Rrëfimi: Komunistët i thanë vëllait 13 vjeç se “babain ta pushkatuam!”
Intervistë me znj. Elda Stefa Naraçi, vajza e Kostaq Stefës, që komunistët pushkatuan në 1948-ën, përkthyesi dhe shoqëruesi i mjekëve amerikanë që zbritën me avionin e tyre në Shqipëri gjatë Luftës në vitin 1943.
Ishte 8 nëntori i vitit 1943.
Skenari: Lufta e Dytë Botërore.
Një avion amerikan transporti C-53, me 30 amerikanë në bord, ndër të cilët 13 mjekë, 13 infermiere dhe 4 pjesëtare ekuipazhi , linte Katania-n, Siçili, Itali për t’iu drejtuar Barit, për t’u shkuar në ndihmë disa ushtarëve amerikanë të plagosur.
Për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe të ndjekjes nga avionët “Messerschshmitt” gjermanë, avioni amerikan detyrohet të kryejë një zbritje emergjence në një vend të humbur të Shqipërisë. Ekuipazhi nuk kishte idenë se ku ishin ulur, kjo edhe për shkak të prishjes së busullës së brendshme të avionit të tyre.
Vendi quhej Belsh, Elbasan. Pas disa dite ecjeje në këmbë, të shoqëruar nga një grup korrierësh partizanë, të kryesuar nga Hasan Gina, një ish-nxënës i Kostaq Stefës, ata mbërrijnë në Berat, ku do të shpërndaheshin nëpër strehimet përkatëse që ishin planifikuar për ta në disa familje.
Kostaq Stefa nga Berati ishte personi që do t’i shoqëronte, e që do të ishte më vonë përkthyesi i tyre, pasi njihte shumë mirë gjuhën angleze dhe njëkohësisht ai, në shtëpinë e të cilit do të strehoheshin dy nga infermieret amerikane.
(Kostaq Stefa)
Kostaqi kishte përfunduar studimet në Tiranë në Institutin Teknik shqiptaro-amerikan që më pas do të quhej “Harry Fultz” në vitin 1926, ku kishte shkëlqyer dhe ishte caktuar aty si profesor. Më pas pati fituar një bursë studimi për në Firence.
Infermieret amerikane, Agnes Jensen Mangerich e Vilma Lytlle e panë veten shumë të lehtësuara e të sigurta në shtëpinë e Kostaqit, të ndihmuara e të mbështetura edhe nga gruaja e Kostaqit, znj. Eleni Stefa. Arrinin të komunikonin anglisht, që në atë periudhë ishte një gjë e rrallë për shqiptarët. Kjo ishte një familje intelektuale beratase. Kostaqi kishte studiuar në Angli e Firence dhe e shoqja e tij, Eleni, ishte njëra nga pesë vajzat e para beratase që frekuentuan shkollën Normale në Korçë e u bënë mësuese. Eleni ishte mësuese në shkollën fillore të Beratit. Ajo, nga ana e saj, fliste një anglishte të nivelit minimal por, merreshin vesh mirë bashkë me infermieret amerikane. E kjo gjë, si femra sidomos, ua lehtësoi komunikimin e bëri të mundur që Eleni t’u vinte në ndihmë atyre për çdo nevojë personale.
Më 9 janar 1944, pas 63 ditësh peripeci duke iu ruajtur gjermanëve, pjesa më e madhe e mjekëve , infermiereve dhe pjesëtarëve të ekuipazhit të avionit, nëpërmjet bashkëpunimit të shërbimeve amerikano-angleze, arrijnë të takojnë brigjet jugore të Italisë. Mbetën vetëm tri infermiere të cilat, edhe ato, pas një strehimi të mëtejshëm në Berat, në muajin mars arrijnë të kalojnë nga brigjet shqiptare, drejt Italisë. Kostaqi, gjithnjë, shoqërues i tyre i pandarë e i besuar. Ai i pati shoqëruar deri në gadishullin e Karaburunit.
Kostaq Stefa kishte qenë në Londër ku kishte marrë përgatitjen e duhur me grupin e boy scout – ve, dërguar nga shkolla e tij. Klasifikimin si Masterscout ia kishte dorëzuar vetë Sir Robert Smyth Baden-Powell dhe më tej, kishte qenë për studime në Firence, Itali. Ne kete foto, Kostaqi ne qender me nxenesit e tij boy scout, nder te cilet eshte edhe Mehmet Shehu.Më 8 shtator 1947, në derën e shtëpisë së përkthyesit beratas, Kostaq Stefa, që strehoi dy infermieret dhe ndihmoi të gjithë grupin e tyre, mbërrijnë disa ushtarakë, që i komunikojnë atij urdhrin e arrestit!
Kostaqi arrestohet me pretekstin e akuzën farsë se ishte “agjent i amerikanëve”.
Ajo periudhë përkoi, ndër të tjera, edhe me arrestime të teknikëve të tjerë të shkollës amerikane të Fultzit.
Fillon kalvari i familjes së tij: gruas e pesë fëmijëve.
Preteksti: bashkëpunim me amerikanët të cilët, nga aleatë, ndërkohë ishin kthyer në armiq të shtetit shqiptar.
Në mëngjesin e 3 marsit 1948, Kostaqi , së bashku me tre persona të tjerë, vihet përpara trupës së ekzekutimit dhe pushkatohen. Eshtrat e zbuluara ne 1993-shin ne Berat.
Kostaqi u ekzekutua ne 1948-en bashke me tre bashkekombes te tjere. Ai, të cilin vetë partizanët e kishin ngarkuar si përkthyes, shoqërues e strehues të amerikanëve gjatë Luftës dhe që mbante “fajin” se kishte studiuar e punuar me teknikët amerikanë në Institutin Teknik në Tiranë të Fultzi-t, në atë shkollë ku ai kishte pasur si nxënës të tij, vetë Mehmet Shehun, numrin dy të nomenklaturës komuniste shqiptare të kohës, u pushkatua nga komunistët shqiptarë.
Përshëndetje znj. Elda! Ju uroj një mirëseardhje të ngrohtë
Mirë se ju gjej, madje, mirë se vini edhe ju tek unë.
Kuptoj që, ky që do të trajtojmë, është një argument i dhimbshëm për ju. Por, njëkohësisht mendoj se, për persona si babai juaj, mënyra më e mirë për t’i kujtuar e vlerësuar siç duhet, konsiston pikërisht në faktin që për ata të flitet, të shkruhet, të diskutohet.
Pa dyshim.
Babai im lindi në një familje patriotësh, ishte nip i Kostandin Kristoforidhit, gjithashtu nip i Gjergj Stefës, përfaqësues i Beratit në Lidhjen e Prizrenit. Edhe patriotë të tjerë kanë dalë nga gjiri i familjes së tij.
Babai vetë ishte një intelektual i shquar për kohën. Kishte studiuar në Institutin Teknik Shqiptaro-Amerikan në Tiranë që më vonë do të merrte emrin e Harry Fultz-it. Kishte qenë në Londër ku kishte marrë përgatitjen e duhur me grupin e boy scout – ve, dërguar nga shkolla e tij. Klasifikimin si Masterscout ia kishte dorëzuar vetë Sir Robert Smyth Baden-Powell dhe më tej, kishte qenë për studime në Firence, Itali.
Anglishten e njihte si shqipen. Italishten po ashtu.
Në Berat, babai ka punuar në seksionin e arsimit, ka ndihmuar Kryqin e Kuq, ka qenë aktivist shumë i njohur, ka ndihmuar shumë çamët kur patën vështirësitë e tyre përkatëse, ato që historia i njeh.
Në fakt kishim partizanë në familje. Xhaxhai im i vetëm ishte partizan, tre vëllezërit e mamasë ishin partizanë. Nga ata partizanë, të cilët besonin në një kauzë të lartë, në ideale të larta…
Nxenes te Kostaq Stefes e ai vete ne qender ne shkollen Harry Fultz, Tirane.– Ju në familje ishit 5 fëmijë, vëllezër e motra. Ju vetë, datëlindja 1939. D.m.th gati 9 vjeçe në momentin tragjik, atë të pushkatimit të babait.
Si ua ka mundësuar nëna juaj ta kapërceni disi mungesën e babait dhe në ç’moshë ju jeni vënë në dijeni mbi mënyrën e vërtetë të largimit të tij nga jeta?
Mendoj se ka qenë pikërisht nëna juaj ajo që ju ka treguar gjithçka nga veprimtaria e babait tuaj dhe më saktë, nga episodi që përcaktoi fundin e padrejtë e makabër të jetës së tij…
Po, isha e vogël.
Unë fillimisht nuk kuptova gjë se ç’kishte ndodhur. Kjo, edhe sepse, nëna për të na shmangur trauma, u tregua shumë delikate dhe e kujdesshme me ne fëmijët. Kuptoi gjithçka vetëm vëllai ynë i madh, Alfredi, që në atë kohë ishte 13 vjeç dhe shumë i zgjuar e i pjekur. Ai i qëndronte shumë afër nënës. Unë nuk kuptova shumë fillimisht edhe ngaqë u rrita tek halla në Durrës por, Vangjushi e Tina që mbetën në Berat, ata e patën më të vështirë.
Ishte pikërisht Alfredi, ai atëherë, adoleshent – datëlindja 1934 – i cili u dërgua në hetuesi nga mamaja atë ditë, ishte saktësisht data 3 mars.
Mamasë i komunikuan më datë 2 mars se babait i kishin falur jetën, dhe këtë lajm ia patën komunikuar drejpërdrejt, ngaqë më datë 2 mars i patën fiksuar një takim të shkurtër me babanë, prej 4 minutash në hetuesi. Aq sa ai vetë i pati thënë : “E sheh grua, që duhet të kemi besim te drejtësia? Ngaqë do të më nisin drejt burgut të Burrelit, më sill disa veshmbathje të pastra, pallton etj…”
Kur ia patën hequr prangat për ato pak minuta takim, duart e tij ishin të gjakosura…
Mamaja i merr leje atë orë mësimi në shkollë, mësueses së Alfredit për djalin, që ta dërgonte në hetuesi, e ajo vetë vazhdoi mësimin me klasën e saj.
Alfredi merr disa pasta që ia jep mamaja, për t’ia dërguar policëve për këtë fakt, ngaqë ky ishte një farë lehtësimi për ne: “Babait po i falej jeta, nuk do ta dënonin me vdekje… Do ta transferonin në burgun e Burrelit.”
Kur Alfredi mbërrin në hetuesi, policët ia hedhin pastat fytyres dhe i thonë:
“Ik ore, se yt atë u pushkatua mbrëmë! “ Ai kthehet te mamaja duke qarë me ngashërim, mamaja ishte në shkollë me nxënësit e saj e nuk u besonte veshëve. Ajo u kthye vetë në hetuesi ku i konfermuan lajmin makabër, e i thanë:
“Tani, thuaj Rroftë Partia!”
Babanë e kishin pushkatuar duke hyrë data 3 mars, në orën 2 të natës…
Më tej, sipas porosive të nënës sonë, kur të afërmit vinin në shtëpinë tonë për ngushëllim, pikërisht për të mos na trishtuar e apo trembur, ne fëmijëve na largonin nga shtëpia, na çonin nëpër fqinjë apo gjetkë, që të mos dëgjonim të qarat.
Kur babai vdiq në moshën 42 vjeçare, ne ishim të vegjël. Motra më e vogël Tina, po atë ditë që babai u pushkatua, mbushi një vjeç! Tina nuk e ka festuar asnjëherë ditëlindjen!
Për herë të parë, ajo e ka festuar ditëlindjen, vetëm me ardhjen e demokracisë.
Por, kuptohet, duke u rritur, vetvetiu mësova shumë gjëra, edhe ato gjëra që ndoshta nëna nuk na i shprehte haptas, saqë një ditë i pata thënë, pas një shpërthimi emotiv: “Mama, mos u lodh, më mirë na thuaj që data e mallkuar 3 mars, bëri që në familjen tonë të bjerë bomba…!”
Ajo më pati parë me dhembshuri.
Megjithatë, më duhet të them, që mamaja jonë në praninë tonë, d.m.th, të fëmijëve të saj, asnjëherë nuk shau pushtetarët apo Enverin. Nuk donte të na shkaktonte dhimbje pëmbi dhimbje neve, nuk donte të na shtonte urrejtjen që kishim e trishtimin që mbartnim.
Mamaja u vesh me të zeza në moshën 34 vjeçare dhe vuri dhe shaminë e zezë në kokë. Kur e pa drejtoresha e shkollës, ajo i tha: “Në shkollë nuk mund të vish me këtë shami në kokë, ose hiqe, ose je e pushuar nga puna!”
Mamaja nuk e hoqi shaminë nga koka dhe u pushua nga puna. Mbetëm në mëshirë të fatit.
Mamaja ishte shumë e aftë në profesionin e saj si mësuese. U desh që të përfundonte Kongresi i Partisë i radhës e mamaja të rehabilitohej, të fillonte punë pas disa muajsh, d.m.th ajo pati qendruar pa punë nga marsi deri në nëntor.
Ajo që ndodhi me babanë tuaj, përbën edhe zhgënjimin e shumë ish-partizanëve, të cilët besonin në një kauzë të përcaktuar, të drejtë dhe nuk e dëshironin instalimin e diktaturës, nuk ishte ajo, forma e qeverisjes që dëshironin për Shqipërinë, nuk ishte arsyeja, për të cilën shokë të tyre kishin dhënë jetën…
Është kështu?
Pikërisht kështu. Shumë partizanë të ndershëm dhe familjet e tyre, shumë nga ata elementë, të cilët bënin pjesë edhe në institucionin e ashtuquajtur “Mbrojtja”, që më pas do të quhej “Sigurimi i Shtetit”, që ishin ndjekës të një ideali, në të cilin besonin, do të mbeteshin të zhgënjyer nga episode të tilla të ngjashme.
Ne mund të kishim pasur edhe të afërm tanët në radhët e tyre, por edhe atyre vetë u kishte hyrë tashmë frika në palcë dhe nuk mund të arsyetonin në pavarësi të plotë, përveçse të shpreheshin me shprehje të tilla si:
” Nuk na takon neve të gjykojmë, këto punë i di veç Partia…!”
Di që keni marrë në familje edhe letra falënderimi nga amerikanët e shpëtuar nga babai juaj. Në cilin vit filluan t’ju mbërrijnë letrat e para dhe cila ishte ndjesia që patët në familje në lidhje me këtë?
Agnes, njëra nga infermieret amerikane të atij operacioni, ajo që edhe u strehua në shtëpinë tonë atëherë, ishte e para që erdhi në Shqipëri me demokracinë.
Ishte tetori i vitit 1995 e ajo vetë, në moshën 75 vjeçare. Shkoi menjëherë e me një përzierje ndjesish: mall, emocione, trishtim, drejtpërdrejt në Belsh, Elbasan, në vendin ku ishte ulur në 1943-shin avioni i tyre. Aty ripërshkoi me dhimbje në kujtesën e saj çdo gjë që pati ndodhur ato ditë.
Prej aty, kërkoi me insistim të shkonte në shtëpinë e familjes Stefa në Berat, në familjen që atë vetë e strehoi, në familjen e përkthyesit Kostaq, pra në shtëpinë tonë!
Erdhi në shtëpinë tonë me një dashuri e mall të paparë. Takoi mamanë tonë me shumë dashuri e mallëngjim, na falënderoi pa reshtur. Iu kujtua koha kur në atë shtëpi u strehua gjatë Luftës, e kur i pati thënë mamasë sonë:
“ Oh, më në fund po flemë në një shtrat të vërtetë, pas peripecive e rrugës së gjatë nëpër male!”
Iu kujtua edhe kur një kolegut të tyre, nga plagët që kishte marrë në këmbë prej këpucëve të dëmtuara nga ecja e gjatë prej shumë miljesh të përshkuara në këmbë për të arritur nga Belshi në Berat, Kostaqi i kishte riparuar edhe këpucët, pasi këmbët e tij, që po ia mjekonin mesa mundeshin, po rrezikonin të gangrenizoheshin…
Në një moment, e dëgjuam t’i thoshte mamasë sonë: ” Po ku e gjetën, si e gjetën gjermanët Kostaqin? Ata që pastaj e vranë…”
“Ah, jo Agnes, – i tha mamaja jonë – Kostaqin nuk e vranë gjermanët, por komunistët shqiptarë!”
Ajo mbeti si e ngrirë, shtangu.
Me mamanë tonë, Agnes krijoi një raport të përzemërt e të vazhdueshëm në vite. Ato mbajtën korrespondence të rregullt që të dyja.
Madje, kur në vitin 1997, familjet tona mbërritën në Itali, Trieste dhe kërkuam strehim politik, Agnes, që nga Amerika, sapo u vu në dijeni për këtë fakt, bëri çmos nëpërmjet Ambasadës Amerikane në Romë, që të na përshpejtohej praktika e strehimit politik e të na pranohej kërkesa menjëherë. E në fakt ashtu ndodhi.
Ndaj, që pas ardhjes së Agnes tek ne dhe, pas premtimit të saj që sapo të shkonte në SHBA, do të bënte çmos që të kontaktonte edhe ish-kolegët e saj të tjerë pjesëmarrës të atij operacioni e t’i informonte ata që ajo vetë ishte lidhur me ne e kishte ardhur të na takonte personalisht në Shqipëri, filluan kontaktet e familjes sonë edhe me mjekët e tjerë amerikanë të atij operacioni. Ata filluan të na shkruajnë letra falënderimi, të cilat ne i ruajmë sot me dashuri në arkivin e familjes sonë, ndonjë kopje të të cilave, po jua bashkëngjisim dhe juve për këtë intervistë.
Letra falënderimi nga amerikanët e shpëtuar drejtuar familjes Stefa. – Dimë që mediat amerikane shkruan në fund të janarit të këtij viti për vdekjen e Harold Hayes, mjekut ushtarak amerikan, të mbijetuarit të fundit të kësaj odiseje në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore .
Sa është interesuar Shteti amerikan për këtë çështje dhe për familjen tuaj kur ishit ende në Shqipëri?
Shteti amerikan kur ishim në Shqipëri, është interesuar për ne nëpërmjet përfaqësisë së tij diplomatike të akredituar në Shqipëri dhe, më saktë, nëpërmjet ambasadorëve të tij.
Ambasadori William E. Ryerson ishte ai që në ’93-shin, mori pjesë në ceremoninë madhështore që iu bë babait tonë në Berat – kur iu gjetën eshtrat…- për varrosjen e tij të denjë në varrezat e Dëshmorëve të Beratit. Në atë ceremoni na nderoi i gjithë Berati, pa dallim politik apo fetar.
Ambasadori Ryerson qe i pranishëm më pas edhe në drekën që shtrohet për të vdekurit sipas traditës sonë, gjë që familja jonë përgatiti, sikur babai të na kishte vdekur atë ditë e jo aq vite më parë…
Pas pak kohësh, ndodhi një ngjarje e shëmtuar me protagonistë disa persona fanatikë, të cilët i shkaktuan dëme varrit të babait tonë. U vu në dijeni për këtë, ambasadorja amerikane e radhës në Shqipëri, zonja Marisa Lino. Ajo u interesua personalisht që varri i babait të rregullohej e të bëhej i ri, duke cilësuar:
“T’i bëhet një varr i denjë e i ri, siç e meriton një njeri i respektuar e i nderuar e që prehet në Varrezat e Dëshmorëve!”
Kur në ambasadën amerikanë në Shqipëri u ngarkua në detyrë ambasadori Arvizu, ne ishim transferuar tashmë në Itali, në Trieste. Por, meqënëse me nismën e Kryetarit të Bashkisë së Beratit atëherë, z. Fadil Nasufi u bë një ceremoni madhështore, gjatë së cilës, një rruge në Berat iu vendos emri i babait tonë, atëherë ne shkuam në Shqipëri nga Trieste posaçërisht për këtë ngjarje.
Agnes Jensen Mangerich ne qender te fotos, njëra nga infermieret amerikane të atij operacioni, ajo që edhe u strehua në shtëpinë e familjes Stefa, shkon t’i takoje ne Berat ne 1995-en. Ajo vete ne qender te fotos, me znj. Eleni Stefa, gruan e Kostaqit te ndjere, dhe djalin e Kostaqit, Vangjel me nipin ne krah, qe mban emrin e gjyshit Kostaq.Pas kësaj, ambasadori Arvizu ka ardhur disa herë në shtëpinë tonë, me shumë interes, dashuri e respekt për çështjen tonë.
Së bashku me mamanë tonë e me të gjithë ne, kemi përshkruar kujtime të asaj kohe, madje unë kisha realizuar një ekspozitë të vogël me foto të vjetra të babait në vetë ambjentet e shtëpisë. Ai vërente çdo cep të shtëpisë me interes. Sepse donte të shihte me sytë e tij , çdo pëllëmbë të asaj shtëpie që strehoi infermieret amerikane gjatë Luftës.
Veprimtarinë e babait, pasqyruar ne fotot e vjetra të arkivit të familjes sonë, ai jo vetëm e ndoqi me interes të madh por, pati shtangur, kur në një foto ka parë babain tonë, Kostaqin, me Mehmet Shehun e ka mbetur pa fjalë kur ka marrë vesh se ai kishte qenë nxënës i babait dhe që, edhe Mehmeti vetë kishte ndjekur shkollën teknike amerikane.
Ambasadori Arvizu këmbënguli që të realizohej edhe një dokumentar mbi këtë histori dhe dokumentari u shfaq në praninë tonë, të familjarëve të Hasan Ginës, korrierit që shoqëroi amerikanët, të vetë ambasadorit Arvizu e shumë miqve e të afërmve tanë.
Nga ana tjetër, si shtetase amerikane dhe si person i implikuar e vetë protagoniste e ngjarjes, Agnes, infermierja amerikane ka shkruar një libër mbi këtë histori.
Janë shkruar dhe dy libra të tjerë me pas nga amerikanët. Këta, përveç librit të shkruar prej familjes sonë.
Por, me keqardhje më duhet të pohoj se libri i shkruar nga Cate Lineberry, nuk ka as cilësinë e as saktësinë apo vërtetësinë e duhur të ngjarjeve, në krahasim me librin real të Agnes-it.
Madje, edhe gazetari amerikan që ka shkruar së fundmi në The New York Times, mbi lajmin e vdekjes së mjekut të fundit amerikan të atij misioni në Shqipëri, Harold Hayes, nuk ka saktësinë e duhur në shkrimin e tij, pasi ai është bazuar në librin e Cate Lineberry-t e jo në atë të Agnes Jensen Mangerich-it, e cila është më koherente ndaj realitetit shqiptar të asaj kohe përkatëse, ndaj zemërgjerësisë shqiptare, ndaj faktit që shqiptarët ndanë me ta bukën e misrit e djathin, d.m.th ndaj lartësimit të bujarisë shqiptare, si tipar që na karakterizon me të vërtetë.
Përfitojmë nga rasti që, familjes së Harold Hayes, t’i drejtojmë ngushëllimet tona më të sinqerta për humbjen e tij.[Libri i shkruar nga Agnes Jensen Mangerich]
Libri i shkruar nga Agnes Jensen Mangerich– Shteti shqiptar, sa është përkujdesur për këtë çështje, sa i është kushtuar asaj rëndësia e respekti i duhur?
Babait, në qeverinë Berisha, iu dha titulli “Martir i Demokracisë”. Eshtrat e tij prehen në Varrezat e Dëshmorëve te Beratit.
Janë përkujdesur që t’i bëhet një varr i denjë.
Shumë na ka respektuar Berati ynë. Berati na është gjendur pranë dhe na ka vlerësuar si familje për të shkuarën tone të hidhur e njëkohësisht, për meritat e familjes sonë e të babait tone në veçanti.
Në Berat, një rrugë pra, mban emrin e babait tonë.
Nëna juaj, zonja e nderuar, Mësuesja e Popullit, Eleni Stefa ka shkruar një libër mbi memorien e bashkëshortit të saj, babait tuaj. Ajo, një grua intelektuale shqiptare, ish- mësuese, nga mësueset e para në Berat, me një aftësi të lartë rrëfimi e shkrimi, do të kishte merituar të rrëfente një jetë ndryshe.
Si e përjetoi ajo periudhën kur përgatiste librin…?
Ishte natyrisht, e emocionuar gjatë gjithë kohës. Ama, ishte e lumtur kur libri përfundoi. Pasi vërejti kopertinën që u përgatit për librin, u mallëngjye e tha:
“Eh, more Kostaq, ç’fat që pate…!”
Kishte momente që librin e lexonte vetë me syze, duke pasur parasysh moshën e saj të vjetër, e kur lodhej, ia vazhdoja unë leximin. Ajo u largua nga jeta në moshën 102 vjeçare.
Por, kur pati mbushur 100 vjeç, në Trieste iu organizua një festë e madhe nga Komuna, ashtu siç është zakon në Itali që të respektohen 100-vjeçarët. E kjo e pati gëzuar pa masë.
Nëna juaj Eleni, e njihte personalisht Enver Hoxhën?
Po, e njihte.
E ka njohur në rini, në Korçë. Ajo frekuentonte shkollën Normale, pas përfundimit të së cilës, ajo u bë mësuese. Ndërsa Enveri studionte edhe ai në Korçë, në Lice.
Shkolla që nëna ime frekuentonte, kuptohet, ishte vetëm femërore por, ishin me pak fjalë, studentë në të njëjtën periudhë, në të njëjtin qytet dhe frekuentonin ambiente të përbashkëta. Për këtë njiheshin.
Në fakt, di që me Enver Hoxhen, prindërit e mi, qenë takuar rastësisht në një hotel, në Bari të Italisë rreth vitit 1939. Nëna e babai im patën shkuar në atë qytet e patën hasur Enverin i cili, në të njëjtin hotel kishte shkuar të takonte motrën e vet me të shoqin, Bahri Omari.
Ku ta dinte motra e tij, se nga do t’i vinte fundi edhe vetë bashkëshortit të saj…!
Sipas jush, “sa” dhe “si” e njeh historinë e tij populli shqiptar?
Oh, në mënyrë të pjesshme dhe të shtrembëruar, jo realitetin….
Në ç’drejtim mendoni se i ngjani babait, znj. Elda?
Them se i ngjaj kryesisht – ashtu siç ai ishte i pasionuar pas gjuhëve të huaja – në pasionin që edhe unë kam për këto gjuhë. Unë kam mësuar shumë mirë rusishten dhe kam punuar ndër vite si përkthyese për rusishten, si në Shqipëri, edhe në Itali. Njoh anglishten, italishten. Studime këto, autodidakte nga ana ime, duke pasur parasysh edhe kohën, dhe moshën time.
Gjithashtu, pasionin për letërsinë. Unë kam lexuar autorët e mëdhenj rusë, gjë që për kohën time, ishte për t’u konsideruar jo vetëm pasion i mirëfilltë, por edhe privilegj që të gjeje materialet që kërkoje për lexim, pasi ato mungonin./Albania News
(d.b/Shqiptarja.com)