Albspirit

Media/News/Publishing

Moskë, 6 të arrestuar gjatë përkujtimit për Nemtsovin; SHBA kërkon drejtësi

Raportohet se policia e Rusisë i ka arrestuar 6 aktivistë në përkujtimin e improvizuar afër Kremlinit, ku politikani opozitar, Boris Nemtsov, ishte vrarë para dy vitesh.

Faqja në Internet OVD-Info, që i gjurmon arrestimet në Rusi, ka njoftuar se policia i ka ndaluar gjashtë vetë në urën Bolshoi Moskvoretsky, mbrëmë vonë. Një punëtor që kishte ardhur në urë së bashku me policinë, i ka larguar lulet dhe qirinjt që ishin vendosur aty.

Këto aksione të autoriteteve u bënë pasi afro 15 mijë njerëz marshuan në pjesën qendrore të Moskës, në përkujtim të Nemtsovit. Ky ishte tubimi më i madh i opozitës në Rusi, prej një marshi të ngjashëm në mars të vitit të kaluar.

Boris Nemtsov, kritik i zëshëm i presidentit rus, Vladimir Putin, është vrarë në këtë urë, më 27 shkurt të vitit 2015.

Pesë persona nga rajoni i trazuar i Çeçenisë në Rusi, ishin paraqitur në gjykatë në tetor të vitit të kaluar, të akuzuar lidhur me vrasjen e Nemtsovit. Ata i kanë hedhur poshtë akuzat.

Mbështetësit e Nemtsovit kanë shqetësime se kushdo që ta ketë urdhëruar këtë vrasje, kurrë nuk do të sillet para drejtësisë.

Ambasadori amerikan në Rusi, John Teft, sot e ka vizituar vendin ku është vrarë Nemtsovi.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga qeveria e Rusisë “të siguroj se ata që janë përgjegjës për vrasjen e Boris Nemtsovit të sillen para drejtësisë”.

Please follow and like us: