Albspirit

Media/News/Publishing

Familjet anti-komuniste kujtojnë ‘Vdekjet e Martirëve’

Fatjona Mejdini

 

Rreth 64 vjet pasi parashutistët e fundit të Kompanisë 4000 – një grup disidentësh shqiptarë të trajnuar nga CIA për të luftuar regjimin komunist të Enver Hoxhës – u hodhën nga ajri në tokën shqiptare, presidenti Bujar Nishani ka vendosur të nderojë familjet e tyre.

Më 20 shkurt, Nishani lajmëroi se do t’i jepte familjeve medaljen Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Afërdita Gjura, tani 62 vjeçe, është një nga ata që do të marrë medaljen e nderit në emër të të atit.

“Ajo që presidenti bëri ishte një mrekulli dhe ëndrra e tij ati më në fund u realizua”, tha ajo.

“Familjet e Kompanisë 4000 vuajtën shumë gjatë regjimit komunist dhe ato e meritojnë vërtetë këtë. Jemi të gjithë të lidhur nga gjaku i martirëve,” shtoi ajo.

Në nëntor 1950, babai i saj, Ademi, u hodh nga një avion në Martanesh për të përgatitur terrenin e rrëzimit të regjimit komunist që ishte krijuar disa vite më parë.

Gjura ishte pjesë e Kompanisë 4000, një divizion ushtarak i mirëstërvitur për Komitetin Shqipëria e irë, një qeverie e vetëshpallur shqiptare në mërgim e krijuar nga njerëz që kundërshtonin me forcë regjimin komunist të krijuar pas luftës së dytë botërore.

Ai ishte larguar nga Shqipëria katër vite më parë, si anëtar i lëvizjes Legaliteti një grup që ishte kundër marrjes së pushtetit nga komunistët.

Por ai la pas gruan dhe gjashtë fëmijët të cilët u persekutuan egërsisht nga regjimi. Dy nga fëmijët e tij vdiqën në kampe internimi.

Kompania u formua në 1950 dhe rreth 350 anëtarë u trajnuan nga CIA në Bavari, Gjermaninë Perëndimore, me synimin e rrëzimit të regjimit komunist.

Ata kryen disa misione me parashuta nga 1950 deri në 1953, por rezultatet ishin shkatërrimtare. 19 prej tyre u vranë pas uljes në tokë nga komunistët. Të tjerët u kapën dhe u burgosën, ndërsa disa që patën fat ia mbathën në Jugosllavi.

Për një kohë të gjatë, shqiptarët kishin ndenja të përziera rreth të ashtuquajturve “diversantë”. Regjimi i etiketoi ata si grup terrorist që ishin përpjekur të rrëzonin qeverinë e vendit.

Megjithatë, për Afërtida Gjurën, babai i saj ishte një patriot shqiptar dhe anti-komunist i dedikuar, gati të sakrifikonte jetën për lirinë dhe demokracinë.

Megjithatë, ajo tha se ata ishin të tradhtuar që nga fillimi.

“Grupi i tim ati u sabotua nga agjenti i dyfishtë britanik Kim Filbi i cili kishte informacion të plotë rreth misionit dhe ai dha atë sovjetëve që mbështesnin regjimin e Hoxhës,” kujton ajo.

Filbi ishte një oficer famëkeq i inteligjencës britanike që punoi si agjent i dyfishtë për sovjetët.

Ai më pas dezertoi në Bashkimi Sovjetik në 1963, ku vdiq si komunist i papenduar atje në 1988.

“Policia shqiptare po priste t’i kapte ata kur u ulën. Babai im ishte me fat, ai ishte plagosur por ia doli t’ia mbathte në male. Miqtë e tij u vranë,” tha ajo, duke mbajtur në duar librin e Nicholas Bethell rreth asaj që ndodhi “Tradhtia e Madhe – Historia e Patreguar e Grushtit më të Madh të Kim Filbit”.

Pasi u fsheh në male, babai i saj ia mbathi në Jugosllavi ku u kap dhe u burgosur. Pas lirimit të tij, ai jetoi i vëzhguar në Sabak, Serbi, ku u takua me Afërditën, të ëmën dhe u rimartua.

Afërdita lindi në Sabak dhe në moshën 13-vjeçare ajo u largua nga Jugosllavia për në Nju Jork. Ajo arriti të shkelë për herë të parë Shqipërinë vetëm në vitin 1991, e lumtur të takohej me pjesën tjetër të familjes.

Ajo e konsideron veten me fat, pasi ajo dhe nëna e saj jetuan për 17 vjet me të atin në SHBA, megjithëse ai gjithnjë mbarti dhimbjen e pamundësisë për t’u kthyer në Shqipëri.

Shumë familje të tjera të anëtarëve të Kompanisë 4000 nuk i panë më kurrë të afërmit e tyre dhe nuk u lejuan të dinë se si dhe kur vdiqën apo ku janë eshtrat e tyre.

Gjyshi i Arta Leshit, Nuri Plaka, ishte anëtar i skuadrës së fundit të ‘diversantëve’ që u hodh nga parashuta në korrik 1953, sërish në Martanesh. Besohet se komunistët e vranë atë në vend.

“Ai la pas gjyshen time dhe djalin e vetëm… Ajo e mori vesh vdekjen e tij vetëm disa vite pasi ndodhi dhe sigurisht që komunistët nuk i thanë asaj për momentin e vdekjes apo eshtrat e tij,” tha ajo për BIRN.

Pas rënies së komunizmit, Arta dhe babai i saj, Nazmi Plaka, u fokusuan në gjetjen e fatit të Nuri Plakës.

I vetmi shpjegim formal që ata morën ishte një dokument nga arkiva e ministrisë së brendshme shqiptare e hartuar nga komunistët ku përshkruhej vdekja e tij me pak fjalë.

“Meqë nuk u dorëzua, ai u vra,” shkruante dokumenti i 1953, që nuk tregonte se ku u varros.

Megjithatë, ajo dhe i ati besojnë se Nuri mund të ketë kryer vetëvrasje për të mos rënë në duart e komunistëve.

“Ne ndoshta nuk e mësojmë kurrë të vërtetën e plotë të vdekjes së tij dhe eshtrave,” tha Arta.

Ajo tha se vendimi i presidentit për të dekoruar të afërmit dhe anëtarët e mbetur të Kompanisë 4000 ishte i drejtë por i vonuar.

“Fjalët nuk mund ta përshkruajnë vuajtjen e familjeve. Persekutimi filloi me gjyshen time, me babain, vëllezërit dhe motrat e mia. Isha me fat që isha më e vogla dhe arrita të hyj në universitet pas rënies së regjimit dhe të kem një profesion,” tha ajo.

Arta beson se shoqëria shqiptare nuk e kupton vërtet dëmin real që komunizmi i shkaktoi shumë familjeve.

“Ishin 45 vjet propagandë komuniste dhe kjo nuk është e lehtë për t’u zhbërë,” përfundoi ajo.

Please follow and like us: