Albspirit

Media/News/Publishing

Alfred Lela i përgjigjet Çilit me një shkrim nga arkivi: Nuk mund të ketë ministër teknik për aq kohë sa Rama është dhe kryeministër dhe ministër

Një ditë më parë Henri Çili hodhi idenë se Rama për të sheshuar polemikën me opozitën duhet të emërojë një ministër teknik në vend të ministrit aktual të Brendshëm Saimir Tahri. Kërkesë kjo, që u refuzuar menjëherë nga Partia Demokratike, Kryetari të cilës, Lulzim Basha nënvizoi se opozita nuk kërkon kokën e Tahirit, por atë të Ramës, pasi vetëm kështu mund të garantohet vota e lirë dhe e ndershme. Alfred Lela gjatë mëngjesit të sotëm ka sjelurr ndërmend në fb-në e tij një shkrim nga arkiva, ku thekson se në qeverinë Rama nuk mund të ketë ministër teknik, pasi Rama është vetë dhe ministër dhe kryeministër dhe e vetmja mënyrë për të pasur ministër teknik është që dhe kryeministri të jetë teknik.

Alfred Lela

Jo autori i këtyre radhëve, por Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, i cili duke qenë shef i ekzekutivit zgjedh të identifikohet me të gjithë ministrat dhe i merr mbi vete përgjegjësitë e humbjes, ashtu edhe dafinat e fitores.

Ai ngjan këtu me disa trajnerë futbolli, të cilët kur u humbet skuadra thonë se është faji i tyre dhe jo ‘i djemve’. Një qëndrim i tillë në pamje të shkujdesur, ngjan moralisht i respektueshëm, sepse në rastin shqiptar të paktën, thekson apo bart traditën paternaliste të këtyre anëve ku pater familias merr përsipër nderën dhe koritjen.

Përndryshe, mund të dallosh te kjo përzgjedhje identifikuese dhe ‘sakrifikuese’ e z. Rama, qasjen autoritariste të llojit ‘Unë jam ministri i Brendshëm !’; ‘Unë jam të gjithë ministrat!’; Unë jam qeveria ; Unë jam shteti; Unë jam Shqipëria!. etj., etj.

Ky është një konspektim i idesë së pushtetit, e cila nuk duhet të na pengojë megjithatë të këqyrim në ngjarjet e ditës, për t’iu kthyer më pas po asaj. Të mërkurën në një pritë të organizuar me kujdes, në Elbasan mbetën 3 të vdekur dhe 8 të plagosur, tre prej të cilëve me plagë të rënda dhe ende në luftë për jetën. Njëra nga pistat, ende vetëm e hamendësuar dhe e hedhur poshtë nga familja Mema, flet për një hakmarrje të mundshme të tyre ndaj familjes Çapja.

Ky dyshim, sado i pavërtetuar, u ka mjaftuar palëve politike për të nisur një betejë tjetër me qëllim përfitimin e kapitalit elektoral. Nëse kjo linjë e ka prodhuar ngjarjen e së mërkurës, opozita duhet ta dijë se vrasja e parë që u ka dhënë zjarr edhe disa të tjerave, ka ndodhur në vitin 2005. Përfaqësuesit e mazhorancës m’anë tjetër nuk kanë pse kthehen mbrapsht në kohë, për të gjetur shpjegime për dështimet e sotme te paragjykimet e djeshme. Kur një qeveri është gati të hyjë në vitin e katërt të mandatit, nuk mund t’i varë shpresat e marketingut politik te qeveria e vjetër. Automatikisht edhe ajo do të vjetërsohej në sytë e publikut. Ndër dy qeveri të vjetra, në mungesë alternative populli zakonisht ‘hedh’ atë që po vjetërsohet më shpejt. Dhe ky është një cen i palës në pushtet.

Një vëzhgim i dytë që shpjegon kontekstin është edhe kamuflimi i vrasësve me uniforma të shtetit. Në fillim u tha ‘policie’ dhe më vonë u bënë përpjekje të forta për ta larguar ngjyrën blu nga veshja e atentatorëve, duke i pajisur ata me kamuflazh të forcave speciale të ushtrisë. Pak rëndësi ka. Në çdo rast, krimi po impersonon shtetin. Dhe kjo nuk është shenjë e mirë. Sidomos kur ka një përsëritje të këtij kamuflazhi brenda një harku të shkurtër kohor dhe në disa vrasje dhe rrëmbime famëkëqija. Ndërkohë që shteti bërtet se po lufton krimin, ky i fundit kërkon të identifikohet me shtetin. Kuptohet, në rrafsh simbolik, por simbolika e krijon realitetin.

A nuk ngulmon kryeministri pikërisht këtë me gjuhën e simboleve me të cilën qeveris: bunkerët, kërpudhat, qendrat e qyteteve, belhollat në vend të barkderrave, procesi i zhgardhimit të kryeministrisë, ekspozitat e pikturës, e me radhë?

Meqë jemi te simbolet, ndoshta z. Rama i duhet që në këtë rrafsh të japë ca shenja të reja. Nëse ai thotë, me anë të simbolikës: ‘ministri i brendshëm jam unë’, kjo nuk do të thotë se shkarkimi i z. Tahiri përbën delegjitimim të tij si kryeministër. E kundërta: ai legjitimohet edhe më shumë; si nëpërmjet ndryshimit (change is good), ashtu dhe simbolikës së pushtetit (e bën se mundet).

Në mos, ai i beson një mendimtari konservator si Roger Scruton, i cili kur flet për zgjedhjet dhe demokracinë në vendet ish-komuniste, thotë se procesi i zgjedhjeve nuk i bën vendet më demokratike dhe as i përmirëson. Ai flet për një shpirt publik që është në thelb të demokracisë, ndërkohë që zgjedhjet janë vetëm një instrument i rotacionit të pushtetit. Në këtë sens as ndërrimi i ministrit, cilitdo prej tyre, nuk e përmirëson/cenon qeverisjen, duke mbetur thjesht një instrument i shprehjes së pushtetit.

Por, z. Rama është progresist, jo konservator.

Please follow and like us: