Albspirit

Media/News/Publishing

Kush skandalizohet nga seksi i ministrave?

Ergys Mërtiri

Nga gjithë ato akuza të rënda që ministri Manjani lëshoi në adresë të qeverisë, shumë njerëzve iu mbeti mendja te dashnoret e ministrave. Akuzat në të vërtetë nuk kishin për qëllim të denonconin jetën private të ministrave, pavarësisht sa e shthurur mund të jetë ajo, por faktin që degjenerimin e tyre e konsumojnë në tempujt e pasurisë kriminale të bosëve të drogës, me të cilët ata në të vërtetë flirtojnë më shumë se me femrat që iu vardisen. Megjithatë, për një pjesë të mirë të aktorëve publikë në media e rrjete sociale, objekti i skandalit nuk ishte prania e ministrave në Santa Quaranta, por fakti aspak habitës se një sërë ministrash paskan dashnore.

Gjithçka në fakt, shkon në përputhje me natyrën e një publiku të farkëtuar si konsumator mediash, ku seksualiteti ofrohet pa kursim, duke zënë pjesën më të madhe të vëmendjes. Pyetja që mund të shtrohet është: A mund të jetë më seksi objekt skandali, në një epokë të hiperseksualizuar vizualisht dhe verbalisht si kjo e jona?

I mësuar me prezencën e seksualitetit në media, si dhe me raste të vazhdueshme që paraqiten si skandale, publiku ka krijuar njëfarë ambientimi me lajme të tilla. Nga ky aspekt, lajmi për ministra që kurvërojnë hoteleve, fshehtas botës, nuk do të tërhiqte ndonjë vëmendje të madhe. Por vetë paraqitja e tyre në media si skandal i bën ato të perceptohen si të tilla, pavarësisht se në realitet nuk kanë arsye të skandalizojnë askënd. Publiku krijon njëfarë reagimi refleksiv, ku aktivizohet një lloj feedback-u i rutinizuar, me gjithë regjjen e lëkurës përballë ekspozimit të vazhdueshëm me ngjarje të kësaj natyre.

Duke na e përsëritur vazhdimisht seksin si scoop, mediat prodhojnë reagime artificiale, ku publiku reagon ashtu siç ai percepton se duhet të jetë i prirur të reagojë. Është në natyrën e medias të prodhojë, jo vetëm skenën e spektaklit, por edhe spektatorin dhe sjelljen e tij. Ajo farkëton, përveç ngjarjes, edhe publikun me gjithë perceptimet e reagimet e tij. E madje ajo e shndërron vetë reagimin e publikut në lajm, duke bërë që spektatori të ngjitet në skenë e të bëhet edhe vetë pjesë e spektaklit që sodit. Kështu, kur seksi na paraqitet vazhdimisht si diçka misterioze, ne jemi të prirur ta mistifikojmë atë, ndonëse asgjë e mistershme nuk ka mbetur më aty.

Demistifikimi i seksit

Siç Michael Foucault analizon në punimin e tij mbi historinë e seksualitetit, shtimi dhe intensifikimi i ligjërimeve për seksualitetin, rrëfimet e diskutimet mbi të, kanë bërë që seksi të zhvishet nga misteri që e shoqëron. Duke kundërshtuar mitin e ndrydhjes shoqërore mbi seksualitetin, të konstruktuar nga Frojdi si shpjegim ndaj puritanizmit të shtirur të periudhës viktoriane, Foucault mbron pikëpamjen se seksualiteti ka qenë objekt demistifikimi që herët në kulturën perëndimore, të paktën që prej ritualit të rrëfimit te prifti, ku akti i mëkatit përshkruhej deri në hollësitë më të imta. Që atëherë, ekspozimi i seksit ka avancuar gjithnjë e më shumë derisa vijmë në kulturën e sotme të konsumit, ku industria e imazhit e ka shndërruar seksin në elementin kryesor bashkëshoqërues të çdo produkti të marketuar. Tashmë mund të thuash se nuk ka mbetur më gjë për t’u demistifikuar.

Mirëpo megjithatë, kjo nuk e ka ulur thuajse aspak vëmendjen e njeriut modern nga seksi dhe as e ka zbutur tërheqjen ndaj tij, siç ndoshta do të ishim të prirur të besonim, në një këndvështrim frojdist. Përkundrazi, moderniteti ka shtuar prirjen që seksualiteti të eksplorohet në terrene të shumta, e sidomos në atë të fantazive, devijancave apo perversionit, të cilat, në mënyrë të kuptueshme, kanë pasur rritje në nivele të paimagjinuara më parë.

Në fakt, vetë nevoja moderne për të demistifikuar seksualitetin, ushqen prirje perversive dhe rritja e çrregullimeve psiko-sociale me natyrë seksuale do të ishte patjetër një rrjedhojë e këtij ekspozimi të intensifikuar ndaj paraqitjeve të seksualitetit në jetën e përditshme. Një nga çrregullimet më të përhapura të kësaj kulture është sidomos vuajerizmi mediatik, i cili ndez dëshirat e publikut për t’iu futur gjithkujt nën krevat a nën fustan. Nga kjo pikëpamje mund të themi se Foucault ka të drejtë kur e konsideron shoqërinë moderne si perversive.

Perversiteti shqiptar

E tillë, perversive, është aq më shumë, shoqëria shqiptare, edhe pse në mënyrë deri diku të ndryshme nga shoqëritë perëndimore. E ngarkuar me komplekse të shumta dhe një mbingarkesë testosteroni të pasublimuar nga asnjë mekanizëm shkarkues intelektual apo kulturor (shprehur në terma frojdistë), shoqëria shqiptare i shfaq këto fenomene në formën e vet më vulgare. Një popull pa kulturë, i rritur me materializëm dialektik e pa asnjë ambicie mbi ndonjë vlerë humane, të vetmet gjëra që ia mbushin syrin (por jo oreksin) janë seksi dhe paraja.

Natyrisht që prej këndej, njerëzit e politikës, medias, biznesit dhe çdo hapësire që prodhon pushtet, do të jenë të tillë. Ata do të jenë përfaqësuesit më të denjë të kësaj kulture hormonale mashkullore, të kushtëzuar nga përfytyrime falike mbi qeverisjen. Ndaj nuk është aspak çudi që shumë prej ministrave të jenë konsumuesit më vulgarë të kësaj jete të dyfishtë morale e kulturore, e madje për këtë të ndihen edhe krenarë e të vlerësuar.

Nga kjo premisë, pjesa më e madhe e kuriozitetit për të njohur dashnoret e ministrave apo emrat e ministrave me dashnore, nuk buron nga revolta e brendshme morale për të njohur dhe ndëshkuar publikisht ata që tradhtojnë familjet e tyre, duke gjykuar se për rrjedhojë nuk ka se si ata të mos tradhtojnë edhe publikun që i ka votuar. Në më të shumtën e rasteve, kjo dëshirë për të mësuar mbi të fshehtat rozë të qeverisë, buron nga kurioziteti apo epshi vuajerist, i ndezur nga pasioni për të hyrë tashmë nën krevate ministrash.

Nga ky aspekt seksi i ministrave nuk skandalizon askënd, në kuptimin moral, por shkakton skandal vetëm si shok pornografik që shpërthen aktivitetin erektiv të publikut. Interesi publik këtu nuk niset nga nevoja për të mësuar të vërteta mbi të cilat mund dhe duhet mbajtur qëndrim etik e politik, por si ushqim i përditshëm sehirxhinjsh, të etur për të eksploruar intimitetin e të tjerëve.

Prej këtej, politika nuk humbet asgjë dhe publikimi i “skandaleve” të tilla nuk krijon dot asnjë efekt elektoral, të mjaftueshëm për të shqetësuar yjet e skandalit në qeveri. E vërtetoi këtë më së miri rasti i botimit të fotove nudo të Kryeministrit. E vërtetojnë gjithashtu raste të shumta thashethemesh të përhapura masivisht mbi politikanë të lartë, të cilët nuk pësojnë kurrfarë dëmtimi elektoral, megjithëse të gjithë iu besojnë thashethemeve.

Për këtë arsye, përfshirja e seksualitetit në akuzat e ministrit Manjani, shërbeu vetëm për të larguar vëmendjen nga thelbi i tyre, duke e zhvendosur vëmendjen nga politika, tek erotika. Për këtë arsye, në një publik që nuk di të mendojë e të reflektojë, seksi nuk është gjithmonë gjëja e duhur për të tërhequr vëmendjen.

Please follow and like us: