Të pathënat e marrë peng nga zhurma e fjalëve
Gjylie Rexha*
Në heshtje provon të shoh përtej mjegullës. Mjafton të përqendrohet në kujtesën për gjithçka që ka ekzistuar, për ta shndërruar në pamje reale horizontin përtej dritares.
Mjegulla është kalimtare, ashtu si edhe shumëçka që mbush ditët e saj. Në secilën prej tyre ka mbetur nga diçka, që në tjetrën është shndërruar në kujtim me aromë nga mjegullnaja e së djeshmes.
Nganjëherë mëngjeset e mjegulluara e hutojnë me misterin për të panjohurën nën vellon e saj. Por, çuditërisht mjegulla e së sotmes shpesh kthjellon detajet e së djeshmes.
I sheh qartë të pathënat e ditëve të mbushura me diell, që si ëndrra janë përvjedhur nëpër horizontin e saj.
Kanë mbijetuar edhe ditët me acar, të ndrojtura dhe me kokën ulur, duke mos guxuar të imponohen në rutinën mbytëse të shumësisë së fjalëve.
Sa shumë të thëna, aq shumë sa e vërteta dhe e vlera, asnjëherë nuk thuhen plotësisht e qartësisht.
Ajo e njeh dhe është e mësuar të jetojë me domethënien e asaj që vazhdimisht thuhet, madje deri në shurdhim për të tjerët. Por, çfarë paradoksi!
Nga kjo ka mësuar se më të rëndësishmet asnjëherë nuk thuhen, ndoshta jo aq sepse duhen fshehur, por sepse edhe vetë trembemi prej tyre.
Të pathënat, shpesh, janë sinonimi i thellësisë së shpirtit, që nuk arrihet të shpjegohet me fjalët e shumta e fjalorët e pasur.
Në thjeshtëzimin rutinor cilësohen si gjendje dhe ndjesi që nuk përshkruhen me fjalë, por në thelbin e tyre janë bërthama nga e cila formësohet përditshmëria.
Në rutinën e hapave ofrohet sërish tek dritarja. Mjegulla ka filluar braktisjen e radhës, për t’u kthyer, mbase, prapë nesër. Por, ajo mbetet indiferente.
Ka kaluar koha e forcës së menjëhershme që mund të ketë një orë me mjegull.
Kthjellja është diku përtej saj, në horizontin që mund të hapet në kohën e të lexuarit dhe të shndërrimit në përditshmëri të magjisë së të pathënave.
Dhe, ajo ka shumë mall, më së shumti për të pathënat, që janë marrë peng nga zhurma e fjalëve.
*Autorja është redaktore në Radio-Kosovë dhe pedagoge universitare në Prishtinë.