Kostë Çekrezi: Një ndër figurat më demokratike të kohës i lënë në harresë
Andon Andoni
Një nga periudhat fare të panjohura, sot dhe gjithë ditën edhe në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, të veprimtarisë së politikanit dhe botuesit Kosta Çekrezi, është ajo e viteve 1912-1914. Themi kështu, pasi edhe pse ishte një nga të rinjtë më aktivë, madje ndër të vetmit që nuk u nda nga “Qeveria e përtashme”, kur shumë syresh kaluan sa nga krahu i Ismail Qemal Beut dhe sa nga ai i Esat Pashë Toptanit, nuk u kujtua as nga botuesit e albumit fotografik të 100-vjetorit, kur në të zunë vend figura fare të rastësishme, vetëm e vetëm se kishin firmuar në aktin e saj dhe kaq, apo nga tubues dhe promovues të sa e sa ngjarjeve historike të përkujtuara këtë vit, ku ai vetë vuri në themel të tyre, përgjatë dy viteve me radhë (1913-1914), siç do të përmendim shkurtazi më poshtë, vulën e trimërisë dhe patriotizmit. Madje edhe për ne bashkëfshatarët e tij fare rrallë është cekur në gojë, vetë emri i tij deri në fillim të viteve ‘90 dhe aq më pak vepra dhe kontributi i paçmuar atdhetar. Vonë, vetëm para disa viteve, me nxitjen e gazetarit dhe publicistit Ilir Ikonomi, përmes librit “Faik Konica, jeta në Uashington”, ku përmendet rëndom Kostë Çekrezi, dhe me dashurinë e një ziçishtari plot pengje e kërshërira, autori i këtij shkrimi iu vu punës për të zbuluar këtë figurë tejet interesante dhe të panjohur për shqiptarët dhe bashkëkombësit e tij, deri te bashkëfshatarët e mi të rinj e të vjetër, të shkolluar dhe fermerë të marrë së bashku.
Ishte vetëm 20 vjeç dhe ndodhej në Selanik për studime në Drejtësi, në marsin e 1911-s, kur kishte shpërthyer kryengritja e malësorëve të veriut në Shqipëri, e deri në 9 gusht të 1912-s, kur “Faik Konica ka të ngjarë, i këshilluar edhe nga Noli, të zhvillonte bisedime me të ngarkuarin me punë të Mbretërisë së Greqisë, Lisimakos Kaftaxogllunë në Uashington, dhe t’i propozonte midis të tjerave, idenë e një bashkimi dhe bashkëpunimi në mes të Shqipërisë dhe Greqisë për krijimin e një shteti dualist shqiptaro-grek sipas shembullit të shtetit austro-hungarez, ndërsa Çekrezi që nga bregdeti i Selanikut, përjetonte me ankth kryengritjet e verës së vitit 1912, që çliruan Kosovën dhe Shkupin. Kryengritësit u bashkuan në Qytetin e Manastirit, të evokuar nga turqit me kryengritësit e Shqipërisë jugore që tashmë kërkonin pavarësi të plotë.
Në vendlindje ishin kthyer vërsnikët e tij nga shërbimi ushtarak, jashtë kufijve të vendit të tyre. Ai ishte entuziast nga njohja si krahina dhe administratë autonome që qeveria turke u shtrëngua të njohë, për herë të parë kufijtë zyrtarë të Shqipërisë, vilajetet e Shkodrës, Kosovës, Janinës dhe manastirin. Ajo çka e gëzonte njëlloj ishte edhe fakti që këtej e tutje arsimi do të kryhej në gjuhën shqipe. Ai më mirë se kushdo tjetër e dinte se ç’vlerë kishte arsimi dhe dituria e një populli për lirinë e vendit. Ishte një atmosferë optimiste për të ardhmen e vendit, duke u krahasuar me atmosferën e zymtë dhe të paqartë vetëm të disa viteve më parë. Ndaj do të shkruante mbështetur në realitetin dhe kujtimet e asaj kohe në librin e tij “Albania past and present” të përkthyer dhe të hedhur në qarkullim për herë të parë në gjuhën shqipe prej shtëpisë botuese “Naimi”, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë: “Ringjallja do të kishte qenë përfunduar brenda një kohe shumë të shkurtër nëse do të ishte krijuar një sistem arsimor tërësisht kombëtar dhe një administratë amtare atërore. Ishte e vërtetë se kjo vetëqeverisje ishte fituar paksa me vonesë, por po të mendohej thellë, ajo ishte më mirë vonë se kurrë. Tani, pavarësia e plotë e Shqipërisë nuk ishte shumë larg”. Megjithëkëtë, shton Çekrezi, duke përfshirë dhe veten, asnjë nga patriotët shqiptarë nuk ëndërroi ndonjëherë se pavarësia e Shqipërisë do të vinte të nesërmen e fitores së autonomisë administrative.
Por për njerëz si Çekrezi “kjo fitore e shkëlqyer nga shqiptarët në përpalljen me ushtritë turke dhe instruktorët e saj gjermanë (që-AA) bëri përshtypje të thellë në të gjithë gadishullin Ballkanik”, do të ndizte padyshim dhe xhelozitë e paskrupuj të tyre kundër Shqipërisë së vogël e të pambrojtur, ndaj në fundin e asaj vere, “vendet e krishtera të Ballkanit” përfunduan aleancën e fshehtë ballkanike të Shën Stefanit, dhe “në përputhje me dëshirat e tyre dhe mbështetjen e fuqive ndërkombëtare, pa marrë aspak në konsideratë të drejtat e shqiptarëve, Shqipëria u nda në mes tyre.”
Ndërkohë që popujt e Ballkanit përshëndesnin fitoren e shqiptarëve mbi turqit e rinj, si një shembull të lirisë, qeveritë e tyre i drejtuan Portës së Lartë një kërkesë të përbashkët, ku i kërkonin që një autonomi administrative, të ngjashme me atë që i ishte dhënë Shqipërisë, t’i jepej edhe popullsisë së Maqedonisë. Në këtë kohë Çekrezi mendonte se “nuk ishte vlerësimi dhe lavdërimi për të imituar shqiptarët në kërkesat e aleatëve ballkanikë, por thjesht xhelozia”, e cila nuk do të vononte për të nxjerrë krye. Qeveria turke natyrisht i hodhi poshtë kërkesat e tyre. Mali i Zi u bë provokues dhe përpara se Porta të kthente përgjigje ndaj ultimatumit të tyre, më 8 tetor 1912 ushtria malazeze sulmoi trupat turke pa ndonjë deklaratë formale për fillimin e luftës. Greqia hyri në luftë dhjetë ditë më vonë.
Ka të ngjarë që Çekrezi (braktisi studimet në shkollën e lartë turke të Selanikut pas Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë) të ketë qenë vetë dëshmitar, në fillim të dimrit “kur serbët hynë në Durrës (dhe-AA) trupat ushtarake të mbretit Petër, nxituan në ujërat e cektë të portit duke bërtitur: Rroftë deti serb”.
Duket se menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë vjen në Vlorë me sëmbimin në zemër, siç shprehet vetë, se në këtë situatë kur sapo kishte filluar nga puna Konferenca e Ambasadorëve në Londër, “Shqipëria dukej e humbur”. Nuk kemi shumë të dhëna për veprimtarinë e tij në fillim të kësaj periudhe, porse Charles Hazen pohon në parathënien e librit të Çekrezit, se “që kur Shqipëria u bë shtet i pavarur më 1912-n, ai (Chekrezi) u emërua përkthyes” që të lë të nënkuptosh se që nga ajo kohë, ai ishte në Vlorë dhe madje mjaft aktiv si gazetar dhe intelektual i kohës, sa binte në sy të rretheve patriotike që punonin në Vlorë. Kësisoj ai gjendet mes emrave të shquar të pavarësisë së Shqipërisë. Me disa syresh është njohur që në rininë e tij në Korçë, si me Mihal Gramenon, Sotir Pecin etj. Të tjerëve, duke filluar nga Ismail Qemali dhe Mehmet Konica, Kristo Floqi, Medi Frashërin e shumë të tjerë do t’i bashkëngjitet rrugës së pavarësisë në punë dhe përpjekje të përbashkëta. Në fillim të 1913-s, vetëm 21 vjeç emërohet sekretar i gjykatores civile të Vlorës me kryetar Kristo Floqin. Çekrezi ka qenë pjesë e trupës gjykuese të gjykatores civile, kur në një nga ato ditë të verës së 1913-s, në bankën e të akuzuarve, si kurrë ndonjëherë më parë, u ul, i gjithëfuqishmi muhamedan i qytetit, myftiu. Myftiu, i cili nuk mund të gjykohej para ndonjë gjykate civile, u detyrua nga presioni i popullit të Vlorës të dalë përpara Tribunalit Civil të Vlorës, i kryesuar tashmë nga djaloshi 21-vjeçar Kostandin Çekrezi.
Këto janë vetëm fillimet e veprimtarisë së tij të shquar atdhetare. Më tej (pas pjesëmarrjes si sekretar i gjyqit të Beqir Grebenese, nën drejtimin e trupës holandeze) ai emërohet sekretar i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, detyrë që i rrezikoi jetën në përpjekjet për të shuar kryengritjen e fshatarëve të Shqipërisë së Mesme në verë- vjeshtën e vitit 1914, kur dhe u largua për në Amerikë i thirrur nga “Vatra” për të drejtuar gazetën “Dielli”, të cilën e bëri të përditshme gjatë vitit 1915.
Gjithsesi, këto janë vetëm disa radhë për patriotin Kostë Çekrezi. Vepra e hedhur në treg këto kohë “Shqipëria e shkuara dhe e sotmja” (deri në vitin 1919) është e para që e bën të njohur ndër bashkëkombësit. Shpresojmë të jetë e merituar dhe me vlerë edhe pas gati 100 vitesh. Historianëve iu mbetet barra për të thënë vlerësimin e tyre për të si historian dhe atdhetar i klasit të parë. Ne na duhet të presim me endjen, se kemi bëra sado pak për të zbuluar Çekrezin e gjithanshëm, politikan, historian, gazetarin dhe hartuesin e librave për shkollat shqipe.