Libri “ITALIA, SHTETI FQINJ DEMOKRATIK PERËNDIMOR”, një mesazh miqësie
Albert Z. ZHOLI (shkrimtar-publicist)
Për Italinë si shtet, si Perandori, si vend i Artit dhe Kulturës, si një nga shtetet më të zhvilluara të botës, si një vend me bukuri të rralla natyrore, si një vend me pasuri të mëdha natyrore, për popullin e saj punëtor dhe artdashës është shkruar shumë, por z. Agim Gruda e ka parë këtë vend në një këndvështrim tjetër, duke sjellë, kujtime, mbresa, copëza historish, meditime, përjetime, tregime nga babai i tij, kryesisht të bazuara në 110 vjetët e fundit. Italia është një shtet fqinj me ne, që në thellësi të historisë ka pasur marrëdhënie shumë të mira, por në momentet historike do të përmendim katër momente që historia ka dëshmuar për lidhje të forta: Së pari, marrëdhëniet e saj me Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun, për ti bërë ballë sulmeve turke që kishin synim pushtimin e Europës. Së dyti, pritja që, i bëri populli italian shqiptarëve (arbëreshëve) të larguar nga vendi i tyre pas vdekjes së Skënderbeut. Së treti, ndihma e madhe që i dhanë arbëreshët Garibaldit në krijimin e shtetit të ri italian dhe së fundi mikpritja që i bëri populli italian popullit shqiptar në emigrimin masiv në vitet 1990, pas rënies së komunizmit. Italia (zyrtarisht Republika Italiane, italisht Italia respektivisht Repubblica Italiana) është shtet në pjesën jugore të Evropës, në Gadishullin Apenin. Pjesë e këtij vendi janë dhe ishujt në Detin Mesdhe, si Sicilia dhe Sardenja. Në Alpet e larta në veri të saj gjendet kufiri me Francën, Zvicrën, Austrinë dhe në brigjet e Adriatikut kufizohet nga Sllovenia. Në brendësi të këtij shteti gjenden dy shtete të vogla: Vatikani dhe San Marino. Roma, kryeqyteti i Perandorisë Romake në lashtësi, është edhe kryeqytet i shtetit të ngritur në bërthamën e perandorisë. Perandoria Romake ishte perandoria që u ngrit dhe u qeveris nga qyteti i Romës gjatë 6 qindvjeçarëve, Para Krishtit. Dy datat që shënojnë fillimin dhe fundin e Perandorisë Romake janë viti 27, (fillimi i vitit të principatës së Oktavianit, me marrjen e titullit “August”) dhe 395, pas Krishtit, kur me vdekjen e Teodosit Perandoria, u nda përfundimisht në mes, në pjesën perëndimore atë lindore. Nga koha e Augustusit, gjer në rënien e Perandorisë Perëndimore, Roma zotëronte Euroazinë Perëndimore dhe Afrikën e Veriut dhe përbënte shumicën e popullsisë së rajonit. Zgjerimi i Perandorisë Romake nisi shumë më parë se shteti romak të kthehej në një Perandori dhe arriti kulmin e saj nën perandorin Trajan, me pushtimin e Dacisë në vitin 106. Në këtë kulm, sipërfaqja e zotëruar nga Perandoria Romake përfshinte rreth 5 900 000 kilometra katrorë. Tregtia, artet dhe kultura arritën lulëzimin e parë të lartë të tyre gjatë kohës së Perandorisë Romake dhe në zonat e qeverisura nga ajo. Perandoria Romake ushtronte ndikimin e saj jo vetëm brenda kufijve të saj, por edhe përtej tyre. Gjuha latine si gjuha e Romës, ishte gjuha zyrtare që përdorej në mbarë Perandorinë Romake. Perandoria Romake e Perëndimit ra gjatë qindvjeçarit të 5-të dhe 6-të. Perandoria Romake e Lindjes njihet gjerësisht sot, si Perandoria Bizantine, e cila i ruajti traditat ligjore dhe kulturore greko-romake së bashku me elementet helenike dhe ortodokse të krishtera edhe për një mijëvjeçar tjetër, gjer në rënien e saj në duart e Perandorisë Osmane në vitin 1453. Vlen të përmendet se, ndikimi në kulturë, ligj, teknologji, arte, gjuhë, fe, qeverisje, ushtri dhe arkitekturën e qytetërimeve që pasuan, vazhdon ende sot. Sistemi qeveritar i Perandorisë Romake ka ndikuar shumë në sistemin shtetëror Europian, para së gjithash në drejtësi dhe ligjshmëri. Shenja më e mirë që shpreh bashkimin e popullit është flamuri. Ai i Italisë u njoh si i tillë më 7 janar 1797, në Rexhio Emilia nga kongresi ku merrnin pjesë përfaqësuesit e Bolonjës, Ferrarës, Rexhio Emilies dhe Modenës, nga i njëjti kongres që kishte shpallur Republikën Çispadane. Autor i këtij propozimi ishte patrioti e shkrimtari i njohur Giuseppe Compagnoni (1754-1833). Italia nuk ka ekzistuar si shtet deri më 1861, kur u bashkua. Për shkak të këtij bashkimi të vonuar dhe autonomisë historike të regjioneve që tani e përbëjnë Gadishullin italian, shumë tradita dhe kultura që tani identifikohen si italiane mund të identifikohen nga regjionet nga kanë ardhur. Me gjithë izolimin social dhe politik të këtyre regjioneve, kontributet e Italisë në trashëgiminë kulturore dhe historike të Evropës mbeten shumë të mëdha. Italia është vendi me, më së shumti trashëgimi kulturore në UNESCO (41 deri më tani). 25 prilli i 1945-ës, festa e çlirimit të Italisë shënoi rrugëtimin e saj drejt formës së re republikane. Qershori i 1946-ës, solli referendumin, që hodhi poshtë monarkinë, ndërsa 5 maji i 1948-ës përcaktoi stemën e Republikës së re Italiane, një ndër pesë simbolet identifikues të Republikës Italiane bashkë me Flamurin Trengjyrësh, Himnin Kombëtar, Flamurin Presidencial dhe Viktoriani, i njohur edhe si Altari i Atdheut. Në 1947, flamurit italian iu hoq shqyti i Savojës dhe u njoh si flamur i Republikës së re të porsadalë nga Lufta e Dytë Botërore. Për më tej, libri publicistik i z. Gruda ndalet gjatë në politikën, zhvillimin ekonomik, arritjet sportive, ndihmën ndaj shqiptarëve në vitet 1991-1992 (ku sot jetojnë rreth 600 mijë), roli i Italisë në BE, zhvillimi i madh i futbollit, i mediave vizive dhe gjurmët e arta që lë në muzikë Festivali i “Sanremos” në të cilën i ka sytë gjithë bota muzikore. Autori në këtë libër ka përcjellë në mënyrë elegante, pa superlativa, me kulturë dhe ekuilibra intelektualë, të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në Itali pas luftës së Dytë Botërore. Me një ndjeshmëri qytetare për vendin në të cilin jeton për mëse 25 vjetësh, autori si një gazetar investigativ, ka ditur të sjell këndshëm, ato momente delikate të politikës italiane, ku politikanët janë munduar të sjellin pranë popullit ndjenjën e përgjegjshmërisë, për ti dhënë atyre nivelin e duhur ekonomik, qetësinë sociale dhe garancinë e jetës. Shpesh herë politika italiane në këto vite ka qenë dhe tepër e tensionuar, ku ka pasur dhe politikanë të korruptuar, por në përgjithësi, autori përcjell me qetësi atë politikë që bëhet pjesë e halleve dhe shqetësimeve të popullit, që e çuan zhvillimin e Italisë në vendin e 5 të fuqisë botërore ekonomike. Autori, shpesh herë është dhe kritik ndaj politikës së acaruar, të njëanshme, që sheh interesat partiake mbi ato kombëtare dhe asaj mbarëkombëtare. Me një realizëm, autori sjell dhe humanizmin dhe ndjeshmërinë e popullit italian që priti në momentet më të vështira, shumë emigrantë shqiptarë pas përmbysjes së komunizmit. Ata hapën dyert e shtëpive dhe portat e zemrave me lot në sy, që fqinjët e tyre të mos ndjeheshin të vetmuar tek fqinji i tyre perëndimor. Po kështu ka bërë populli italian edhe ndaj shumë emigrantëve të Afrikës Veriore që janë munduar të depërtojnë në Europë përmes Italisë. Në një lexim të shpejtë, ky libër duket një libër modest, por që ka brenda ngjarje, histori, ndodhi, meditime, rrëfime tejet tronditëse dhe reale që përbëjnë thelbin e historisë së fqinjit tonë perëndimor në 70 vjetët e fundit. Në këtë libër, çdo emigrant shqiptar në Itali gjen një pjesë të jetës së tij, ndërsa çdo lexues shqiptar, gjen ato pjesë të historisë më të rëndësishme të popullit italian që, në momente të caktuara, fatet e të dy popujve kanë qenë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën.