Sa pushtet ka Donald Trumpi si President i SHBA?
Mara Bierbach
Sulm me armë bërthamore, emërim i gjyqtarëve kushtetues, nxjerrje dekretesh – ç’fuqi ka në fakt Donald Trumpi? Pushteti i presidentit amerikan dhe limitet e tij. Presidenti i SHBA-së është në të njëjtën kohë kryetar i shtetit dhe i qeverisë. Ai është po ashtu komandant i përgjithshëm i ushtrisë amerikane. Pra, Presidenti ka në vetvete fuqi të jashtëzakonshme. Në të njëjtën kohë kushtetuta amerikane parashikon që pushteti i tij të kufizohet nga parimi i “kontrollit dhe balancimit” (“checks and balances”) nga ana e Kongresit dhe e Gjykatës së Lartë – domethënë nga kontrolli reciprok i autoriteteve të ndryshme. Por çfarë do të thotë kjo saktësisht?
Postet e larta dhe punonjësit e tjerë
Presidenti mund të emërojë anëtarët e kabinetit të tij. Megjithatë, Senati duhet të konfirmojë me shumicë të thjeshtë çdo ministër. Presidenti edhe mund të shkarkojë anëtarët e qeverisë. Këshilltarët dhe punonjësit e Shtëpisë së Bardhë, ai mund t’i emërojë pa votën e Senatit. Presidenti ka të drejtë të propozojë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë (Supreme Court) kur aty lirohet ndonjë post. Por për emërim përfundimtar nevojitet një shumicë prej tre të pestave në Senat: 60 nga 100 senatorë duhet të votojnë pro emërimit të një kandidati për gjyqtar. Meqë Gjykata e Lartë ka shpesh fjalën e fundit për ligjet e diskutueshme dhe gjyqtarët emërohen për gjithë jetën, presidenti i SHBA-së mund të ndikojë me përzgjedhjen e kandidatit ndaj politikës edhe përtej kohës së tij në detyrë. Presidenti emëron edhe gjyqtarët për më shumë se 100 gjykatat e tjera federale – sa herë që dikush del në pension, për shkak se edhe gjyqtarët federalë emërohen në detyrë për gjithë jetën. Për emërimin e tyre, ai ka nevojë vetëm për një shumicë të thjeshtë në Senat. Disa mijëra poste në institucionet federale, si posti i fuqishëm i Bankës Qendrore të SHBA-së, shpërndahen nga Presidenti. Edhe pse këto janë vetëm një pjesë e vogël e tre milionë vendeve të punës për punonjës civlë, ato janë kryesisht poste drejtuese.
Legjislacioni
Presidenti nuk mund të nxjerrë ligje. Këtë mund ta bëjë vetëm Kongresi. Por Trumpi mund t’u kërkojë deputetëve që të paraqesin propozimet e tij për ligje. Dhe me praninë e tij në media, Presidenti ka ndikim të madh për çështjet që përfshihen ose jo në axhendën politike të SHBA-së. Presidenti amerikan ka të drejtën e vetos dhe mund të refuzojë çdo ligj që ka vendosur Kongresi.
Dekrete
Presidenti mund të qeverisë me dekrete, të cilat shpesh kanë karakterin e ligjeve. Me dekrete të tilla për organet federale Donald Trumpi ka ndërmarrë që tashmë ndryshime të ndryshme, ndër të tjera në politikën e imigracionit. Megjithatë Kongresi mund t’u kundërvihet vendimeve të Presidentit, duke vendosur një ligj të ri që kundërshton rregulloren ekzekutive. Edhe qytetarët, politikanët ose grupet e interesit mund të ankohen në qoftë se ata janë të mendimit se një rregullore është jokushtetuese. Gjithashtu edhe presidenti i ardhshëm mund ta shfuqizojë fare lehtë një dekret të paraardhësit të tij.
Politika e jashtme si instrument pushteti
Ndryshe nga politika e brendshme, ku mund të frenohet nga Kongresi, presidenti amerikan ka shumë më tepër fushë veprimi në politikën e jashtme, sepse ai vendos me të cilët vende apo persona dhe se si mban kontakt në arenën ndërkombëtare, Presidenti përcakton drejtimin e SHBA-së në politikën e jashtme. Ai përcakton se cilat shtete do të vazhdojnë të jenë aleate të SHBA-së, dhe cilat jo. Duke pritur kryetarë shtetesh ose duke hapur ambasada, ai mund të legjitimojë shtete.
Kontrolli ndaj ushtrisë dhe shërbimeve sekrete
Presidenti është komandanti i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara. Por e drejta për t’i shpallur luftën një vendi tjetër është sipas kushtetutës vetëm kompetencë e Kongresit. Por në fakt shpesh për misionet ushtarake vendosin presidenti dhe kabineti, sepse në qoftë se paraqitet ndonjë rrezik presidenti i SHBA-së mund të fillojë një luftë pa pyetur më parë parlamentin. I ashtuquajturi “War Powers Resolution” parasheh që Presidenti të informojë Kongresin brenda 48 orësh dhe duhet të marrë pëlqimin e deputetëve brenda 60 ditëve. Kongresi i ka miratuar deri tani me fuqi prapavepruese të gjitha operacionet e mëparshme të këtij lloji – për shembull, luftërat shumëvjeçare në Irak dhe Afganistan. Të gjitha 16 agjencitë e mëdha të zbulimit të Shteteve të Bashkuara janë të varura drejtpërdrejt prej presidentit, ndër to FBI-ja, NSA dhe CIA-a. Ai informohet çdo ditë për situatën aktuale.
Përdorimi i armëve bërthamore
Presidenti është i vetmi person i autorizuar për të urdhëruar përdorimin e armëve bërthamore të SHBA-së. Megjithatë nëse ai urdhëron një sulm të tillë, urdhëri i tij duhet të kalojë në disa instanca: ministri i Mbrojtjes kontakton me ushtrinë, gjeneralët duhet ta përcjellin komandën në tej tek vartësit, të cilët më pas ekzekutojnë urdhërin. Që ministrat dhe ushtria mund ta pengojnë sulmin me armë bërthamor, tregon shembulli i presidentit Richard Nixon. Në ditët e fundit të presidencës së tij Nixon-i pinte shumë dhe ra në sy për sjelljen e tij të pazakonshme. Ministri i Mbrojtjes i asaj kohe urdhëruoi të gjitha forcat ushtarake, që të gjitha urdhërat që vinin nga presidenti Nixon e që kishin të bënin me përdorimin e armëve bërthamore t’i paraqiteshin përpara atij apo Ministrit të Jashtëm. Një urdhër ligjërisht i diskutueshme por që askush nuk e vuri në pikëpyetje.
Faljet
Presidenti ka të drejtë të falë njerëz të dënuar nga Gjykatat Federale apo të shkurtojë periudhën e burgimit. Përjashtim përbëjnë rastet e politikanëve dhe të zyrtarëve federalë që shkarkohen nga detyra.
Asnjë të drejtë mbi buxhetin
Ndërsa presidenti ka kontrollin mbi organet ekzekutive, Kongresi ka pushtetin ndaj financimit të tyre. Në këtë mënyrë të dy dhomat e parlamentit mund të bllokojnë vendimet e Presidentit, në qoftë se ato refuzojnë të miratojë buxhetin. Në raste ekstreme, autoritetet thjesht nuk kanë para për të ekzekutuar urdhërat e Presidentit. Një rast “government shutdown” ishte në rrezik të ndodhte së fundi në tetor 2013.
Shkarkimi nga posti
Nëse veprimet e Presidentit janë sipas Kongresit ose kabinetit të papranueshme, ai mund të shkakohet nga detyra. Sipas Kushtetutës amerikane kjo mund të bëhet në rast fajësimi për “tradhëti të lartë, korrupsion, apo krime a shkelje të tjera serioze”. Por së pari duhet që pro shkarkimit të jenë një shumicë e thjeshtë e deputetëve. Pas kësaj zhvillohet një procedurë konsultimi në Senat, në fund të së cilës për shkarkimin e presidentit është e nevojshme një shumicë prej dy të tretave të votave. Edhe pse një precedurë e tillë është hapur tri herë, nga posti nuk është shkarkuar asnjë president i SHBA-së. Në rastin e Andrew Johnson-it (1868) dhe Bill Clinton-it (1999) Senati votoi kundër shkarkimit nga posti. Kurse Richard Nixon-i dha në vitin 1974 vullnetarisht dorëheqjen pas skandalit Watergate përpara se kundër tij të hapej procedura për shkarkimin.