Muezzinoglu: Turqia do të jetë gjithmonë përkrah Kosovës
Përvjetori i 9-të i pavarësisë së Kosovës u festua me një tjetër aktivitet, organizuar të dielën (26 shkurt) në Stamboll.
Të pranishëm në këtë aktivitet, mbajtur nën kujdesin e Bashkisë Bayrampasa të metropolit më të madh turk, ishin ministri i Punës dhe Sigurisë Sociale, Mehmet Muezzinoglu, ambasadori i Kosovës në Ankara, Avni Spahiu, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Diasporës së Kosovës, Osman Shahini, deputeti i Partisë Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet (Partia AK) nga zona elektorale e Stambollit, Huseyin Burge, kryetari i Bashkisë Bayrampasa, Atila Aydiner, shqiptarë të Kosovës dhe të ftuar të tjerë.
Në fjalën e rastit gjatë aktivitetetit, ministri Muezzinoglu rikujtoi mbështetjen e dhënë nga Turqia në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe shtoi: “Ndërkohë që poeti ynë kombëtar, Mehmet Akif Ersoy, thoshte ‘Mos u tremb, nuk zbehet flamuri i kuq, që me krenari valëvitet në këtë agim të lavdishëm’, Presidenti Recep Tayyip Erdogan (asokohe kryeministër), një ditë përpara shpalljes së pavarësisë, iu drejtua Hashim Thaçit me këto fjalë: ‘Ej, vëllezër të mi kosovarë, mos kini frikë; shpalleni pavarësinë tuaj! Sepse kombi i madh turk dhe Republika e Turqisë janë me ju’.”
Më pas, ministri turk i Punës dhe Sigurisë Sociale u ndal gjithashtu mbi tentativën për grusht shteti, ndërmarrë më 15 korrik 2016 nga organizata terroriste guleniste (FETO).
“Falënderoj Kosovën dhe kosovarët që na u gjendën pranë në tentativën e pabesë të 15 korrikut për grusht shteti. Miqtë dhe vëllezërit tanë në Ballkan na janë gjendur përherë pranë kur Turqia ka qenë në telashe”, u shpreh ai.
Duke uruar që më datë 16 prill Turqia kalojnë në një sistem të ri, ku populli përqafohet me pushtetin dhe presidentin, Mehmet Muezzinoglu vijoi me këto fjalë: “Me një republikë të fuqishme, një Turqi në zhvillim, një vullnet kombëtar të patundur, një demokraci të fortë dhe me një lidership solid, të gjithë së bashku, me lejen e Zotit, në vitin 2023 do ta çojmë Turqinë në nivelin e atyre qytetërimeve bashkëkohore, të cilat lideri i madh, Mustafa Kemal Ataturk, ia ka lënë amanet këtij populli.”
E diela – vijoi ai – shënon njëherësh edhe përvjetorin e 25-të të masakrës së bërë nga armenët në Hoxhali të Azerbajxhanit, më datë 26 shkurt 1992.
“Në qytezën Hoxhali u krye një masakër. Njësoj si masakra e bërë në Bosnjë dhe ashtu siç u masakruan mbi 2 mijë shqiptarë në Kosovë. Prandaj këtij populli dhe kombi i takon të jetë i bashkuar”, theksoi ministri turk.
Muezzinoglu e mbylli fjalimin e tij duke nënvizuar se Turqia do të jetë gjithmonë përkrah Kosovës.
Pavarësuar më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës është njohur deri më sot nga gjithsej 114 shtete, përfshi këtu edhe Turqinë.