Albspirit

Media/News/Publishing

Armando Prenga dorëzon mandatin, ja çfarë i shkruan Metës

Para mbledhjes së KQZ, Armando Prenga ka vendosur që të dorëzojë mandatin e deputetit.
Ai i ka dërguar një letër kreut të Kuvendit Ilir Meta ku e njofton për dorëzimin e mandatit.
Në letrën që i ka shkruar kryeparlamentarit Ilir Meta, Prenga shkruan se Mandati përfundon edhe kur deputeti heq dorë. “Ju lutem nisni procedurat për heqjen e mandatit tim. Akuzat e opozitës ndaj meje janë shpifje të pastra. Për qetësinë time dhe të familjes time, vendosa që të dorëzoja mandatin”, shkruan Prenga i cili është nën hetim nga Prokuroria. Tani Kuvendi të vihet në lëvizje për vakancën”, shkruan Prenga në shkresën drejtuar kryeparlamentarit dhe që mban datën 25 shkurt 2017. Mandati i deputetit, Armand Prenga u shndërruar dhe në një përplasje mes kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba. Kreu i KQZ-së i kërkoi Prokurorisë dokumente shtesë për të argumentuar kërkesën për heqjen e mandatit të deputetit Prenga. Gjatë paradites së shtunë, Prokuroria e Përgjithshme më shumë sesa një përgjigje, i ka dërguar KQZ-së dhe kryetarit të saj faktin që provën kryesore për ndërprerjen e mandatit tashmë e kishte në dosje. Sipas prokurorisë, mjafton vetëm fakti që Prenga nuk ka deklaruar një vendim penal ndaj tij të Gjykatës së Kurbinit, që atij t’i ndërpritej menjëherë mandati. Përveç kësaj, Prokuroria i kujtoi KQZ-së, se ka vetëm 10 ditë kohë për shqyrtuar dhe vendosur në lidhje me mandatin e deputetit Prenga dhe se kjo kohë ka filluar që nga data 15 shkurt, kur i ka dërguar kërkesën për ndërprerjen e mandatit dhe këtë të shtunë ky afat ligjor, sipas prokurorisë përfundoi.

Letra drejtuar Kryeparlamentarit Meta:

I nderuar, z Kryetar

Duke ju shprehur konsideratën dhe falënderimet për bashkëpunimin e deritanishëm, më lejoni që nëpërmjet kësa letre të paraqes dorëheqjen time nga mandati i deputetit të partisë “Socialiste”, në Qarkun Lezhë.

Kjo kërkesë është mbështetur në përcaktimet e nenit, 71, pika 2, germa ‘b’ e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sipas së cilës mandati i deputetit mbaron, ndër të tjera, dhe kur deputeti heq dorë prej tij.

Bazuar në nenin 164 të Kodit Zgjedhor, i cili përcakton se në rast të ndërprerjes së mandatit të deputetit, Kuvendi njofton KQZ për krijimin e vakancës, lutemi nga ana juaj vënien e procedurave për këtë qëllim.

Por, dëshiroj t’ju informoj ju z Kryetar, por edhe opinionin publik se, ligji nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, asnjë dispozitë të tij, nuk parashikon ndërprerje të mandatit të të zgjedhurve, për një dënim me gjobë, siç është dhe rasti im. Por, për qetësinë time dhe të familjes sime, deklaroj si më sipër se, heq dorë, sot dhe gjithmonë, nga mandati që zgjedhësit e mi dhe Kushtetuta më kanë ngarkuar.

Së fundmi, i konsideroj të drejta, të padrejta dhe shpifje të ulëta akuzat politike të opozitës dhe personale të autorizuar prej tyre.

Me respekt

Armando Prenga  

Please follow and like us: