A kemi shtetarë parimorë dhe sovranë për Reformën në Drejtësi?
Arben Isaraj
Është e vërtetë ajo që shkruante filozofi Eliot* se “Drejtësia tenton të korruptohet nga pasioni politik”. Është e vërtetë, që në këto 25 vjet drejtësia iu ka munguar shqiptarëve edhe si pasojë e politikës së korruptuar, që dhe sot e kontrollon e nuk po e lëshon atë në pavarësinë dhe paanësinë e saj.
Është e vërtetë që Reforma në Drejtësi (sigurisht edhe Vetting-u) po tentohet të korruptohet nga pasioni i politikës shqiptare, që po flet për parime dhe sovranitet.
Nuk është e vërtetë që drejtësia shqiptare tenton të korruptohet nga pasioni i politikës ndërkombëtare (SHBA-BE) dhe se ka disa shtetarë parimorë e sovranë, që po i bëjnë ballë me Kushtetutë në dorë, kësaj tentative sorosiane të ambasadorëve Lu dhe Vllahutin.
Sa për shtetarët parimorë dhe sovranë, mjafton të kujtojmë se ç’farë ndodhi në datat 20-22 korrik të 2016-tës. Në 20 korrik 2016-të, ora 13:01 , në email-t e zotëruara nga Kryeministri, Kryetari i Kuvendit dhe Kryetari i Partisë Demokratike, ka mbërritur teksti i një letre të komisionerit Han: To:‘edirama@gmail.com’;‘ilirmetalsi@gmail.com’;‘lulzimbasha@hotmail.com’ Cc: KARNITSCHNIG Michael (CAB-HAHN); VLAHUTIN Romana (EEAS-TIRANA); RUIZ CALAVERA Genoveva (NEAR); MATUELLA Michela (NEAR) Subject: Confirming your agreement Versioni në shqip)
“ I dashur Kryeministër, I dashur Spiker, I dashur kryetar i PD-së, Në vijim të bisedave telefonike me të tre ju, dje dhe sot, do të doja të përsërisja pikat e mëposhtme, të të quajturit “propozim hibrid”, të cilat i keni mbi tavolinë. Këto pika janë vijat e kuqe për komunitetin ndërkombëtar, që ne i kemi theksuar vazhdimisht gjatë procesit.
Së pari, roli i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) duhet të ketë një bazë solide ligjore në vetë Kushtetutën. Së dyti, e rikonfirmoj, ashtu siç e kemi deklaruar gjatë diskutimeve, se ONM-ja do të bëjë vetëm rekomandime, që nuk janë ligjërisht detyruese.
Megjithatë, këto rekomandime do të përfshijnë një arsyetim, në të cilin qëndrimi i marrë do të shpjegohet sipas kritereve të përcaktuara nga legjislacioni. Unë besoj se ne mund të vijojmë tani mbi këtë bazë. Siç e diskutuam, ju lutem e konfirmoni këtë duke u përgjigjur me shpejtësi në këtë mesazh, në mënyrë që votimi në Parlament mund të mbahet nesër. Sinqerisht, Johanes Han
“ Në 22 korrik 2016-të, as dy ditë më vonë, “rapidly” (me vrap) 140-të sovranë votuan pro për Nenin B , ANEKSI 63 “Rivlerësimi kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve” : “Neni B Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit
1. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të mbështesë procesin e rivlerësimit nëpërmjet monitorimit dhe mbikëqyrjes së gjithë procesit. Ky Operacion përfshin partnerët në kuadër të procesit të integrimit europian dhe bashkëpunimit euro-atlantik dhe udhëhiqet nga Komisioni Europian.
2. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ushtron detyrat e veta sipas marrëveshjeve ndërkombëtare. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit emëron vëzhguesit ndërkombëtarë pas njoftimit të Këshillit të Ministrave. Vëzhguesit emërohen nga radhët e gjyqtarëve ose prokurorëve me jo më pak se 15 vjet eksperiencë në sistemin e drejtësisë së vendeve të tyre përkatëse.
Mandati i vëzhguesit ndërkombëtar ndërpritet nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për shkelje të rënda……….”, pjesë integrale kjo e Reformës Kushtetuese për sistemin e drejtësisë, si dhe falenderuan me duartrokitje të zjarrta të gjithë partnerët e huaj ndërkombëtarë (SHBA-BE), që po i kthenin këtij populli drejtësinë e mohuar në 25 vjet.
Tani ky “Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit”, është proces, metodë, veprim dhe punë për përdorimin e procedurave të monitorimit e mbikqyrjejes apo është frymor ? Nëse është proces a duhet të drejtohet nga frymorë ?
A janë frymorë partnerët tanë strategjikë të integrimit euroatlantik të përfshirë në ONM ? A janë përfaqsues të partnerëve tanë euroatlantikë ambasadorët Romana Vlahutin dhe Donald Lu ? ONM udhëhiqet nga Komisioni Europian apo nga Komisioni i Sovranëve Parimorë ?
Kush e ndalon Komisionin Europian ta drejtojë ONM me Bord apo Komitet ? Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ushtron detyrat e veta sipas marrëveshjeve ndërkombëtare që kemi me BE dhe SHBA për Drejtësinë, apo sipas një marrëveshjeje të re që duhet të lidh BE dhe SHBA me Bashkimin e Sovranëve Parimorë ?
A është ende në fuqi Neni 180 i Kushtetutës për konsiderimin në fuqi të marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara përpara ndryshimit kushtetues ? A kemi ne shtetarë parimorë dhe sovranë që të vendosin rregulla sjellje në Kushtetutën e Shqiprisë për Komisionin Europian ? Po ne kemi shtetarë parimorë dhe sovranë, por vetëm në rastin kur Ata nuk duan ti shkelin privilegjet e tyre.
*Thomas Stearns Eliot (1888-1965). Nobël në letërsi, i arsimuar e diplomuar për filozofi në Harvard, Sorbonë dhe Oxford.