Albspirit

Media/News/Publishing

Viron Kona: Fëmijët janë si zogjtë

                 

                                     –tregim-

 

Atëherë, im bir rreth 6 vjeç, nuk ishte mirë me oreks. Po dobësohej, ndihej i pafuqishëm dhe po na vinte në merak të madh. E kishim çuar për vizita te disa mjekë dhe ishim këshilluar me miq e shokë, por nuk po arrinim dot t`i ngjallnim oreksin. S`dinim ç`të bënim më shumë. Dhomën ia kishim mbushur plot e përplot me lodra lloje-llojesh dhe me libra me figura, ndërkohë që i plotësonim çdo tekë e kërkesë…. Por, më kot. Djali thuajse nuk pranonte të hante asnjë lloj ushqimi, rrinte i mbyllur në shtëpi, teksa tretej nga shëndeti…Mes miqve tanë, një ditë u ndodh edhe Petroja, djali i hallës nga Narta, peshkatar i thjeshtë me sytë ngjyrë ulliri dhe gjithnjë i qeshur. Kisha dëgjuar se në fshat ishte shumë i kërkuar për humorin e tij, madje thuhej se as karnavalet e Nartës nuk fillonin pa qenë atje Petroja…Kur ne në shtëpi përmendëm mungesën e oreksit të djalit, ai na dëgjoi me vëmendje dhe tha:

-Bjereni djalin në tufë, le të ri ndonjë javë a  dhjetë ditë andej nga ne dhe do ta  kthejmë këtu si një dash.

Unë dhe ime shoqe këmbyem vështrime me njëri-tjetrin dhe na u duk ca si e tepruar kjo shaka e  Petros. Por, ai e kishte me gjithë mend. Madje shfaqi dëshirën që, sapo të largohej, ta merrte djalin me vete.

-Që sot?

-Po, ja, pas pak ngrihemi dhe shkojmë. Bëjeni gati djalin.

Nuk e vramë mendjen më gjatë. Le ta provonim edhe këtë që thoshte Petroja. Ndërrimi i klimës mund t`i bënte vërtetë mirë djalit. Kështu që, bashkë me Petron dhe tim bir për dore, dolëm te stacioni dhe morëm autobusin për në Nartë. Na pritën gjithë gëzim bashkëshortja e Petros dhe të shtatë vajzat…

 

xxx

 

Im bir qëndroi në Nartë afro dhjetë ditë dhe, kur u kthye nuk e njohëm, aq shumë kishte ndryshuar. Petroja dhe familja e tij e kishin mbajtur fjalën. U ngazëllyem dhe nisëm ta përqafonim me mall e dashuri djalin, ndërkaq, shihnim në mënyrë pyetëse nga Petroja dhe nga bashkëshortja e tij, se çfarë kishin bërë ata, që biri ynë kishte ndryshuar aq shumë brenda një kohe aq të shkurtër?

–Po afron dreka dhe djali po kërkon të hajë, – tha ime shoqe e gëzuar.

Të dyja gratë shkuan nga kuzhina duke bashkëbiseduar dhe nisën  përgatitjen e drekës dhe skuqjen e një peshku të madh, që e kishin sjellë miqtë nga Narta.

-Ndihem i emocionuar Petro,-i thashë,- dhe, si unë dhe gruaja, s`dimë se si t`ju falënderojmë, por, çfarë bëtë ju që djalit i erdhi oreksi dhe u bë kaq mirë?

-Çfarë bëmë? Asgjë nuk bëmë, asgjë…

-Si asgjë?

-Po, ja, vetëm sa e futëm në tufë, – tha Petroja, – në tufë, bashkë me vajzat tona.

-Vetëm kaq?-e pyeta dhe e pashë i habitur.

-Po ja, si të ta thotë vëllai ty: fëmijët janë si zogjtë, shohin njëri – tjetrin dhe hanë. Kështu edhe djali, shihte se si hanin vajzat, hante edhe ai. Peshk ato, peshk edhe ai. Trahana ato, trahana edhe ai. Nuk bënte naze. I dhamë lugë të vogël ditën e parë, por të dytën ai kërkoi lugë të madhe, njëlloj si lugët me të cilat hanin vajzat…Ja, kështu! Por, edhe luanin, lëviznin, vraponin, dilnin nga bahçeje, këputnin vetë frutat në pemë: fiq, pjeshkë, shegë, dardhë, rrush. Apo ç`e hante rrushin! Rrushin vlosh!  E këpuste vetë në vresht dhe  e hante me qejf të madh kokërr më kokërr. Nga ai rrush bëjmë verën e famshme ne, që na i pëlqejnë të gjithë: edhe në Shqipëri, edhe jashtë shtetit…Me vajzat, dolën edhe në sheshin e fshatit, takuan dhe fëmijë të tjerë. Nartiotët e vegjël e pëlqyen djalin, e afruan dhe e futën në lojëra. Fëmijët miqësohen shpejt. Ata i  jepnin kush stafidhe,  kush arra, kush palafike…Ama, edhe ai, djalë po djalë, i merrte me druajtje dhe u thoshte: “Faleminderit!”, njërit dhe, “Faleminderit!” tjetrit. Edukatë, po edukatë! Pastaj, edhe ai ua shpërbleu mikpritjen, i mësoi se si të vizatonin një shtëpi, një rosë, një pëllumb…I vogël, i vogël, po qenkej i zoti djali në vizatim, ne nuk e dinim!

Vajzat e merrnin dhe shkonin edhe nga gjoli. Atje, po, tjetër botë!

Argëtoheshin me zogjtë që, janë me mijëra dhe lloje-lloje në gjolin tonë. Edhe ata, kur shikojnë fëmijë afrohen, afrohen shumë, duan edhe ata të luajnë. Eh, ç`të qeshur bënte djali kur lejlekët dhe dallëndyshet e detit i vinin rrotull mbi kokë. Ja, ka për t`ju treguar edhe vetë, gajasej së qeshuri kur u hidhte thërrime buke…Trazohej dhe përzihej me rosat, bajzat dhe patat e egra, i përndiqte, donte t`i shikonte kur nisnin e fluturonin duke prekur këmbët rrëshqitazi mbi gjol…Trembeshin çafkat dhe pulëbardhat…por ktheheshin, afroheshin përsëri, e shihnin në sy…Ishim me fat se, (në pranverë dhe vjeshtë), në gjolin tonë kanë ardhur edhe shpendë të rrallë, krillat dhe flamengot. Krillave ne u themi “gjel deti i egër”, kurse flamengove “lejlekë krahëkuq”. Argëtohej djali, sidomos kur, në mëngjes dhe në mbrëmje, ata shpendë aq të bukur, dukej sikur jepnin shfaqje baleti përpara banorëve të gjolit, me ato këmbët e holla si purteka dhe me ato qafat e gjata si kërraba…Pale pastaj kur fluturonin dhe ngriheshin me vrull nga uji…! Një ditë, djali pa një rosë mëmë që u zhyt në gjol dhe, kur doli mbante në sqep një peshk. I mbeti në mendje kur ajo iu afrua rosave të vogla, bijave të saj, që, menjëherë hapën sqepat dhe, atëherë,  rosa mëmë nisi t`i ushqente me peshkun e freskët… Por, djali vraponte edhe pas fluturave. Lidhi një cinxër me pe, e lëshoi dhe nisi të vraponte pas tij nëpër ullishte. Kishte qejf edhe këngët e gjinkallave, ato, njëlloj po njëlloj, por djali donte t`i dëgjonte…Ngritën edhe balona me bishta të gjatë me ngjyra, por edhe kukumjaçka. Bëri edhe vetë një kukumjaçkë, e vizatoi bukur dhe e ngriti në qiell. Pa le të shikoje vaporët prej letre! Bëri një të madh dhe disa të vegjël, pastaj, i ngjyrosi me ngjyra të ndryshme. “Janë ngjyrat e ylberit”, – na thoshte. Atë mëngjes që lëshoi vaporët në gjol, u mblodhën shumë kalamaj nga fshati. Si flota jonë  e peshkimit dukeshin, era dhe dallgët i çonin andej-këndej… Do pyesësh ti, po me librat, po me leximin? Se, e di, ato i keni merak ju. Por, edhe me ato s`mbeti pas, se, vajzat ia sillnin librat lloje-lloje, me përralla, me gjëra për të qeshur, me vjersha, me figura dhe ngjyra…Në darkë shihnin televizor, por edhe  tregonin përralla të bukura. Secila nga vajzat tregoi një nga përrallat që dinte më mirë, kështu që ai mësoi prej tyre shtatë përralla. Ai vetë tregoi përrallën e Pinokut. Ua tregojë edhe fëmijëve të fshatit. Ata e dëgjonin dhe gajaseshin. Po qysh është historia e Pinokut, ë: kur nuk e mbante fjalën dhe gënjente, i rritej hunda! E bukur, shumë e bukur kjo histori, sidomos për ata që gënjejnë… Pëlqente shumë djali edhe historitë dhe qyfyret e mia të peshkimit, kështu që, erdhi te gjoli dhe hipi edhe në lundrën time. Bashkë hodhëm rrjetën dhe  grepat…Po, do t`i që djali është fatsjellës, më ka shkuar mbarë peshkimi këto ditë. Sa herë që e merrja me vete, kapja peshk të madh dhe ngjala plot…Ja, peshku që ju kam sjellë,  është pjesa e djalit, pa atë nuk do ta kisha zënë. Unë vetëm ca verë kam shtuar. E po, do ta pimë nga një gotë nga vera jonë e Nartës për shëndetin e  djalit dhe tuajin…E, që ta kam fjalën, u bënë xhelozë ca shokë të mi peshkatarë. “Vetëm për vete mendon, o Petro, dërgoje edhe nga ne ndonjë ditë djalin, të zëmë edhe ne ca peshk!” – më thoshin me të qeshur.

Po, ku e lija unë djalin, ku e linin vajzat, ku e linin kalamajtë e tjerë! Ata e donin shokun e tyre të ri atje te sheshi i fshatit, t`u mësonte vizatim, t`u tregonte për Pinok gënjeshtarin, të luanin, të këndonin bashkë, se, djali, di edhe të këndojë bukur. Eh, ç`zë që ka, ke qejf ta dëgjosh! Ja, kështu, në tufë, me njëri – tjetrin,  atje është e mira e fëmijëve, – përfundoi Petroja dhe, kur më pa që kisha mbetur i shtangur dhe e dëgjoja i hutuar, më pyeti:

-Nuk të pëlqyen fjalët që thashë apo kam bërë ndonjë gabim duke folur?

-Asnjë gabim s`ke bërë, o Petro, asnjë. Të gjitha sa the më pëlqyen, por, nuk di ç`të them, ndihem fajtor, kam humbur mendjen pas punës dhe, nuk i kam njohur dëshirat e djalit, por as pasionin e tij për të vizatuar, për të kënduar…Vërtetë djali u mësoi fëmijëve të fshatit të vizatonin rosa dhe pëllumba, vërtetë?

-Po, or, po. Edhe në shtëpi u ka lënë vajzave si kujtim nga një vizatim: kujt një zog, kujt një rosë, një peshk, një varkë, një qen, një mace, një flamengo qafë gjatë…Ua jepte vizatimet vajzave një e nga një dhe i pyeste: të pëlqen? E ka merak djali, do që t`i thuash një mendim kur bën diçka, sidomos kur vizaton, kur këndon, kur tregon një përrallë… Vajzat dinin se ç`i thoshin, fëmijët kanë gjuhën e tyre…Eh, si merreshin vesh! Ne të rriturit, ca i kuptojmë, ca i ngatërrojmë! Shohim vetëm lart, prandaj dhe qëllon që pengohemi…Po, dale se s`të thashë kryesoren: Te autobusi, kur po niseshim për këtu, erdhën shumë fëmijë nga fshati për ta përcjellë djalin. I thanë të vinte përsëri, të mos i harronte…Dhe, të gjithë bashkë, kishin mbushur një shportë plot me fruta të freskëta, të porsa këputura nga pemët. Është shporta që kam sjellë, e ka dhuratë djali nga shoqet dhe shokët e rinj të fshatit…Por, edhe një kuti me ngjyra, letra vizatimi dhe një fletore: “T`i kesh kujtim nga shoqëria jonë”, – i thanë…

Dhe, ndërsa Petroja vijonte të fliste, unë s`po e mblidhja dot veten nga ai gufim  ndjenjash të bukura, nga ato fjalë plotë jetë dhe gjallëri e që, më shumë se gjithçka, ngjasonin me një shkulmë pranvere. Ai peshkatar i thjeshtë, me sy ngjyrë ulliri, vetëm në pak çaste, më dha fare natyrshëm ca nga ato mësimet e çmuara, që njeriu i merr në jetë si pa kuptuar, pa bujë e zhurmë, fare qetësisht, ashtu siç vijnë në natyrë flladet dhe erërat, siç çelin  sythet, gonxhet, lulet…I përfshirë në këto ndjenja që më kishin prekur thellë dhe më kishin mbushur plot e përplot zemrën,  gati nuk e dëgjova Petron kur  po thoshte:

-Pas pak ditësh kemi karnavalet, do ta marrim prapë djalin atje. Vajzat dhe ne i kemi dhënë fjalën, do të luajmë, do të këndojmë dhe do të kërcejmë me maska…Karnavalet po karnavale, e di ti…Pastaj, do të shëtisim edhe nga Kavalona dhe buzë gjolit me biçikleta, do shkojmë  nga Zvërneci, nga manastiri, nga Skrofotina… Do shkojmë edhe nga punishtet e vajit dhe të verës, por, edhe atje ku bëhen shportat, kanistrat, fshesat e kripës…Do kalojmë në anën tjetër  të gjolit, që djali të shohë kredharakët se si zhyten dhe kapin peshkun me sqep dhe, të mësojë të zhytet edhe ai në ujë, të vërvitet në dallgë; të shohë edhe dunat dhe të rrokulliset në rërën e nxehtë; do të futemi edhe  brenda pyllit me pisha, ku djali të bredhë e të luajë kukafshehtas, të mbledhë manaferra dhe xinxife, të shikojë edhe ndonjë lepur që ia mbath nga frika, të mësojë të ruhet nga nepërkat dhe grerëzat, të freskohet me erërat e pyllit, të njohë këngët e zogjve…

 

 

Please follow and like us: