Albspirit

Media/News/Publishing

Pjetri i Madh, Cari që themeloi perandorinë

“PJETRI I MADH: I dha mbretërisë së tij një kryeqytet të tij, Shën Petërsburgun dhe në fakt themeloi perandorinë. Duke e bërë Rusinë një komb gjithnjë e më shumë ‘europian’”

Titulli është i justifikuar. Pjetri i I-rë, Car i të gjitha Rusive, ishte vërtet i madh: një kolos 2 metrosh dhe një gjigant në orekse, në ambicje, në vullnetin për të reformuar, në ndërmarrje civile dhe luftarake. Një personazh për të cilin mund të shpenzohen mbiemra si pantagruelian, vullkanik dhe i ekzagjeruar pa pasur frikë aspak për ndonjë zmadhim. Nëqoftëse është e vërtetë se historia ruse procedon me hope, siç e pranojnë shumë historianë, hopet më të mëdha përpara i detyrohen atij dhe Leninit.

Rusia është afër. Pas mbretërimit të tij, shpjegon historiani William Marshall, «Rusia nuk ishte më një zonë e depresuar e Orientit të largët, por pjesë përbërëse e Europës». Jo më e ngrirë në liturgji dhe struktura mesjetare e bizantine, ajo dominonte detet dhe ulej në klubin e ngushtë e monarkive të mëdha. Pjetri, pohon akoma Marshall, «i siguroi një pjesë të rëndësishme në skenën europiane». Kështu e portretizoi sovranin dinamik poeti kombëtar Aleksandr Pushkin: “Akademik, hero, marinar, karpentier, me shpirtin e tij që mbulonte gjithçka qe punëtor i palodhshëm në fronin rus”. Nuk ishte parë kurrë dhe nuk u pa kurrë më një autokrat ai si: i votuar, po, për të kontrolluar gjithçka, ama për të mirën e atdheut. Qëndrues ndaj fuqisë së radhës, por i aftë që të fliste me të gjithë. Deri në ankth për t’u përzier dhe mimetizuar me shtetasit e tij. Një monark me tipare barbare, që preferonte maskarallëkun në vend të shpirtit, kasollet në vend të salloneve, por edhe i etur për dije. Me pak fjalë, qe një despot i aftë për mizori të mëdha (dërgoi drejt vdekjes djalin e tij Aleksei pas një procesi të shpejtë për konspiracion të supozuar), por i prirur që ta zhvillonte zyrtaritetin me shpoti apo me teatralitet. Largimi – siç edhe bëri – nga kryeqyteti historik, Moska, dhe hedhja e vështrimit drejt kufirit të ri të detit, sidomos Balltikut, qe pothuajse një ide e kundërnatyrshme për rusët bashkëkohës, por kjo simbolizonte vullnetin e tij për të këputur lidhjet më të kaluarën, me palëvizshmërinë e një shoqërie arkaike, feudale, ksenofobe, armike ndaj çdo ndryshimi dhe i dëshiruar që t’i hapej erës së progresit që vinte nga Perëndimi iluminist. Qenë edhe arsyet personale që e shtynin të urrente Kremlinin dhe Rusinë e “besimtarëve të vjetër” të quajtur raskolniki, besnikë ndaj riteve të lashta ortodokse.

Si fëmijë, ai kishte asistuar në skena të tmerrshme, kur në vitin 1682 kishte vdekur Cari, vëllai për babë i tij, Fedori i III-të, qe gjendur në qendër të një konflikti të përgjakshëm. Vëllai tjetër për babë, Ivan, djali nga martesa e parë e babait të tij Aleksei, ishte pasuesi i caktuar, por ishte edhe gjysmë i verbër dhe i vonuar mendërisht. Imponohej kështu kandidatura e Pjetrit ose, më së paku, shoqërimi i tij drejt rolit suprem. Në këtë pikë shpërtheu një luftë për jetë a vdekje midis klanit të gruas së parë të Alekseit, familjes Miloslavskij, dhe atij të nënës së tij Natalia, familjes Nariskyn. Të nxitur nga të parët, trupa e streltsy-ve (harkëtarë dhe shpatarë të zgjedhur) hyri në Kremlin dhe masakroi para syve të Pjetrit të vogël klanin e nënës së tij. Për Carin e ardhshëm qe një traumë e pashlyeshme, ndoshta në origjinën e tikut nervor që e shoqëroi gjatë gjithë ditëve të ardhshme të tij: një tundje në kokë. Të nesërmen e masakrës, me 26 maj 1682, u zgjodh gjithsesi si Car në çift me Ivanin e V-të. Rol fasade, duke qenë se pushteti efektiv u mor nga motra për babë Sofia dhe nga dashnori i saj, Kryeministri Golicin. Të cilët më vonë kërkuan që ta eliminojnë të bezdisshmin. Pjetri arriti që ta shmangë komplotin në verën e 1689 dhe ta kthejë në favorin e tij: Regjentja u mbyll në manastirin e Novodeviçi.

Me vdekjen e vëllait invalid, nga viti 1696 Pjetri qe i vetëm në krye. Ishte rritur me nënën në një fshat në dyert e Moskës, i quajtur Preobraženskoe, dhe qysh i vogël kishte frekuentuar Lagjen Gjermane fqinje në të cilën banonin të huajt në shërbim të bizneseve dhe institucioneve moskovite. Në këtë mënyrë ishte familjarizuar me doket dhe zakonet perëndimore dhe lidhur miqësi me disa pinjoj me origjinë zvicerane, skoceze dhe holandeze që më pas do ta ndiqnin në kalërimin mbretëror të tij. me shokët e lojërave ishte formuar në artin e luftës dhe kishte zbuluar kënaqësitë e lundrimit (një goditje në kuptimin e vërtetë të fjalës) mbi një lundër të vjetër me mballoma. Kishin krijuar një ushtri të vogël dhe një qytet në miniaturë, të quajtur Presburg, ku përveç simulimit të betejave vëllazëria, në mënyrë të gëzueshme e devotshme ndaj Bakut dhe, për rrjedhojë, e quajtur Kolegji i Dehjes, inskenonte parodi ironike të ceremonive të oborrit dhe konklavave fetarë. Gjatë gjithë jetës, Pjetri e mori shumë seriozisht këtë lojë. Të parët që informonte për evenimentet që i përkisnin, duke ju përmbajtur një protokolli të shtirur, qenë dy shokët që mbulonin rolet e Princit – baba dhe Princit – car. Cari kishte një shije të spikatur për farsën, mizanskenën, sakrilegjin. I pëlqente të hiqej për dikë tjetër ose të shtirej ushtar i thjeshtë. Në paradat triumfale që pasonin fitoret e tij, parakalonte me gradën e kapitenit apo të kolonelit dhe kur në 1697 ndërmori një tur diplomatik të madh, të ashtuquajturin Mision të Madh, u kamuflua nën identitetin e një farë Petr Mikhailov.

Megjithatë, Pjetri ishte i vendosur që t’i kurorëzonte ëndrrat e tij të fuqisë: i vendosur që ta bënte Rusinë një protagoniste të politikës botërore. Për zhvillimin dhe ekspansionin ishte e nevojshme një rrugëdalje në det; Rusia kishte një port të vetëm, Arhangelskun, në Detin e Bardhë. Pjetri e kërkoi këtë rrugëdalje fillimisht në jug, në Detin Azov, kundër turqve. Sulmi i parë (1695) dështoi, por ai nuk e humbi toruan. «Pak sovranë si ai kanë pasur një shpërfillje ndaj jetës njerëzore», ka vërejtur biografi Henri Troyat. «Çdo ide që çfaqej në mendjen e tij, i dukej se e justifikonte sakrificën e kombit». Siç kur kuptoi se duhej të forconte ushtrinë dhe të pajisej me një flotë ushtarake të denjë për këtë emër. I pasionuar shumë pas karpentierisë dhe i pandarë nga tornoja, piala dhe sqepari, i hyri punës për të ndërtuar personalisht galera me tonazh të vogël në kantieret e rinj të Voronezhit: varka të shpejta që rezultuan më vonë arma fituese në kontrollin e Balltikut. Në 1696 rusët pushtuan Azovin, por akoma nuk kishin akses në Detin e Zi: në mes qëndronte kështjella e Kerçit. Për këtë arsye, Pjetri ndërmorri në mars të 1697 Misionin e Madh të tij.

U nisën 250 vetë me qëllimin e deklaruar për të krijuar një aleancë kristiane. Në realitet, Cari donte të importonte teknologjitë e Perëndimit dhe të rekrutonte teknikë, artizanë e marinarë për vendin e tij. Në këtë turne Pjetri studioi inxhinieri detare në kantieret e Amsterdamit dhe frekuentoi kurse mjekësie dhe auditorë anatomie. Krijoi kështu një pasion për kirurgjinë dhe odontiatrinë, që e shfryu mbi disa fatkeqë të enturazhit të tij. Në Londër punoi në kantieret detare të Deptfordit, vizitoi universitete, spitale, prerjen e monedhës, kullën – burg dhe shkatërroi shtëpinë e vënë në dispozicionin e tij nga një letrar i famshëm. Si në udhëtimin që kreu vite më pas në Paris, kur i habiti sallonet aristokrate për nga mungesa e bon ton dhe për nga gjallëria intelektuale. Por misioni rezultoi me një fiasko politike. Në këtë pikë, Pjetri nënshkroi një armëpushim 30 vjeçar me Perandorinë Osmane dhe i ktheu synimet ekspansioniste në veri, kundër suedezëve, padronë të Balltikut. Ndeshja me Karlin e XII-të, një luftëtar i ri që jetonte vetëm për të luftuar, me pauza të shkurtra, zgjati nja 20 vjet dhe përfundoi me triumfin e Pjetrit dhe rënien e fuqisë skandinave. Të poshtëruar në 1700 nga suedezët në Narva, rusët u shfaqën sërish në 1704 po në Narva e në Dorpat. Inauguruan kështu një taktikë të destinuar që të mos perëndonte kurrë: të tërhiqej në brendësi dhe ta linte armikun të dobësohej nga i ftohti dhe nga gjatësia e rrugëve të furnizimit. Të sfilitur, suedezët u shpartalluan në 1709 në Poltavë. Rusët u derdhën në territoret e tyre duke marrë Vyborg, Riga dhe Tallinn aktual. Karli i XII-të kërkoi më pas strehim dhe mbështetje nga turqit duke ndezur një tjetër sekuencë luftarake midis otomanëve dhe Perandorisë Ruse. Kësaj radhe Pjetrit nuk i eci mirë: u mund të Moldavi më qershorin e 1711 dhe ju desh të hiqte dorë nga Azovi dhe nga flota jugore. E gjykoi çmimi për t’u paguar për të larë hesapet me Suedinë dhe shfronësuar nga Balltiku. Dhe në fakt galerat e tij të lehta triumfuan mbi anijet suedeze në Kepin Hango (gusht 1714). Qe goditja e nokautit, por hesapi u mbyll vetëm në 1721, me Traktatin e Nystad që sanksionoi aneksimin me Rusinë të Livonisë, Kurlandisë, pjesë të Finlandës dhe të Ingrias ku Pjetri kishte inauguruar në 1709 kryeqytetin e ri të mrekullueshëm.

Por fitoret nuk mjaftuan për t’u zbatuar projekti imperialist i Pjetrit dhe për të modernizuar vendin. Nevojiteshin masa drastike, tejet jopopullore. Duhej investuar një pjesë e madhe e të ardhurave kombëtare në shpenzime ushtarake. Përfituan industria metalurgjike dhe kantieristika detare. Vendburime të reja u zbuluan dhe shfrytëzuan në Irale dhe Rusia kërceu kështu në vendet e para në Europë në prodhimin e hekurit. Portet dhe infrastrukturat e reja (Moska u lidh me Shën Petërsburgun me një rrugë akoma sot ekzistuese) nxitën tregtinë; por, për luftëra dhe vepra të mëdha, Pjetrit ju desh që t’i drejtohej shërbimit të detyrueshëm masiv ushtarak dhe pesëfishimit të taksave, duke shkaktuar pakënaqësi dhe revolta të përsëritura në shtresat më të kamura, por edhe midis shërbëtorëve të plebës.

Për pasojë, Cari procedoi me një spending review radikal. Luftimi i shpërdorimeve, i privilegjeve dhe i parazitizmave kërkonte riorganizimin e makinës shtetërore. Duke punuar 14 orë në ditë për një pafundësi dekretesh, autokrati frenetik abrogoi Këshillin e Bojarëve (fisnikërinë e tokave) dhe krijoi Senatin, organe të kontrollit policor (përfshi censurën) e tributar, dhe reformoi provincat. Së fundi neutralizoi monopolet e forcave konservatore. Me Tabelën e Rangjeve lidhi në fakt hierarkinë me meritën dhe me vjetërsinë e shërbimit. Me abrogimin e Patriarkatit dhe futjen e Sinodit të Shenjtë, e reduktoi Kishën në një departament qeveritar. Modernizimi kaloi edhe nga krijimi i një sistemi shkollor të ri: shkolla detare, matematike, inxhinierie, artilerie, Akademia e Shkencave. Me goditjeukaz-ësh (dekretesh), Perandori imponoi më së fundi oksidentalizimin e zakoneve: të ndaluara mjekërrat, të detyrueshme veshjet alla europiane, i inkurajuar përdorimi i duhanit e më gjerë. Diktoi dhe urdhëroi në lëmin e shtëpive, çative, kambanoreve, tekstileve dhe deri qëndrimi në kishë. Asgjë nuk i shpëtonte, por në thelb ishte një obsesion me qëllim të mirë. Duke vdekur, me 28 janar 1725, në moshën 52 vjeçare, si pasojë e një infeksioni në rrugët urinare, ai pagoi shtrenjtë tepritë dhe parregullsitë. Përfshi edhe stakanovizmin në punë. /Focus

Përgatiti: Armin Tirana

Please follow and like us: