhe janë të palestruar dhe më bëhet shumë qejfi për këtë gjë. Për fat të keq nuk mund të them të njëjtën gjë për brezin e 40-vjeçarëve psh. Duket se nuk i kushtojnë shumë rëndësi pamjes së jashtme.

Personazhi i showbizit shqiptar që mendoni se vishet më bukur dhe që ka stil?

Të them të drejtën nuk kam edhe shumë kohë të ndjek shumë televizionet apo mediat shqiptare. Por një emër mund ta them. Jonida Maliqi më pëlqen shumë. Ka një stil shumë të veçantë.

Jeni kaq i zënë me punë, si e gjeni kohën për jetën tuaj private?

Është e vërtetë, jam tmerrësisht i zënë me punë. Por mundohem ta alternoj kohën. Gjej kohën edhe për veten time, sepse pastaj ç’kuptim do të kishte./Bordo/