Lu e Vlahutin firmosin peticionin e Vetingut
Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, do të jenë anëtarë të bordit menaxhues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. SHBA dhe BE kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi për ndihmesën që do të japin gjatë zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri. Misioni i BE-së në Tiranë ka publikuar në faqen e vet zyrtare marrëveshjen e plotë si dhe korrespondencat që shefja e ONM-së, Genoveva Ruiz Calavera ka shkëmbyer me Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi. Pikërisht në një letër të saj, të datës 7 shkurt 2017, drejtuar Agaçit, por edhe ministres së Integrimit Klajda Gjosha, ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, Avokatit të Popullit Igli Totozani si dhe sekretares së përgjithshme të Kuvendit, Albana Shtylla, Calavera njofton anëtarët e bordit të menaxhimit të ONM-së.
Në këtë letër, shefja e ONM-së saktëson se: “Kreu i delegacionit të BE-së dhe ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri mund të marrin pjesë në bordin menaxhues të ONM-së si anëtarë jo të përhershëm, veçanërisht kur takimet do të zhvillohen në Shqipëri”.
Ndërkohë, në marrëveshjen e firmosur mes SHBA-ve dhe BE-së qysh në nëntor të 2016-ës, mes Christian Danielsson, Drejtor i Përgjithshëm për Zgjerimin dhe Fqinjësinë në Komisionin Evropian, dhe James A. Walsh, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit, në Byronë e Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, në SHBA, palët angazhohen të mbështesin zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.