Albspirit

Media/News/Publishing

Stoltenberg deklaroi se formimi i qeverisë së Maqedonisë është afër

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar të dielën se janë mbledhur të gjitha nënshkrimet e nevojshme për formimin e qeverisë së Maqedonisë të dalë nga zgjedhjet e dhjetorit, ndërkohë që ka kërkuar nga presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov dhe nga autoritetet tjera politike të jenë të përmbajtur në deklaratat dhe veprimet e tyre.

Në letrën e Stoltenbergut të publikuar në ueb faqen zyrtare të NATO-s thuhet se “në Samitin e Varshavës, më korrik 2016, NATO u bëri thirrje të gjithë udhëheqësve politikë në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë që plotësisht të zbatojnë zotimet e tyre që dalin nga Marrëveshja e Përzhinës, si një kornizë për zgjidhje të qëndrueshme të krizës politike”.

Sipas tij, zgjedhjet e dhjetorit të vitit 2016-të, janë cilësuar nga vëzhguesit ndërkombëtarë si një hap thelbësor në zgjidhjen se krizës, pasi të njëjtat janë administruar mirë dhe se janë mbajtur pa incidente të mëdha.

“Pas një përpjekjeje për të formuar qeveri, bëhet e ditur se në përputhje me kërkesat e specifikuara nga ana e presidentit, tani janë grumbulluar nënshkrimet e nevojshme të deputetëve”, shkruan mes tjerash Stoltenberg.

“Pres nga autoritetet në Shkup që të përmbushin hapin e ardhshëm nga procesi demokratik. U bëj thirrje të gjitha palëve që përmbahen në deklaratat dhe veprimet e tyre duke marrë vendime të cilat do të jenë për të mirën e të gjithë qytetarëve”, tha ai.

NATO mbetet e përkushtuar për anëtarësimin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë në Aleancë, duke qenë në përputhje me vendimin e marrë në Samitin e Bukureshtit të vitit 2008 dhe deklaratave të bëra nga aleatët në samitet e mëvonshme të NATO-s.

Please follow and like us: